Ilir Yzeiri: Akademia e Shkencave, rruga e vështirë drejt ringritjes

Ilir Yzeiri: Akademia e Shkencave, rruga e vështirë drejt ringritjes

Akademia e Shkencave

Më 22 maj 2019 kam botuar shkrimin « Për Akademinë dhe zotin Gjinushi » dhe aty kam shkruar me bindje se Akademia e Shkencave mund të rimëkëmbet nëse zoti Gjinushi vihet në krye të saj. Mendimin tim ma kanë mbështetur edhe disa kolegë të mi, por unë e kam argumentuar, sidomos, me biografinë e shkencëtarit reformator, profil të cilin z. Gjinushi e shfaqi sidomos në ato pak vite që ai ishte ministër arsimi në fund të viteve ’80. Dhe sot, vetëm në më pak se dy vjet, Akademia e Shkencave ka ndryshuar dhe ka hedhur një hap të sigurtë drejt ringritjes së saj në nivelin e institucionit përfaqësues të kërkimit shkencor dhe të dijes në vend.

As atëherë dhe aq më tepër sot, nuk më ka interesuar turbo-folku shqiptar që, qoftë për arsye politike, qoftë për arsye të sportit mediokër të tallavasë mediatike, përflasin gjithçka në këtë vend dhe kanë zgjedhur të përgojojnë me të njëjtat nota të gajdes orientale ballkanike si punët që shkojnë keq në këtë vend, si punët e të tjerëve kur ata përpiqen të bëjnë një gjë sipas profesionit të tyre. Mirëpo, siç thoshte Umberto Eko, interneti të krijon mundësinë që, në të njëjtën faqe, të shkruajë edhe një shkencëtar, edhe një idiot.

Për fat të keq, te ne, në mënyrë të pavetëdijshme, riciklohet dhe rikrijohet herë pas here modeli i kontrollit nga poshtë dhe i fuqisë që të vjen nga të qenit popull. Populli dikur vinte me shpatulla për muri kundërshtarët e regjimit apo intelektualët « buzëhollë », madje i çonte drejt e në kanal, në punë prodhuese që të kaliteshin dhe atje, me klasën punëtore, të bëheshin më të aftë. Kjo paranojë është mbartur edhe sot dhe ndaj te ne ligjërimi publik paraqitet i deformuar.

Në anën tjetër, rruga që ka ndjekur dija e organizuar në vendin tonë ka qenë një spirale me shumë hije dhe pak dritë. Nëse do të përmendnim Akademinë e Voskopjës(1743-1769) si të parin institucion ku nisi të mësohet dhe të përhapet dija me qëllimin që të ruhej sidomos thelbi kristian i popullsisë dhe të përhapej qytetërimi edhe në ato vise, do të na duhet të presim gjatë derisa studimet tona të riorganizohen përsëri. Në vitin 1940, në suazën e aneksimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, krijohet fondacioni « Skanderbeg » dhe brenda tij « Instituti i Studimeve Shqiptare », i cili, për hir të së vërtetës, ishte një kontribut në fushën e studimeve shqiptare. Në shkurt të vitit 1944, Padër Anton Harapi, që ishte zgjedhur në krye të qeverisë së Regjencës, mbledh anëtarët e Këtij Instituti dhe kërkon që të vazhdojë puna e këtij Instituti, por tani jo më nën ombrellën fashiste. Ai mban aty fjalimin e njohur « Pro kultura ». Pastaj, në vitin 1946, elitat komuniste që vijnë në pushtet, e rithemelojnë edhe

njëherë këtë Institut duke theksuar tani që studimet të përshkohen nga filozofia e re që po pushtonte vendin. (Shih për këtë Ilir Yzeiri, « Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri – tekstet që ndërtuan metodën 1947-1951», botimet Çabej, Tiranë 2020, Paradigma e Institutit të studimeve shqiptare, fq.63-68.) Më pas në vend u ngritën një sërë institucionesh shkencore derisa në vitin 1972 u themelua edhe Akademia e Shkencave si koordinatore e tyre. Pas vitit 1990, ky institucion nuk njohu zhvillimin e pritur. Nuk është rasti këtu që të përmendim se çfarë ndodhi, por sidomos reforma e vitit 2008, që shkatërroi rrjetin e institucioneve shkencore në vend dhe i ktheu ato në universitete, çoi, gjithashtu, edhe në një degradim të thellë të Akademisë. Në këto kushte nisi puna për ta shpëtuar këtë institucion.

