Në debatin publik përdoret shpesh formula: “është shkelur ligji”. Prej saj kalohet jo rrallë në përfundimin se, nëse është shkelur ligji, dikush duhet të mbajë përgjegjësi penale.
Por juridikisht këto janë dy gjëra të ndryshme.
Një vendim administrativ mund të jetë i gabuar, një procedurë mund të mos jetë respektuar ose mund të jetë shkelur një ligj, akt nënligjor, udhëzim, urdhër apo rregull teknik. Këto shkelje mund të sjellin përgjegjësi administrative, disiplinore, civile ose financiare, por jo domosdoshmërisht përgjegjësi penale.
Kufiri përcaktohet nga parimi themelor nullum crimen, nulla poena sine lege – nuk ka krim dhe nuk ka dënim pa ligj.
Neni 29 i Kushtetutës thotë se askush nuk mund të akuzohet ose të deklarohet fajtor për një vepër penale që nuk konsiderohej e tillë me ligj në kohën e kryerjes së saj. Nenet 1/c dhe 2 të Kodit Penal ndalojnë zbatimin me analogji dhe dënimin për një sjellje që ligji nuk e kishte parashikuar shprehimisht si vepër penale. Këto nuk janë formula ceremoniale që vendosen në hyrje të një vendimi gjyqesor dhe harrohen sapo fillon interpretimi. Janë kufij që Kushtetuta i vendos fuqisë së shtetit për të akuzuar, dënuar dhe privuar një njeri nga liria.
Interpretimi gjyqësor është i pashmangshëm, sepse ligji nuk mund të parashikojë çdo situatë. Por ai ka një kufi: gjykata mund të interpretojë veprën penale të përcaktuar nga ligjvënësi, jo të krijojë një vepër të re. Per me teper qe interpretimi gjyqesor ka te beje me interpretimin e ligjit si nje i tere dhe jo si nje dispozite te veçuar.
Çfarë do të thotë “ligj”?
Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese shqiptare ka ndërtuar ne vite një standard.
Ne vitin 2006 ajo ka qartesuar se fjala “ligj” nuk ka domosdoshmërisht të njëjtin kuptim në çdo dispozitë. Në disa raste mund të nënkuptojë legjislacionin në kuptim të gjerë, duke përfshirë aktet nënligjore; në raste të tjera nënkupton ligjin e miratuar nga organi ligjvënës. Kuptimi përcaktohet nga konteksti, natyra dhe qëllimi i normës.
Në të drejtën penale ky dallim është vendimtar, sepse prej tij mund të varet liria e një personi.
Në vitin 2009 GjK e cilësoi të drejtën për të mos u dënuar pa ligj si element thelbësor të shtetit të së drejtës. Në vitin 2012 theksoi se e drejta penale është ultima ratio, mjeti i fundit i shtetit ndaj sjelljeve të paligjshme. Përcaktimi i veprave penale dhe dënimeve i takon ligjvënësit, ndërsa gjykata zbaton ligjin dhe individualizon përgjegjësinë.
Ky dallim përcakton kufirin ndërmjet pushtetit ligjvënës dhe atij gjyqësor në një fushë ku ndërhyrja shtetërore është veçanërisht e rëndë, duke mbajtur ne konsiderate se prokurori ngre akuze ne emer te shtetit.
Në vitin 2021 GjK e konkretizoi më tej standardin. Duke shqyrtuar një dispozitë penale që përdorte termin “leje”, ndërkohë që legjislacioni i posaçëm përdorte “njoftim”, ajo vlerësoi se ndryshimi krijonte pasiguri për qytetarin lidhur me sjelljen që duhej të ndiqte për të shmangur përgjegjësinë penale.
Në vitin 2022 GjK e lidhi këtë me “cilësinë e ligjit”: ai duhet të jetë i aksesueshëm, i qartë dhe i parashikueshëm, si garanci kundër arbitraritetit shtetëror.
Neni 248 nuk thotë “në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore”. Thotë “në kundërshtim me ligjin”. A është kjo zgjedhje e vetëdijshme e ligjvënësit, apo një harresë që duhet ta ndreqë gjykata? Dhe, nëse e quajmë harresë, mbi çfarë baze i shtojmë një dispozite penale fjalët që ligjvenesi nuk i ka shkruar?
Pyetja bëhet edhe më e fortë kur lexojmë pjese te tjera të Kodit Penal. Në nenin 242/a ligjvënësi përdor shprehimisht formulimin “aktet ligjore apo nënligjore”. Në nenin 289 përmend ligjin, aktet e Këshillit të Ministrave dhe rregulloret. Në nenin 242 penalizon mosbindjen ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë. Pra, ligjvenesi e njeh dhe e ben fare mirë dallimin ndërmjet ligjit, aktit nënligjor, rregullores dhe urdhrit. Kur ligjvënësi ka dashur t'i japë rëndësi penale shkeljes së një kategorie tjetër aktesh pervecse ligjit, ka vendosur ditur ta thotë shprehimisht.
