TIRANË-Kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, njëherësh edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë është konfirmuar pozitiv me koronavirusin së bashku me bashkëshorten. Lajmin e ka bërë publik në rrjetin social Facebook vetë deputeti, ku ka postuar një foto shtrirë në krevat, por pasdite gjendja e tij u përkeqësua dhe u dërgua me urgjencë te Infektivi në QSUT.

Deputeti 57-vjeçar tregoi se ka shfaqur probleme shëndetësore prej datës 24 mars ku nga urgjenca e kanë transportuar me ambulancë tek Sanatoriumi dhe ka mësuar që kishte probleme me mushkëritë, përmes skanerit që i bënë. Ndërkohë i morën edhe tampon, ku përmes një telefonate pas analizës së kryer në laboratorin e ISHP-së e njoftuan se rezultoi pozitiv me COVID-19.

Alimadhi thotë se ka njoftuar kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, por se nga 24 marsi deri sot, 27 mars, askush nuk është kujdesur për të teksa akuzon kryeministrin Edi Rama se po bën propaganda. Ai gjithashtu ka shtuar se ambulanca me të cilën e transportuan nuk kishte kushte për të sëmurët, por e krahasoi me një frigorifer që nuk i mbylleshin dritaret. Deputeti shprehet se kryeministri duhet të kontrollojë shërbimet e të mos i marrë të mirëqena ato që i thonë. 

Alimadhi thotë se asnjë mjek nuk është kujtuar për ta për t’i pyetur nëse kanë nevojë për kujdes mjekësor, por zgjidhja e vetme është me bashkëshorten. Ai shprehet se kujdesen me radhë për njëri-tjetrit cdo 4-5 orë, e pinë me radhë paracetamolin, kujdeset bashkëshortja për të, kurse kur bëhet më mirë kujdeset ai për bashkëshorten. Pak ditë më parë, në 19 mars deputeti Adriatik Alimadhi u kap nga media duke thyer orarin e karantinës.

Deputeti Adriatik Alimadhi në 19 mars kur u kap duke thyer rregullat, pasi nuk respektoi orarin për të qenë brenda në orën 10:00

Postimi i plotë i Alimadhit
I nderuar z. Kryeministër! Nuk kisha ndërmend ta bëja publike gjendjen time shëndetësore pasi analizat nga ISHP më nxorën pozitiv. Duke ju parë ju dhe ministren e shëndetësisë me të cilën shëtisnit shumë serbes sepse e keni vënë përpara këtë popull duke i thënë vetëm futuni brenda...Mirë keni bërë dhe për këtë jemi shumë dakord! Bashkëshortja të cilën e ka kapur edhe atë virusi po më thoshte si nuk kanë turp këta, si gënjejnë këta, si mashtrojnë këta?! E kjo kuptohet sepse ime shoqe dinte dhe po ndjek gjithë ecurinë time. Po ju përshkruaj çfarë kam bërë unë si proces: Në datë 24 të këtij muaji në orët e vona të natës u paraqita në urgjencë. Më bënë vizitën, analizat, si dhe një grafi për mushkëritë. Doktoresha më tha që duhet të shkoja për vizitë në sanatorium dhe ashtu bëra. Më shoqëruan me ambulancë.

Po çfarë ambulancë flisni ju more? Kur hipa në të si në frigorifer, me xhama të hapura që nuk mbylleshin. Ç'të them! Një mjet qe nuk i plotësonte kurrë parametrat për të sëmurë. Dakord, shkova në sanatorium, doktorët atje ishin shumë korrekt dhe pasi më morën të gjitha analizat më thanë ejani nesër në mëngjes për të bërë një skaner. Ashtu bëra, ata më bënë edhe tamponin. Shkova në orën 8 të mëngjesit bëra skanerin, i cili më nxori me probleme në mushkëri.Pasi e kishte parë doktoresha më thotë se dyshojnë për  COVID- 19. Gjithsesi, më tha ajo, këtë do ta japim kur të marrim përgjigjen e analizave nga ISHP, pas orës 16, të datës 24 mars. Ashtu bëra, pas  orës 18 po të asaj dite më merr në telefon doktoresha dhe me thotë se përgjigja e ISHP është që kisha dalë pozitiv.