Reforma në Akademinë e Shkencave filloi me Ligjin për funksionimin e këtij institucioni. Në këtë ligj u përcaktua që Akademia e Shkencave nuk do të jetë një organ honorifik, por një institucion i mirëfilltë kërkimor shkencor që do të drejtojë dhe organizojë këtë veprimtari në vendin tonë në bashkëpunim edhe me institucionet e arsimit të lartë dhe ato kërkimore shkencore në vend, në bashkëpunim, gjithashtu, me Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës, me diasporën, institucionet dhe dijetarët arbëreshë, me Akademinë e Maqedonisë e më gjerë. Në ASH funksionojnë dy seksione të mëdha: ai i shkencave natyrore e teknike dhe ai i shkencave shoqërore albanologjike. Ky i fundit tani drejtohet nga Pëllumb Xhufi, i cili vetëm pasi erdhi në krye të ASH-së z. Gjinushi, mori titullin « akademik » dhe u zgjodh të drejtonte këtë seksion.

Sapo nisi punën Akademia e reformuar, duke u mbështetur në Ligjin e saj organik u ngritën Njësitë kërkimore- shkencore. Ndër to, mjaft të përmendim NANO-Alb-in që ka në krye një prej dijetarëve shqiptarë më të njohur, nga akademik Arben Merkoçi, që drejton një institut të rëndësishmë në Spanjë, apo Njësia kërkimore e mjekësisë që dha një ndihmesë të çmuar në periudhën e pandemisë, njësia e Biogjenetikës, e sizmologjisë dhe shumë shpejt janë në ndërtim e sipër Njësia kërkimore e Inteligjenicies artificiale e disa të tjera. Jo vetëm që është gjallëruar jeta akademike, por, megjithëse në kushtet e pandemisë, janë organizuar edhe disa konferenca shkencore ndërkombëtare si ajo për tërmetet dhe sizmologjinë, e Nano-teknologjisë, e biogjenitikës dhe e ujërave, simpoziumet shkencore për pandeminë dhe studimi për të që përmbylli fazën e parë dhe tani ka hyrë në fazën e dytë. Nëse Shqipëria ka pasur një ecuri të kënaqshme dhe një menaxhin të mirë të pandemisë, kjo, veç të tjerash, lidhet edhe me ndihmesën e profesorëve anëtarë të Njësisë kërkimore shkencore të Mjekësisë, si akademik Genc Sulçebej, prof. Perlat Kapisyzi, prof. Alban Ylli, prof, Silva Bino, Ilir Alimehmeti e shumë të tjerë.

Me qenë se Akademia ka si prioritet të parë albanologjinë, u arrit, më në fund, që të finalizoheshin tri projekte të mëdha. Ka nisur puna për hartimin e Fjalorit Enciklopedik, për Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe dhe për veprën madhore « Historia e Shqiptarëve ».

Ndërkaq, ngjarja që tërhoqi vëmendjen këto ditë, ishte ajo që ndodhi më 28 maj. Në këtë ditë u pranuan 17 Anëtarë të Jashtëm. Pikërisht kjo ka qenë një tjetër kthesë e rëndësishme në ringritjen e Akademisë. Në ligjin e saj organik që miratoi para dy vjetësh, Akademia sanksionoi edhe një klauzolë: shtimin e radhëve të saj me anëtarë të jashtëm. Qëllimi i këtij neni në ligj ishte që të përfshiheshin në gjirin e Akademisë së ringritur edhe ata studiues shqiptarë që jetojnë e punojnë në institucionet e rëndësishme jashtë vendit dhe që janë dalluar në veprimtari kërkimore shkencore. Po ashtu, në mënyrë simbolike, edhe anëtarët e jashtëm të Akademisë së Kosovës aderojnë në ASH. Ja emrat dhe profili i anëtarëve të jashtëm që u pranuan në Akademinë e Shkencave:

Anëtarë nderi – anëtarë të jashtëm

1.Luan Starova

Akad. Luan Starova, profesor i letërsisë së krahasuar në Universitetin e Shkupit dhe ligjërues në disa universitete të tjera; doktor i shkencave në Universitetin e Sorbonës; studiues, akademik dhe diplomat; anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut dhe nënkryetar i mëparshëm i saj; anëtar i Akademisë Mesdhetare të Italisë; me veprimtari shkencore e krijuese në tri gjuhë krijimtarie: shqip, frëngjisht e maqedonisht; një prej shkrimtarëve shqiptarë më të përkthyer në kohën e sotme; me mbi 150 tituj dhe mbi 300 botime në së paku 15 gjuhë të huaja prej vitit 1970 e këndej; fitues çmimesh e mirënjohjesh të rëndësishme ndërkombëtare, duke përfshirë çmimin më të lartë të Francës për merita letrare që mban emrin e shkrimtares akademike Margaret Yourcenar.

