Pas më shumë se 1 jave nga transferimi në burgun e Fierit më 28 tetor, kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj, thotë se vetëm më 6 nëntor, i është bërë një ekzaminim mjekësor, për gjendjen në këmbën që kishte thyer kur ndodhej në paraburgimin e Durrësit

Sipas Veliajt, vonesa për të bërë një grafi, është bërë shkak për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, dhe se mjekët e spitalit memorial të Fierit, i kanë thënë se duhet të bëjë një ndërhyrje kirurgjikale

Situatën Veliaj ia ka bërë të ditur avokatit të tij Plarent Ndreca, i cili i kontaktuar nga Report Tv, tha se ka njoftuar zyrtarisht me e-mail edhe burgjet.

Emaili i Plarent Ndrecës dërguar Burgut të Fierit dhe për dijeni drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve më 6 nëntor

Pas kërkesave tona të përsëritura për sigurimin e ekzaminimit mjekësor të z. Erion Veliaj, sot, më në fund, në Spitalin e Burgut është paraqitur mjeku Flamur Kadriu, i cili ka ekzaminuar gjendjen e këmbës së klientit tim.

Gjatë vizitës, mjeku ka konstatuar se gjendja shëndetësore kërkon ndërhyrje urgjente dhe se ekzaminimi duhej të ishte kryer shumë ditë më parë. Ai ka evidentuar problematika të ndjeshmërisë së këmbës dhe ka rekomanduar realizimin urgjent të një ekzaminimi radiografik, për të vlerësuar ecurinë e rikuperimit të saj, ndërkohë që klienti im vazhdon të mbajë çizmen ortopedike prej disa javësh.

Në këto rrethana, kërkoj marrjen e menjëhershme të të gjitha masave të nevojshme që ekzaminimi radiografik i rekomanduar nga mjeku të realizohet jo më vonë se dita e nesërme, duke garantuar edhe vlerësimin e mëtejshëm nga mjeku specialist mbi bazën e rezultateve.

Ju bëj të qartë se çdo vonesë e mëtejshme, pavarësisht konstatimeve dhe rekomandimeve të mjekut, do të përbënte një mosveprim për të cilin autoritetet përgjegjëse duhet të japin llogari.

Çdo dëmtim apo përkeqësim i gjendjes shëndetësore të klientit tim, që mund të vijë si pasojë e mosveprimit tuaj, do të ngrejë çështjen e përgjegjësisë personale civile dhe penale të secilit prej autoriteteve që vihet në dijeni të këtij komunikimi dhe që ka kompetencë për të ndërhyrë.

Theksoj se ekzistojnë arsye serioze për të kërkuar shqyrtimin e lidhjes shkakësore ndërmjet gjendjes aktuale shëndetësore të klientit tim dhe veprimeve apo mosveprimeve të deritanishme të autoriteteve përgjegjëse, përfshirë verifikimin nëse vonesat kanë qenë të qëllimshme.

Mos lejoni që vonesat e deritanishme të thellojnë më tej pasojat shëndetësore për klientin tim. Ai gëzon të drejtën e kujdesit shëndetësor në kohë dhe të përshtatshëm, ndërsa ju keni detyrimin ligjor dhe institucional për t’ia garantuar atë.

Pres konfirmimin tuaj të menjëhershëm, me shkrim, për masat e marra dhe orarin e realizimit të ekzaminimit të kërkuar.

Sipas Ndrecës, mjeku që e vizitoi vetëm të premten, tha se gjendja aktuale shëndetësore e Veliaj kërkon ndërhyrje urgjente dhe se ekzaminimi duhej të ishte kryer shumë ditë më parë. Në e-mail, Ndreca referon se do të ndjekë rrugë ligjore nëse nuk ndërhyhet në kohë.

Avokati shkoi vetë këtë të shtunë në Spitalin Memorial të Fierit për të marrë dokumentacionin në mënyrë që të konsultohet me mjekët specialistë në Tiranë pasi gjendja e këmbës së thyer sipas tij, rrezikon të prekë edhe ecjen.

“Këmba nuk është pastruar dhe si rrjedhojë nuk është ngjitur dhe kërkohet ndërhyrje urgjente. Kjo situatë nuk duhet të shkonte deri këtu. Çdo i paraburgosur ka të drejta bazike dhe të garantuara nga Kushtetuta dhe nga ligji, dhe ka të drejtë të trajtohet nga pikëpamja mjekësore menjëherë sapo ta kërkojë . Është e rrezikshme për rikuperimin dhe pasojat në vijim të ecjes së Veliajt, ka një problematikë me ndjeshmërinë e këmbës dhe për rrjedhojë duhet të shihet menjëherë nga specialistët që mos të ketë pasoja të tjera të parikuperueshme”, tha Ndreca.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:25
Përkeqësimi i këmbës së Veliajt, avokati: Situatë urgjente, e rrezikshme për rikuperimin e kryebashkiakut! Skandaloze neglizhenca e institucioneve (VIDEO)

Nga Spitali Memorial i Fierit, avokati Plarent Ndreca ka pohuar se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka nevojë për ndërhyrje urgjente pas vlerësimit të gjendjes shëndetësore nga një mjek turk.

“Këmba nuk është pastruar dhe si rrjedhojë nuk është ngjitur dhe kërkohet ndërhyrje urgjente. Kam ardhur për të marrë dokumentacionin që të konsultohem me mjekët specialistë në Tiranë, por nuk po mundem ta siguroj. Situata është urgjente, i kam çuar email edhe Drejtorisë së Burgjeve dhe drejtorit të IEVP Fier”, ka thënë Ndreca, teksa ka theksuar se kjo është një situatë skandaloze për shkak të neglizhencës së institucioneve, çka ka sjellë përkeqësimin e situatës së këmbës.

“Kjo situatë nuk duhet të shkonte deri këtu. Çdo i paraburgosur ka të drejta bazike dhe të garantuara nga Kushtetuta dhe nga ligji, dhe ka të drejtë të trajtohet nga pikëpamja mjekësore menjëherë sapo ta kërkojë”, ka theksuar avokati.

Lidhur me shëndetin e kryetarit të Tiranës, Ndreca shprehet së në këmbë ka një problematikë me ndjeshmërinë që mund të krijojë pasoja nëse nuk trajtohet me urgjencë.

“Është e rrezikshme për rikuperimin dhe pasojat në vijim të ecjes së Veliajt, ka një problematikë me ndjeshmërinë e këmbës dhe për rrjedhojë duhet të shihet menjëherë nga specialistët që mos të ketë pasoja të tjera të parikuperueshme”, tha Ndreca.