Po atë ditë njoftova kryetarin e Kuvendit me një SMS mbi gjendjen time shëndetësore. Për hir të së vërtetës më mori menjëherë në telefon dhe më pyeti për gjendjen shëndetësore. I kërkova ndërhyrjen e tij pranë autoriteteve përkatëse. Po ashtu ai më mori përsëri sot në telefon duke më pyetur përsëri për gjendjen shëndetësore, më pyeti nëse ka pasur interesim apo jo.  I thash jo dhe asgjë deri tani. Si ore jo tha...fare, fare? Po deri tani  asnjë interesim. Mirë më tha se po interesohem unë dhe për këtë e falënderoj. Po mirë z. Kryeministër, analizat kanë dalë që në datën 24 sot data 27, si nuk tregohet aspak interesim? Po mirë kjo, njerëzit e mi të dashur që kam qenë në kontakt i bien 127 dhe interesohen për mua, përgjigja e tyre e dini cila është; keni temperaturë pini paracetomol e tjera... Po mirë ata, po unë që kam dalë pozitiv, ku është interesimi? Çfarë duhet të bej unë tani?

Kartela ime është në urgjencën e spitalit Sanatorium. Analizat i ka bërë ISHP, ku çohen më pas? Sigurisht që procesin duhet ta ndjek unë por kur bëra analizat ata më kërkuan numrin e telefonit dhe do më njoftonin prej tij. Pra qe ta kuptosh për mua nuk ka fare interesim dhe po të them mos bëj propagandë; Do vijnë kaq ambulanca;  Do bëhen gati kaq shtretër dhe do bëhen spitale. Kur do behën? Kur të vdesin njerëzit?! Shqiptarët?!Thuaj shyqyr Zotit që shqiptarët po të rrinë në shtëpi ashtu siç po veprohet dhe janë marrë masa në vendet e prekura para nesh. Mirëpo, lëri pallavrat, gjithçka që iu serviret shqiptarëve nga ju është false. Ata po lëngojnë në shtëpitë e tyre, ashtu si edhe unë me bashkëshorten time. Po luftojnë me jetën. E dimë gjendjen e shtetit por mos i mashtro shqiptarët thuaju vetëm të drejtën dhe të vërtetën.

Ne po përballemi vetëm në këtë mënyrë gati prej një jave, unë së bashku me bashkëshorten po e bejmë me radhë, e pi unë një paracetamol i pari, dhe i bëj shërbimin asaj. Më pas e pi ajo paracetamolin dhe më bën ajo mua shërbim. Këtë e bëjmë në 4-5 orë, pa po të ishte për interesim nga ju do kishim vdekur, prandaj mos na gënjeni dhe mos na mashtroni. Dua gjithashtu tu them shqiptarëve se nuk ka vend për panik falë sjelljes suaj të duhur në momentin e duhur.  Veçmas kësaj, statistikat në Shqipëri kanë treguar që nuk ka pasur shumë raste dhe ato të cilat kanë qenë janë mundur të kontrollohen nga shtëpitë e tyre apo edhe ndaj ndihmës së pakushtëzuar të mjekëve në mënyra të ndryshme me njohjet e tyre që kanë. Nuk e bëj këtë shkrim për vete por po të them sinqerisht: kthej sytë dhe gjithë vëmendjen e duhur nga shqiptarët, kontrolloni shërbimet mos i merrni të mirëqena ato qe ju thonë. Informoj njerëzit e mi të dashur që ndihem më i lehtësuar nga gjendja fillestare, jam mirë me shëndetin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:01
U dërgua me urgjencë te Infektivi, stabilizohet gjendja e deputetit

Report Tv mëson se gjendja e deputetit Adriatik Alimadhi paraqitet e stabilizuar. Pasdite ai u dërgua me urgjencë te Infektivi në QSUT, por ndërhyrja dhe ndihma e mjekëve ka bërë që gjendja shëndetësore të stabilizohet. Deputeti Alimadhi vuan dhe nga sëmundje shoqëruese, hepatit kronik. Kjo ka qenë dhe arsyeja e shtrimit në spitalin Infektiv. Është në gjendje të stabilizuar por mjeket e kanë vlerësuar për shtrim në spital.

Ora 17:59
Rëndohet gjendja, dërgohet me urgjencë te Infektivi deputeti Adriatik Alimadhi

Pasditen e sotme kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi është transportuar drejt Infektivit pasi gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar, pasi është i prekur me koronavirus. Deputeti u dërgua për ndihmë më të specializuar. Lajmin se ishte infektuar ai e njoftoi vetë ditën e sotme.