2.Ali Aliu

Akad. Ali Aliu, profesor i historisë së letërsisë në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin e Tetovës; mbrojti gradën doktor i shkencave në vitin 1974; studiues i njohur i sistemit letrar në gjithë hapësirën e shqipes; anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe zëvendëskryetar i mëparshëm i saj; anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut; autor i më shumë se 30 veprave monografike dhe studimeve shkencore në fushë të historisë dhe teorisë së letërsisë botuar e ribotuar në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup; disa nga veprat e tij janë përkthyer në maqedonisht, anglisht e bullgarisht; fitues i shumë mirënjohjeve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, SHBA, duke përfshirë çmimet më të larta për merita letrare në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut; Nder i Kombit.

3.Akad. Rexhep Ismajli

Akad. Rexhep Ismajli, profesor me veprimtari ligjëruese në Universitetin e Mynihut, të Ljubljanës dhe në atë të Prishtinës; i specializuar për gjuhësi të përgjithshme dhe të zbatuar në Paris nën drejtimin e Andre Martinesë; doktor i shkencave në Universitetin e Prishtinës; anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe kryetar i mëparshëm i saj; anëtar i Akademisë Amerikane të Shkencave; anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve, anëtar i Rrjetit Ndërakademik të të Drejtave të Njeriut me qendër në Nju Jork; autor i mbi 20 veprave monografike shkencore të botuara në Kosovë e Shqipëri dhe i mbi 100 artikujve shkencorë; përkthyes i 6 veprave shkencore dhe i 12 veprave letrare; i njohur për kontributet e tij origjinale në disa fusha gjuhësisë shqiptare, si historia e gjuhës shqipe, tekstet e vjetra të shqipes, dialektologjia, sociolinguistika e gjuhësia e tekstit, marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e Ballkanit; gjuha standarde; historia e formimit dhe e zhvillimit të saj.

4.Francesco Altimari

Francesco Altimari, profesor në albanologji në Universitetin e Kalabrisë; i ftuar si ligjërues në Universitetin e Mynihut dhe në atë të të Manhejmit; në Universitetin e Napolit dhe në Universitetin Cattholica të Milanos; doktor honoris causa në Unversitetin e Tetovës dhe në Universitetin e Gjirokastrës; anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtar i Shoqatës Italiane të Studiuesve të Europës Juglindore (AIESE); përgjegjës i departamentit të albanologjisë në Universitetin Kalabrisë dhe zëvendësrektor i tij; me një veprimtari shkencore-kërkimore mbi 40-vjeçare në disa fusha; autor i mbi 25 veprave të botuara italisht dhe shqip; figurë qendrore e dijes në botën arbëreshe; nyje reference midis albanologjisë italiane e europiane me atë shqiptare; studiues i letërsisë, gjuhëtar, etnolog e antropolog; një prej specialistëve më të shquar dhe më të suksesshëm të filologjisë shqipe bashkëkohore; me ndihmesa të jashtëzakonshme për rinjohjen e letërsisë arbëreshe prej fillimeve deri në kohët moderne, i vlerësuar me mirënjohje e çmime shkencore e letrare, Nder i Kombit.

5.Matteo Mandalà

Matteo Mandalà, profesor, ligjërues i lëndëve të albanologjisë në Universitetin e Palermos dhe përgjegjës i njësisë së saj; gjithashtu dhe në Universitetet italiane të Kalabrisë, Barit, Leçes, Pizës, Mesinës; si dhe në Universitetin e Tiranës, të Tetovës dhe të shumicës së universiteteve shqiptare; anëtar i Këshillit të Profesorëve të Doktoratës Ndërkombëtare për kërkime shkencore në filologji dhe gjuhësi shqiptare; doctor honoris causa në Universitetin e Gjirokastrës, Vlorës dhe Tiranës; anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, fitues i çmimeve më të rëndësishme shkencore të konkursve kombëtare; organizator e pjesëmarrës me rol parësor në konferencat shkencore albanologjike në Europë; autor i mbi 100 publikimeve shkencore në arbërisht, shqip, italisht, frëngjisht e anglisht, me rëndësi themelore për historinë, kulturën dhe letërsinë shqiptare; bashkëthemelues i filologjisë moderne shqiptare, Nder i Kombit.

