Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në takimin ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe kryetarët e bashkive në vend, theksoi se bashkitë duhet ta shohin veten me "sy sipërmarrësi" duke rritur bashkëpunimin me institucionet e tjera dhe me biznesin.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj tha se taksat dhe tarifat janë një element. Paketa e Maleve është një mundësi e jashtëzakonshme për të nxitur zhvillimin e investimeve në bashkitë që mbuloni. Një tjetër formë se si mund të krijohen të ardhurat janë sha.a-të. Kemi folur për sh.a-të e përbashkëta mes bashkive dhe sektorit privat. Kemi folur për mundësinë që disa prej jush të krijonit ndërmarrje për të menaxhuar tregjet apo pika grumbullimi”, tha ajo.
Ministrja Ibrahimaj shtoi se 10 bashki janë financuar nga AZHBR për të ngritur tregjet, që edhe kjo është një formë që gjeneron të ardhura duke i dhënë akses të gjithë prodhimit bujqësor apo blegtoral që ndodhet në sipërfaqet që bashkitë mbulojnë.
Sipas Ministres Ibrahimaj, një tjetër formë është një bashkëpunim trepalësh, Bashki-QTTB-biznes si mundesi për të rritur potencialin bujqësor.
Një aspekt thelbësor që Ministrja Ibrahimaj theksoi në fjalën e saj ishte dhe përfshirja e Bankës Shqiptare të Zhvillimit në plotësimin e nevojave për financime.
" Ne po operacionalizojmë Bankën Kombëtare të Zhvillimit, e cila qëllimin kryesor ka pasur financimin e zhvillimit në pushtetin lokal, ku financimi është më i ulët. Duke pasur një plan të qartë në pesë bashki pilot, do të bëjmë që brenda këtij viti të financojmë këto projekte pilote”, tha Ibrahimaj.
Ibrahimaj theksoi se ka një instrument financues që është në dispozicion të biznesit, por edhe shoqërive ku pjesëmarrës është edhe shteti, dhe kjo është Banka e Shqipërisë që sipas ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, ka vendosur në dispozicion një fond prej 250 milionë eurosh me qëllim financimin e biznesit me kosto të ulët.
“Qeveria ka venë në dispozicion një garanci sovrane e cila mbulon pjesën më të madhe të riskut që të mos vendoset një kolateral i madh. Duhet të përqendrohemi të gjenerimi i të ardhurave pasi jo çdo gjë varet nga Buxheti i Shtetit. E rëndësishme është që të gjejmë instrumente se si këtë rritje ekonomike ta mbajmë me po të njëjtat ritme”, pohoi Ibrahimaj
Komente










