TIRANE- Me urdhër të drejtorit të Policië së Shtetit u përjashtuan nga radhët e policisë, dy efektivë, njëri me gradë drejtues e tjetri me gradë komisar, të cilët në vitin 2020 ndërsa kishin funksione drejtuese në Policinë e Lezhës bashkëpunonin me anëtarë të grupeve kriminale për të organizuar dhe drejtuar kultivimin e kanabisit por dhe të lojrave të fatit.
Bëhet fjalë për Henerigert Mitrin, i cili në 2020 në Lezhë ka pasur detyrën e Drejtorit të Policisë së Lezhës dhe Klodian Shahini, atë vit ka pasur detyrën e shefit të Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
"Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, firmosi masën disiplinore “përjashtim nga policia” për dy punonjës, për të cilët Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masë sigurimi personal. Përjashtimi i tyre nga Policia e Shtetit është bërë për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskretituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave të policisë dhe mosbindje të rëndë" informoi sot policia e Shtetit.
Dy emrat e tyre u zbuluan më 18 maj, në kuadër të megaoperacionit që SPAK ndërmori për shkatërrimin e 7 grupeve kriminale që vepronin në qytete të rëndësishme të vendit.
Sipas SPAK.Mitri me Shahinin dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës, ndërsa në bashkëpunim me Pëllumb Gjokën, Mitri organizonte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës.
Jo vetëm kaq Klodian Shahini, me detyrë me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal ndihmonte shtetasin Edison Reçi, duke i dhënë informacion në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e shtetasit Preng Gjini.
Po kështu dy zyrtarët e policisë kanë bashkëpunuar me vëllain dhe kushëririn e deputet Eduard Ndreca, Armando dhe Elvis Ndreca, duke i favorizuar në kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Kashnjetit. Veprimtaria e tyre i zbuluar nga zbardhja e komunikeve në Sky.
Aktualisht Mitri kishte detyrën e shefit të sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike. Ndërsa Shahini kishte detyrën e shefit të Seksionit të Policimit në Komunitet dhe Shërbimit ndaj të Tretëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë, Dibër,
Përjashtimi
Bazuar në ligjin 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, u vendos përjashtimi nga policia për:
Drejtues Henerigert Mitrin, me detyrë shef i Sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike, pasi më datë 15.05.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 283/1, 28/4, 333/a/1, 334, 259, 197/3 dhe 248 të Kodit Penal.
Komisar Klodian Shahini me detyrë shef i Seksionit të Policimit në Komunitet dhe Shërbimit ndaj të Tretëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë, Dibër, pasi më datë 15.05.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80, 284, 28/4, 333/a/1 e 334 të Kodit Penal.
Pas firmosjes së urdhrave të përjashtimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, u shpreh:
“Në radhët e Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend për askënd që shkel ligjin dhe, më keq akoma, bashkëpunon me grupet kriminale. Falënderoj Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit për bashkëpunimin profesional në përpjekjet e përbashkëta për goditjen e krimit të organizuar dhe vënien përpara drejtësisë të kujtdo që tenton t'i shmanget asaj”.
Emrat e dy efektivë rezultojnë në mesin e 50 emrave pjesë e megaoperacionit të SPAK për të goditur shtatë grupe kriminale me shtrirje gjeografike në qytetet kryesore të Shqipërisë. Në kuadër të operacionit të ndërmarrë më 17 maj rezultojnë 20 persona të arrestuar nga 50 urdhëarreste të firmosura nga SPAK.
Lajmi kryesor: