Dje dasma e radhës me para që hidhen para Kryeministrisë si banalitet provincialo-katundar
Kjo që u quajt protestë ishte, në thelb, një procedurë autopsie e një opozite tashmë të vdekur, e veshur me kostumin e maskaradës.
Tiku shpalosi gjashtë pika, të menduara si gjashtë gjymtyrë të një trupi politik që pretendon ende jetë. Dy prej tyre — e para dhe e gjashta — flisnin për “krijimin e një komiteti qytetar” dhe “pasurimin e grupit negociator me emra të spikatur të shoqërisë civile”. Ishin fjalë të pastra, të sterilizuara mirë, por të vendosura mbi një trup pa puls.
Në terrenin konkret, përpara Kryeministrisë, nuk u pa as qytetari dhe as shoqëria, e aq më pak ajo civile. U pa vetëm një grumbull figurantësh që lëviznin sipas një skenari të vjetër, ku “shoqëria civile” shërben si organ dekorativ: nxirret nga frigoriferi sa herë duhet të legjitimohet një pazar i ri politik. Një koncept i balsamosur, që përdoret si alibi morale për një trup që ka kohë që nuk prodhon as ide, as ndjeshmëri, as përgjegjësi.
Kjo shoqëri civile, e reduktuar në krushqi, halla e teze, funksionon si mekanizëm riciklimi për të kallurit dhe të pakallurit: të parët kërkojnë shpëtim, të dytët kërkojnë hyrje, dhe të gjithë bashkë simulojnë reformë. Nën monitorimin e përhershëm të Shabës së popullit, dhe negociatorit Hasimja që I shkel syrin Tiku sikur nuk do me te pakallurin fajet relativizohen, përgjegjësitë shpërndahen, dhe pazari paraqitet si pajtim.
Çfarë mbetet në sipërfaqe është një çfaqje folklorike, një tallava dasmash emigrantësh të politikës: hedhje eurosh simbolike, gjeste rebelimi të paketuara për kamera, ndonjë provokim i llogaritur për kryeministrin, më shumë ofertë negociate sesa akt kundërshtimi. Jo revoltë, por reklamë.
Populli, i vendosur në rolin e nuses, shikon, pret dhe vlerëson. Jo zhurmën, por substancën. Jo vallen, por fuqinë reale. Dhe kur kupton se fshati politik është pa tope — pa mendim, pa kurajo, pa autonomi — reagimi nuk është zemërim, por largim. Një lamtumirë e ftohtë, pa dramë.
Seriali vazhdon çdo javë: Tiku, që nuk bashkohet as me të kallurin as me të pakallurin, por lëviz nëpërmjet ndërmjetësve, negociatorëve dhe monitorëve, duke i bërë syrin çfaqjes së radhës. Një realizëm socialist i riprodhuar në kohë postmoderne: personazhe të njohura, konflikt i rremë, fund i paracaktuar.
Autopsia është e qartë. Kjo opozitë nuk vuan nga mungesa e mbështetjes, por nga mungesa e kuptimit të vetvetes. Ajo nuk është e shtypur, por e konsumuar. Dhe çdo protestë e re nuk është ringjallje, por vetëm një tjetër përpjekje për ta maskuar vdekjen me zhurmë, ritëm dhe drita skene.
Komente











