Pas përfundimit të procesit të administrimit të deklaratave të interesave private, pas regjistrimit të tyre, si dhe pas verifikimeve në institucionet përkatëse ku zyrtarët ushtrojnë funksionet e tyre, u konstatuan 17 të tillë të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratën “Para Fillimit në Detyrë” dhe “Periodike/Vjetore” për vitin 2014.
Më 2 maj ILDKPKI ka publikuar një listë me 304 ish-zyrtarë të cilët pas largimit nga funksioni nuk kanë bërë deklarimin e pasurisë në përputhje me ligjin. ILDKPKI. Përmes njoftimit zyrtar të 2 majit është publikuar dhe lista e plotë me 304 ish-zyrtarë ku theksohet se nëse nuk deklarohet pasuria deri më 10 Maj do të ketë sanksione dhe gjoba.
Lista e zyrtarëve të gjobitur
01- Gjergji Bakallbashi, drejtor në Bashkinë Tiranë
02- Fatmir Neza, drejtor varësie në Bashkinë Tiranë
03- Dode Mehmetaj, drejtor rajonal sh.k.punësimit
04- Albert Kasi, drejtor ministria e kulturës
05- Leonard Kastrati , ndihmës i presidentit
06- Artan Murati, drejtor i spitalit rajonal Dibër
07- Armando Mamani, drejtor spitali në Gjirokastër
08- Remzi Haxhiu, drejtor spitali Vlorë
09- Etjen Xhafaj, drejtor kabineti në Min.Ekonomisë
10- Jolanda Vasili, doganier
11- Roni Shqopa, drejtor i shtëpisë së pushimit në Min.Brendshme
12- Silvana Maksuti kryeinspektore për ISHP në Durrës
13- Ylli Kupi, kryetar i Komunës Petrelë Qarku Tiranë
14- Xhevahir Bilja, kryetar i Komunës Cudhi Qarku Tiranë
15- Hakik Gjokola kryetar komune komuna Lurë Qarku Dibër
16- Arben Ndoi doganier për kontrollin dokumentar
17- Ermal Topalli, drejtor në Min.Transportit dhe Infrastrukturës
NJOFTIMI I PLOTE I ILDKPKI
"Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave vijon punën për rakordimin e subjekteve deklarues në të gjitha institucionet publike, në nivel qëndror dhe lokal në vendin tonë. Pas përfundimit të procesit të administrimit të deklaratave të interesave private, pas regjistrimit të tyre, si dhe pas verifikimeve në institucionet përkatëse ku këto subjekte ushtrojnë funksionet e tyre publike, u konstatuan 17 zyrtarë të niveleve të ndryshme të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratën e interesave private “Para Fillimit në Detyrë” dhe “Periodike/Vjetore” për vitin 2014.
Në zbatim të nenit 40, pika 1/a të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, sipas të cilit “Për mosdeklarim periodik apo me kërkesë, në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrim për deklarim, dënohet me gjobë nga 50.000 (pesëdhjetë mijë) Lekë deri në 100.000 (njëqind mijë) Lekë”, Inspektori i Përgjithshëm, përmes Vendimeve të posaçme, vendosi masën administrative “gjobë” për subjektet deklarues që rezultuan të mos kenë dorëzuar deklaratën e interesave private.
Në lidhje me masën administrative të zbatuar ndaj secilit subjekt, Inspektorati i Lartë ka njoftuar zyrtarin, subjekt deklarimi, si dhe institucionin epror.
Në zbatim të politikave korrekte institucionale, Inspektorati i Lartë u bën me dije subjekteve deklarues, që në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, pas marrjes së masës administrative, subjekti konsumon elementë të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal. Në çdo rast, Inspektorati i Lartë do të vijojë me ndjekjen e çdo rasti për të cilin u aplikua masa administrative gjobë, deri në paraqitjen e kallëzimit penal pranë organit të akuzës."
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)