TIRANË- Për të katërtën ditë radhazi, deputetja e Shkodrës Marjana Koçeku mungon në Parlament. Edhe këtë të mërkurë, vendi i saj në Komisionin për Politikën e Jashtme, ku mban edhe detyrën e sekretares, mbeti bosh.

Ndërsa kolegët e saj mblidheshin në sallë, Koçeku zgjodhi sërish rrjetet sociale për të komunikuar. Pak minuta para nisjes së mbledhjes, ajo publikoi një mesazh, i cili nuk u drejtohej qytetarëve por Bajrave, një emër i njohur për problemet e panumërta me ligjin, duke lënë të kuptohet se ishte kërcënuar prej tyre. Koçeku shkruan se nëse familjes së saj i preket qoftë edhe një fije floku, do ta shkatërrojë bandën e Bajrave.

"Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, shkroi Koçeku.

Përmbajtja e mesazhit është e pazakontë. Deputetja ka zgjedhur të përdorë gjuhën e forcës, dhe të shmangë denoncimin në polici. Deri në orët e pasdites, në policinë e Shkodrës nuk kishte asnjë akt të depozituar prej saj. Për Report TV, drejtori i Përgjithshëm i policisë Skënder Hita tha se: “Policia është në mbrojtje të jetës të cdo personi. Është detyrim ligjor të mbrojmë jetën dhe pronën e qytetarëve.  Në bazë të kërcënimit dhe rrezikut, do bëhet edhe vlerësimi i mbrojtjes. Por denoncim konkret nuk ka në polici.”

Ashtu si në ditët e fundit, pas publikimit të mesazhit, telefoni i deputetes rezulton i fikur, duke qenë e paarritshme për mediat. Përmes avokatit të tyre, anëtarë të familjes Bajraj e konsideruan deklaratën një sulm publik ndaj tyre dhe paralajmëruan ndjekje ligjore. Për shkak të statusit të Koçekut si deputete, çdo kallëzim penal do të duhet të depozitohej në SPAK.

"Gjuha e përdorur në reagimin e saj publik nuk kontribuon në debatin demokratik dhe as në informimin e publikut, por krijon një klimë tensioni dhe paragjykimi ndaj personave të përmendur, duke synuar dëmtimin e reputacionit të tyre dhe të familjeve të tyre”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, në sallën e Komisionit të Jashtëm, opozita u solidarizua me deputeten. Albana Vokshi tha se pretendimet për kërcënime ndaj një deputeteje janë alarmante për sigurinë publike dhe shtetin ligjor.

"Nëse krimi i organizuar është në gjendje të ushtrojë kërcënime ndaj një deputeteje, një gruaje, atëherë çfarë ndodh me qytetarin e thjeshtë?", tha Vokshi.

Nga mazhoranca reagimi i parë ishte më i ftohtë. Deputeti socialist Igli Hasani, i cili tha se kushdo që ndihet i kërcënuar duhet t’i drejtohet Policisë së Shtetit dhe se deklaratat në Instagram nuk janë punë e PS.

"Kushdo që ndihet i kërcënuar duhet t’i drejtohet Policisë së Shtetit. Se kush zgjedh Instagramin për të bërë deklarata, kjo nuk është puna ime”, tha Hasani.

Zhvillimet vijnë vetëm pak ditë pasi Koçeku njoftoi largimin nga grupi parlamentar i PS. Më 14 qershor, përmes rrjeteve sociale, ajo shpalli shkëputjen nga shumica që e çoi në Kuvend. Një ditë më pas, deputetja publikoi simbolin e flamingos, tashmë të lidhur me protestat që prej javësh po zhvillohen në vend.

Mesazhet vijuan më pas me tone edhe më politike. Në një postim, Koçeku u shfaq duke u lutur në një kishë, ndërsa në një tjetër sfidoi hapur kryeministrin Edi Rama, duke kërkuar shpërndarjen e Parlamentit dhe zgjedhje të reja.

Në kampin socialist reagimet nuk munguan. Zëra të ndryshëm i kërkuan deputetes të dorëzonte mandatin, me argumentin se ai është fituar nën siglën e Partisë Socialiste. Megjithatë, sipas burimeve nga parlamenti, deri tani në Kuvend nuk ka mbërritur asnjë shkresë zyrtare nga Marjana Koçeku për largimin nga grupi parlamentar apo kalimin e saj në statusin e deputetes së pavarur.

Postimi i Marjana Koçekut

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:58
Deklaratat e Koçekut për grupin e Bajrave, Berisha: Kërcënimet të dënueshme, Rama njeh vetëm ligjin e mafies

1781688655_saliberisha.jpeg

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar pas postimit të deputetes Marjana Koçeku, e cila la të kuptohet se është kërcënuar nga grupi i Bajrave nga Shkodra. Berisha thotë se Koçeku është kërcënuar nga Rama pas largimit të saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

“Kërcënimet e Edi Ramës janë të dënueshme. Kërcënimet që i janë bërë deputetes Koçeku janë absolutisht të dënueshme.  Tregon edhe një herë ligjin e mafies. Tregon se këtu ai ka vetëm një ligj, ligjin e mafies. Ndaj dhe përsëris thirrjen time: të gjithë, i madh e i vogël, sepse atje ka edhe fëmijë, edhe të rinj, shumë bukur, sepse është paqësore, është festive, të gjithë në protestë", tha Berisha.

