Ministri i Drejtësi Ylli Manjani nxjerr urdhër për hetim administrativ lidhur me sqarimin e situatës së pronësisë mbi truallin në Gjirin e Lalzit,ku do të investonte shoqëria OMNIX. Mësohet se Manjani urdhëroi mbledhjen e informacionit zyrtar nga arkiva e Agjencisë së Trajtimit të Pronës (ATP). Informacion do t'i kërkohet edhe ZVRPP Durrës.

Urdhri parashikon nisjen e inspektimit për sqarimin e legjitimitetit të vendimeve të gjykatës së Durrësit. Konkluzionet e hetimit administrativ do të bëhen të ditura në përfundim të procedurave ligjore. Zhvillimet vijnë pas ngjarjes së rëndë që i ndodhi biznesmenit libanez Faadi Mitri që u sulmua me shkop bejsbolli pak ditë më parë në Tiranë, i cili u tërhoq nga investimi i një resorti gjigand që do të bënte në Gjirin e Lalzit. Mitri la dy ditë më parë Shqipërinë së bashku me familjen duke u larguar me barelë nga spitali në drejtim të aeroportit të Rinasit.

Padia e trashëgimtarit Pal Seçunit
Një pjesë e sipërfaqes së tokës ku do ndërtohet resorti nga kompania e Faad Mitrit, pretendohet nga Pal Seçuni se i takon atij, pasi ai rezulton të jetë trashëgimtar i babait të tij Hill Seçuni. 71 vjeçari Pal Seçuni ka paditur bashkinë e Durrësit, duke kërkuar prej saj ti njohë sipërfaqen e tokës prej 45 mijë metra katrorë që ndodhet në fshatin Dajç të komunës Ishëm.

Çështja gjyqësore i ka rënë kryegjyqtares së Durrësit Joana Qeleshi, kjo e fundit një punonjëse dikur pranë zyrës juridike të Argita Malltezit, vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha. Pas zhvillimit të dhjetëra seancave gjyqëosre,dëgjimin e dëshmitarëve dhe njohjen me aktin e ekspertimit të ekspertit Kalo Xhuvani, në 25 mars 2016 gjyqtarja Qeleshi ka vendosur të pranojë kërkesë padinë e 71-vjeçarit duke detyruar bashkinë Durrës dhe hipotekën e këtij qyteti që ti njohin pronësinë.

Në fakt ky vendim është bërë “molla e sherit”, pasi persona që qëndrojnë prapa shpinës së 71-vjeçarit në këtë sipërfaqe kanë ndërtuar dhe një lokal druri, të cilin e shfrytëzojnë për qëllime biznesi. Por kjo nuk është synimi i tyre, pasi nëpërmjet firmave të ndërtimit, ata kërkojnë ngritjen e vilave apo hoteleve në këtë zonë. Nga ana tjetër qeveria dhe bashkia e Durrësit ka miratuar lejën për kompaninë “Omnix Albania”, duke pretenduar se toka në Gjirin e Lalzit është shtetore dhe jo private.

Mirëpo të kundërtën e kësaj ka vendosur gjyqtarja Qeleshi, e cila me vendimin e saj e ka future në një spirale pa zgjidhje këtë çështje. Në asnjë rresht të vendimit, nuk përmendet statusi ligjor i asaj prone publike, madje as vendimet e institucioneve shtetërore për zhvillimin e kësaj prone. Shoqëria “Omnix Albania” kishte bërë gati nisjen e punimeve në ditët e para të muajit Tetor dhe kjo ka bërë edhe me agresiv dhe të dhunshëm njerëzit që e pretendojnë këtë pronë, tashmë të njohur dhe me vendim gjykate.

Statusi i pronës
Në asnjë rresht të vendimit, nuk përmendet statusi ligjor i asaj prone publike, madje as vendimet e institucioneve shtetërore për zhvillimin e kësaj prone.

Largimi
Faad Mitri la dy ditë më parë Shqipërinë së bashku me familjen duke u larguar me barelë nga spitali në drejtim të aeroportit të Rinasit.
 
Investimi 450 mln euro
Omnix Albania, kompania e Mitritt do të investonte 450 milionë euro tek Gjiri i Lalzit. Sipas kompanisë Omnix, projekti e shndërronte Shqipërinë në një nga destinacionet kryesore turistike në Ballkan dhe do të kontribuonte në rritjen ekonomike të vendit. Por dhjetë ditë më parë, disa persona dhunuan fizikisht presidentin e Omnix Fadi Mitri.

Policia ka arrestuar një prej autorëve dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, ndërkohë që motivi i sulmit dyshohet se ka lidhje pikërisht me investimin e kompanisë në Lalëz dhe çështjen e pronësisë.
 
manjani urdher

manjani urdher
(Urdhërat e Manjanit drejtuar Hipotekës dhe Gjykatës së Durrësit)

(d.b/Shqiptarja.com)