U arrestua 3 vite më parë në operacionin “Ikona” dhe u dënua me 4 vite e 8 muaj burg për vjedhje e veprave të artit, Gjergji Thimo i drejtohet Gjykatës së Lartë duke kërkuar pafajësinë.

Kërkesa e Thimos është depozituar pak kohë më parë pranë Kolegjit Penal kjo pasi Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzoi pretendimet e Thimos për pafajësi dhe kthim të koleksionit që ai dispononte.

Sipas Gjykatës së Apelit e cila më 30 Shtator 2015 është shprehur me vendim se hetimet ndaj Thimos janë kryer të plota dhe dënimi i tij ka qenë i bazuar në ligj nga Gjykata Penale e Shkallës së Parë.

Ende Gjykata e Lartë nuk ka nxjerrë një datë se kur do të marrë në shqyrtim kërkesën e Gjergji Thimos ndërsa rezulton se ai tashmë ka kryer më shumë se gjysmën e dënimit prej 4 vite e 8 muaj.

Thimo u prangos së bashku me ish-shokun e tij Arben Sapho ndërsa policia mundi t'i sekuestroj atyre një sasi të konsiderueshme piktura, vepra arti dhe antikuarte të cilat rezultonin të vjedhura.

Më 16 qershor 2014 Gjergji Thimo u dënua më 7 vite burgim nga Gjykata Penale e Tiranës por në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar ndaj tij u reduktua në 4 vite e 8 muaj.

Redasia Online
XH.K/shqiptarja.com