Prandaj lind pyetja e pashmangshme. Perse duhet të prezumojme se ligjvënësi e dinte kuptimin e këtyre fjalëve në nenet 242, 242/a dhe 289, por e harroi pikërisht në nenin 248?
Fjalët e ligjit penal nuk janë dekor. Ato janë vija e kuqe që ndan sjelljen e gabuar nga sjellja kriminale. Nëse kete vije e zhvendosim pasi ngjarja ka ndodhur, nuk po shpjegojmë më kufirin. Po e ndryshojmë atë.
Kushtetuta bën një ndarje po aq të qartë. Sipas neneve 2 dhe 70, sovraniteti i përket popullit dhe deputetët e përfaqësojnë atë. Neni 116 i rendit veçmas ligjet dhe aktet normative të Këshillit të Ministrave. Kuvendi miraton ligje, ndërsa Këshilli i Ministrave ushtron pushtetin ekzekutiv dhe nxjerr akte në bazë dhe për zbatim të ligjit. Sipas nenit 118, ligji duhet të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar dhe parimet mbi të cilat do të nxirret akti nënligjor. Sipas nenit 119, rregulloret dhe urdhrat e Kryeministrit, ministrave dhe drejtuesve të institucioneve kanë karakter të brendshëm dhe fuqi detyruese vetëm për njësitë administrative që varen prej tyre. Ato nuk mund të shërbejnë si bazë për vendime që merren ndaj individëve dhe subjekteve të tjera. Atëherë si mundet që shkelja e një urdhri të tillë të shndërrohet, pa një lidhje të qartë me ligjin, në bazë autonome për privimin e një individi nga liria?
Kjo nuk është një garë se kush ka më shumë legjitimitet politik. Qeveria buron nga shumica parlamentare dhe ushtron kompetenca kushtetuese të plota. Çështja është se kush ka tagrin të përcaktojë krimin?
Kushtetuta është aq e kujdesshme, sa edhe kur Këshilli i Ministrave nxjerr një akt normativ me fuqinë e ligjit në rast nevoje dhe urgjence, ai duhet të miratohet nga Kuvendi brenda 45 ditëve. Përndryshe humbet fuqinë që nga fillimi. Nëse edhe akti që Kushtetuta e quan shprehimisht “me fuqinë e ligjit” duhet të kalojë në Kuvend, si mundet një vendim i zakonshëm i Këshillit të Ministrave, që nuk ka fuqinë e ligjit, të bëhet perkufizimi i një vepre penale vetëm sepse interpretuesi (në rastin konkret gjykata) e fut brenda fjalës “ligj”?
Në të drejtën penale, fjalët e ligjvënësit kanë rëndësi të veçantë. “Ligj”, “akt ligjor”, “akt nënligjor”, “rregull”, “udhëzim”, “urdhër” dhe “detyrim” nuk mund të trajtohen automatikisht si sinonime kur prej tyre varet përgjegjësia penale.
Përndryshe krijohet një zinxhir pa fund: ligji autorizon një akt nënligjor, ky një udhëzim, udhëzimi një urdhër dhe urdhri një rregullore ose procedurë teknike. Pyetja është deri ku mund të shtrihet ky zinxhir për të prodhuar përgjegjësi penale.
Një udhëzim, urdhër ose rregull teknik mund të jetë juridikisht i detyrueshëm dhe shkelja e tij mund të ketë pasoja. Por kjo nuk do të thotë automatikisht se është kryer vepër penale.
Akti nënligjor mund të konkretizojë ligjin, por nuk mund dhe nuk duhet të krijojë vetë atë pjesë të ndalimit, pa të cilën sjellja nuk do të ishte penalisht e dënueshme.
Përgjegjësia penale kërkon referim të qartë në ligj dhe lidhje të parashikueshme ndërmjet normës penale dhe sjelljes konkrete te ndaluar.
Paqartësia ne praktiken e zbatimit te ligjit penal duket se është konstatuar edhe nga magjistratet e angazhuar në hartimin e draftit të Kodit të ri Penal qe eshte bere publik në korrik 2025.
Neni 302 i draftit, që riformulon veprën e shpërdorimit të detyrës, përcakton: “Termi ‘ligj’ i përdorur në paragrafin e parë të këtij neni do të kuptojë aktin e nxjerrë nga organi legjislativ qendror apo vendor në përputhje me kompetencat që Kushtetuta apo ligjet organike të vendit u kanë ngarkuar atyre për të vepruar.”
