TIRANE - Varfëria dhe fëmija i sëmurë ka detyruar një 28-vjeçar të vishet si punonjësi i bashkisë së Tiranës dhe të vjedhë kabujt elektrikë në rrugë. Më pas këta kabuj ai i shiste dhe të ardhurat që fitonte nga kjo veprimtari i çonte në familje, për gruan dhe fëmijën e sëmurë. Mirëpo 28-vjeçari  Vilson Margjini është pikasur nga policia dhe është arrestuar teksa këpuste telat në Rrugën e Dibrës dhe më pas është arrestuar në flagrancë nga polcia. Sipas materialit referues Margjini mbante të veshur një jelek të bashkisë së Tiranës, duke u hequr si punonjës i këtij institucioni. Jelekun ai e përdorte për maskim, në mënyrë që mos kallëzohej nga qytetarët apo mos ndalohej nga policia. Gjykata e Tiranës e ka dënuar Vilson Margjinin me 6 muaj burg.

Njoftimi
Me datën 02.10.2015, rreth orës 09.50’, nga patrulla e policisë me kodin 53/44- të Komisariatit të policisë Nr. 4 Tiranë, është bërë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit Vilson Margjini i cili po kryente veprën penale të vjedhjes së linjës elektrike të ndriçimit rrugor në rrugën e “Dibrës”. Gjatë kontrollit shtetasit Vilson Margjini i është gjendur një çantë ku brenda saj kishte vegla pune si  kaçavida, çekiç, një jelek punë nga ato që përdornin punonjësit e bashkisë gjatë kryerjes së detyrës. Nga ana e punonjësve të policisë me proçesverbalin e datës 02.10.2015, është dokumentuar kapja në flagrancë të shtetasit Vilson Margjini,ku është pasqyruar fakti se mbi bazën e njoftimit të punonjësit të bashkisë Përparim Zylyftari, i cili i ka njoftuar se një shtetas po tërhiqte një kabull elektrik në rrugën e Dibrës afër farmacisë nr 10 në Tiranë, është shkuar në vend ngjarje dhe është kapur në flagrancë shtetasi i identifikuar me emrin Vilson Margjini, i cili në momentin që ka parë punonjësit e policisë është mundur të largohej nga vendi i ngjarjes, duke lënë në tokë kabullin elektrik me njgyrë të bardhë, me një gjatësi rreth 30 metra.

Personi që u kap nga pyetja që i bëri policia pranoi faktin se kishte vjedhur ditë më parë përsëri kabullin e ndricimit elektrik të kësaj zone. Policia gjyqësore me datën 02.10.2015, ka marrë deklarime nga shtetasi Vislon Margjini me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet. Nga ana e këtij shtetasi ndër të tjera deklarohet se:*..Jetoj me qera në rrugën “Mihal Grameno” Tiranë së bashkë me familjen gruan dhe djalin 2 vjeçarë. Kam kohë që jam pa punë, dhe djalin tim 2 vjeç e kam të sëmurë. Këto ditë mu desh patjetër që të blija ilaçe për djalin, dhe nuk po gjeja punë, kështu vendosa të merrja kabujt e ndriçimit elektrik të shtyllave të ndriçimit në rrugën e Dibrës, të cilat ndodheshin të futura brenda në puseta, të futura dhe në tuba. Kam hapur pusetat dhe kam prerë kabujt duke i nxjerrë me tërheqje. Kështu kam vepruar në dy puseta. Ka ardhur policia e cila më ka kapur në flagrancë, ku kisha veshur dhe një jelek punë, të cilin e kisha gjetur. Me vete kisha një çantë me vegla punë si kaçavida etj .Unë para dy javëve kam marrë përsëri kabull elektrik në të njëjtin vend si sot, por në puseta të ndryeshme. Këto kabuj, pasi i kam zhveshur, kam marrë telat dhe i kam shitur për bakër një shtetasi me emrin Gysi, ku mbiemrin nuk ja di, duke ja shitur 700 lekë të reja. Kam vjedhur vetëm dy herë, nga halli.

Redaksia Online
Shqiptarja.com