Shpëtim Idrizi thotë se çdo shqiptar duhet t’i bashkohet protestës së 16 shkurtit. Lideri i PDIU, nënvizon se populli duhet të bashkohet për të përmbysur qeverinë Rama. Ai apelon për zgjedhje të parakohshme pasi sipas tij Shqipërisë i duhet një alternativë tjetër. “Unë ju ftoj të gjithëve, simpatizantë të PDIU-së dhe çdo shqiptar, që të bashkohemi në protestën e opozitës në 16 shkurt. Vendi ka nevojë për zgjidhje politike, nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme dhe qeveri tranzitore“, shprehet Idrizi.  

Edhe një ditë më parë gjatë takimit me strukturat e PDIU të Tiranës, Idrizi bëri thirrje për protestë masive javën e ardhshme, ndërsa akuzoi Ramën se po detyron shqiptarët të largohen nga vendi i tyre. Kërkesa e opozitës, tha Idrizi, është ajo për krijimin e një qeverie tranzitore dhe përgatitjen e vendit për zgjedhje të parakohshme. "Të bësh zgjedhje të parakohshme është zgjidhje politike, për të vërtetuar se kush janë ata që besojnë shqiptarët. Zgjedhjet e parakohshme duhen bërë me një qeveri tranzitore, e cila të mundësojë, jo marrjen e pushtetit në tavolinë nga opozita. Këtë neve e refuzojmë kategorikisht. Po jo zgjedhje me njeriun që vodhi dhe programoi kanabizimin e Shqipërisë dhe sigurisht që ne për herë të parë kemi nevojë të zgjedhim. Kjo është arsyeja që unë ju ftoj të gjithëve, simpatizantë të PDIU-së dhe çdo shqiptar, që të bashkohen në protestën e opozitës në 16 shkurt. E të gjithë bashkë të mundësojmë që Shqipëria t'i rikthehet normalitetit” - u shpreh Idrizi, i cili gjithashtu akuzoi Ramën se po sulmon PDIU-në.