Drafti nuk është ligj dhe nuk mund të përdoret për të ndryshuar kuptimin e një norme në fuqi ose për të krijuar a përjashtuar përgjegjësi penale për fakte të mëparshme. Megjithatë, formulimi ne draft tregon se kufijtë e nocionit “ligj”, kur prej tij varet përgjegjësia penale për shpërdorimin e detyrës, janë konsideruar një çështje që kërkon shpjwgim të shprehur. Përcaktimi i propozuar e lidh këtë nocion me aktin e organit legjislativ qendror ose vendor, brenda kompetencave kushtetuese dhe ligjore. Vetë nevoja për këtë shpjegim dëshmon se dallimi ndërmjet ligjit dhe akteve të tjera juridike nuk është teorik. Ai prek drejtpërdrejt kufijtë e përgjegjësisë penale.
Në një shtet të së drejtës nuk mjafton të provohet se një person ka shkelur një rregull. Duhet të përcaktohet pasoja juridike që ligji i lidh asaj shkeljeje, ne te kundert krijohet rreziku qe pasoja juridike te krijohet nga interpretuesi magjistrat pertej asaj cfare parashikon ligjvenesi.
Kalimi te përgjegjësia penale kërkon një normë penale të zbatueshme dhe provën se sjellja konkrete përmbush elementet e veprës së përcaktuar prej saj. Kjo është arsyeja pse e drejta penale është ultima ratio. Ajo nuk korrigjon çdo parregullsi administrative dhe nuk sanksionon çdo shkelje të kuadrit rregullator. Përndryshe, kufiri ndërmjet përgjegjësisë administrative dhe penale do të zhdukej. Fjalia “është shkelur një akt ligjor” nuk duhet të jetë përfundimi i analizës penale, por fillimi i saj.
Pyetja “a është shkelur kuadri ligjor?” ndryshon nga pyetja “a është kryer një vepër penale?”.
E para kërkon shqyrtimin e ligjeve, akteve nënligjore, udhëzimeve, urdhrave dhe standardeve që rregullojnë një veprimtari. E dyta kërkon identifikimin e normës penale të zbatueshme në kohën e veprimit, përcaktimin e elementeve të saj dhe provën se sjellja konkrete hyn brenda kufijve të veprës penale të përcaktuar nga ligjvënësi.
Pa analogji, pa zgjerim të paparashikueshëm dhe pa u plotësuar pas ngjarjes nga interpretuesit e ligjit apo bindja e brendshme atë që ligjvënësi nuk e ka shkruar.
Përgjegjësia penale nuk është thjesht një formë më e rëndë e përgjegjësisë administrative. Ajo është kategori më vete, me kushte, standarde prove dhe garanci kushtetuese më të forta.
Prandaj, për të dënuar penalisht, duhet të provohet se në kohën e veprimit ekzistonte një normë penale e aksesueshme, e qartë dhe mjaftueshmërisht e parashikueshme dhe se sjellja përmbushte elementet e veprës së përcaktuar prej saj.
Nëse kufijtë e normës zgjerohen pas ngjarjes, duke përfshirë detyrime që ligjvënësi nuk i kishte përcaktuar qartë dhe në mënyrë të parashikueshme, problemi nuk është më thjesht interpretimi i dispozitës. Është vetë parimi i ligjshmërisë penale.
Sepse drejtësia penale ka të drejtë dhe detyrë ta interpretojë ligjin.
Por nuk ka të drejtë ta plotësojë atë duke krijuar, pas ngjarjes, një përgjegjësi penale që ligjvënësi nuk e kishte përcaktuar në mënyrë të parashikueshme.
Prirja aktuale e magjistratëve për ta zgjeruar përmes interpretimit fushën e shpërdorimit të detyrës rrezikon ta bëjë edhe më të paqartë kufirin ndërmjet shkeljes administrative dhe veprës penale. Administrata duhet të jetë në gjendje ta njohë këtë kufi paraprakisht, në momentin kur vendos dhe vepron, jo ta mësojë vite më vonë nga interpretimi i prokurorit ose gjykatës.
Përndryshe krijohen dy rreziqe të kundërta:
nëpunësi mund të mendojë se ka kryer vetëm një shkelje administrative, e cila më vonë interpretohet si penale;
ose mund të fillojë ta shohë çdo parregullsi administrative si një rrezik penal dhe, për t’u mbrojtur, të shmangë vendimmarrjen. Në këtë rast paqartësia e normës penale fillon të paralizojë vetë administratën.
Prandaj kufirin ndërmjet parregullsisë administrative dhe veprës penale të shpërdorimit të detyrës duhet ta përcaktojë ligji, qartë dhe paraprakisht. Administrata duhet ta dijë se ku përfundon shkelja administrative dhe ku fillon vepra penale përpara se të veprojë, jo pasi ka vepruar./TemA




Komente
Komento