Ora 13:56
Deklaratat e Koçekut ndaj grupit të Bajrave, kryepolici Hita për Report Tv: Nuk ka denoncim në polici, detyrim ligjor të mbrojmë jetën e çdo personi

1780312114_skenderhita.jpg

Kryepolici Skënder Hita thotë për Report Tv se deputetja Marjana Koçeku nuk ka bërë asnjë kallëzim në polici, i pyetur pas mesazhit të saj në rrjetet sociale kundrejt grupit kriminal të Bajrave.

“Policia është në mbrojtje të jetës të cdo personi. Është detyrim ligjor të mbrojmë jetën dhe pronën e qytetarëve. Në bazë të kërcënimit dhe rrezikut, do bëhet edhe vlerësimi i mbrojtjes. Por denoncim konkret nuk ka në polici”, tha Hita në një deklaratë për Report Tv.

Ora 12:55
PS reagon pas deklaratës së Koçekut për Bajrat: Nëse ndihet e kërcënuar, t’i drejtohet Policisë! Reagimet në Instagram s’janë puna jonë

1781693088_komisioniprevropndhepuntejashtme.png

Deputetja Marjana Koçeku ka munguar në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, por deklarata e saj drejtuar grupit kriminal të Bajrave është bërë çështje diskutimi. Ishte deputetja e PD, Albana Vokshi e cila ngriti pyetjen se çfarë garancie kanë qytetarët e thjeshtë kur krimi i organizuar kërcënon një deputete.

“Nëse krimi i organizuar është në gjendje të ushtrojë kërcënime ndaj një deputeteje, një gruaje, atëherë çfarë ndodh me qytetarin e thjeshtë. Çfarë garancie kanë qytetarët e zakonshëm, dhe ky nuk është problem vetëm i rendit publik, por është një çështje që prek drejtpërsëdrejti integrimin e BE”, tha Vokshi.

Përgjigjen e mori nga kryetari i Komisionit, Igli Hasani, i cili është edhe reagimi i parë i PS për këtë çështje. Hasani tha se kushdo që ndihet i kërcënuar duhet t’i drejtohet Policisë së Shtetit dhe se reagimet në Instagram nuk janë punë për to.

“Kushdo që ndihet e kërcënuar, kushdo që ka indicie duhet t’i drejtohet organeve, Policisë së Shtetit, nëse ka edhe një indicie. Se kush zgjedh instagramin për të bërë deklarata, kjo nuk është puna ime fare. Duhet ti drejtohen policisë së Shtetit”, tha Hasani.

Ora 12:17
Marjana Koçeku u kërcënua? Reagon avokati i familjes Bajri: S’ka prova, është sulm i drejtpërdrejtë dhe po krijon klimë tensioni

1781518760_marjanakoeku.png

Pas statusit publik të deputetes Marjana Koçeku, avokati i familjes Bajri, ka reaguar duke thënë se deklarata e saj është e pabazuar në prova dhe se është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj reputacionit të personave që ajo i referohet.

AVOKAT SOKOL TAHIRAJ:

Në lidhje me deklaratat e bëra publikisht nga deputetja Marjana Koçeku, të cilat përmendin klientët tanë dhe i referohen atyre me etiketime denigruese e paragjykuese, ndjejmë detyrimin të sqarojmë opinionin publik se këto deklarata janë të pabazuara në prova dhe përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj dinjitetit, reputacionit dhe të drejtave themelore të personave që ne përfaqësojmë.

Në një shtet të së drejtës, askush nuk mund të shpallet fajtor apo të etiketohet publikisht mbi bazën e deklaratave politike, perceptimeve personale apo insinuatave mediatike. Çdo pretendim për përgjegjësi penale duhet të mbështetet në prova dhe të vlerësohet vetëm nga organet kompetente të drejtësisë, e jo nga deklarata publike me karakter denigrues.

Deklaratat e deputetes, të cilat përmendin klientët tanë në një kontekst kërcënues dhe stigmatizues, cenojnë parimin e prezumimit të pafajësisë, të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Për më tepër, gjuha e përdorur në reagimin e saj publik nuk kontribuon në debatin demokratik dhe as në informimin e publikut, por krijon një klimë tensioni dhe paragjykimi ndaj personave të përmendur, duke synuar dëmtimin e reputacionit të tyre dhe të familjeve të tyre.

Për këto arsye, po shqyrtojmë me seriozitet të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e interesave të klientëve tanë, përfshirë kallëzimet pranë organeve kompetente dhe ndjekjen e procedurave ligjore për çdo deklaratë që rezulton e pavërtetë, shpifëse apo cënuese të të drejtave të tyre.

Ftojmë zonjën Koçeku që, nëse disponon prova konkrete për çdo pretendim të bërë publikisht, t’i paraqesë ato pranë institucioneve përgjegjëse sipas ligjit dhe jo të zhvillojë gjyqe publike në media apo rrjete sociale.

Klientët tanë do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtat e tyre me mjetet që garanton ligji, ndërsa ne, si përfaqësues ligjorë, do të reagojmë ndaj çdo përpjekjeje për t’i dëmtuar ata përmes deklaratave të pabazuara dhe denigruese.

AVOKAT SOKOL TAHIRAJ

Përfaqësues Ligjor