Anëtarë të jashtëm, qershor 2020

6.Fioralba Cakoni

Fioralba Cakonji, profesore, ligjëruese në Universitetin e Tiranës dhe të Shtutgartit; doktore e shkencave në Universitetin e Patras; studime të thelluara postdoktorale në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara; bashkëthemeluese e një prej disiplinave më të reja matematikore; e cilësuar si matematikane e klasit botëror dhe si një nga kërkuesit më të shquar bashkëkohorë në fushën e problemeve të anasjellta; autore e 115 artikujve shkencorë të indeksuar në Scopus List dhe e 148 artikujve të kuotuar mbi 3500 herë në Research Gate; anëtare e Shoqatës Amerikane të Matematikës për kontributet në analizën e ekuacioneve diferenciale të pjesshme veçanërisht në teorinë e shpërndarjes së anasjelltë.

7.Mira Mezini

Mira Mezini, e doktoruar cum laude në një nga disiplinat e ngushta të inteligjencës artificiale në Universitetin e Zigenit në Gjermani; profesore e shkencave kompjuterike në Universitetin Teknik të Darmstadt-it (Gjermani); profesore e ftuar në disa vende të Botës, duke përfshirë Britaninë e Madhe; zëvendëspresidente e Universitetit të Darmstadt-it për transferimin teknologjik dhe më pas edhe për kërkimin dhe inovacionin; autore e 233 artikujve shkencorë të indeksuar në Scopus List dhe i 293 artikujve të kuotuar në Research Gate, me rreth 7000 citime; e cilësuar kërkuese shkencore ekselente me njohje dhe vlerësim ndërkombëtar në fusha shumë të rëndësishme të shkencave kompjuterike si gjuhët e programimit dhe paradigmat, zhvillimi i softuerëve të automatizuar, analiza e programeve dhe siguria e softuerëve; bashkëthemeluese e nëndisiplinës mbi paradigmën e zhvillimit të softuerëve të orientuar duke vendosur parime të reja shkencore.

8.Eno Koço

Eno Koço, profesor në Universitetin e Lidsit në Britaninë e Madhe, ku dhe mbrojti gradën shkencore doktor; profesor i ftuar në shumë universitete të Europës; Bolonjë, Londër, Palermo, Limerick, Cagliari, Tbilis); dirigjent, studiues i historisë së muzikës shqiptare; me veprimtari të gjatë si krijues e studiues; përgatitës dhe botues i një numri librash me karakter dëshmues; drejtues e dirigjent i orkestrës sinfonike të RTSH; me një veprimtari të vlerësuar ndërkombëtarisht me orkestra të mirënjohura jashtë vendit (në Itali, Britani, Kosovë, Egjipt, Maqedoni e Veriut, Rumani), duke përfshirë edhe orkestrën e RAI-t; përkujdesës i përzgjedhjes, konceptimit dhe realizimit të më shumë se dhjetë botimeve diskografike; autor i gjashtë studimeve monografike, pjesa më e madhe e të cilëve botuar në anglisht, greqisht dhe gjuhë të tjera; në fushën e muzikologjisë dhe të letërsisë, Nder i Kombit.

9.Ardian Ndreca

Ardian Ndreca, profesor ekstraordinar, i diplomuar për letërsi e filozofi në Universitetin La Sapienza të Romës dhe për filozofi në Universitetin Pontifikal Urbaniana, ku mbrojti dhe gradën doktor i shkencave në historinë e mendimit filozofik bashkëkohor; drejtor i Institutit të Studimeve për Ateizmin dhe shef i katedrës së historisë së mendimit filozofik bashkëkohor; autor i pesë studimeve monografike të botuara në gjuhën angleze në fushë të filozofisë së krahasuar dhe i katër studimeve monografike albanologjike botuar në shqip mbi traditat etnojuridike; përfaqësuesit më të shquar të letërsisë; historinë e kulturës së krishterimit dhe identiteti shqiptar, çështje të njësisë dhe dallimeve në gjuhën shqipe; editor në kohë të ndryshme i dy revistave albanologjike Hylli i Dritës dhe Shêjzat, të rithemeluara prej tij; themelues i Qendrës së Studimeve Shqiptare në Itali, institucion promovues i kulturës dhe letërsisë shqipe.

10.Ardian Vehbiu

Ardian Vehbiu, studiues me interesa shkencorë në disa dije të albanologjisë, i diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Tiranës; thelloi studimet në gjuhësi historike e teorike në Universitetin La Sapienza; kërkues shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës dhe ligjërues i gjuhës shqipe në Universitetin L’Orientale të Napolit; pjesë e ekipit shkencor të përgatitjes për botim të veprave madhore të Akademisë së Shkencave, si Fjalori i shqipes së sotme dhe Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe; prej 25 vjetësh është në profesion të lirë; autor i më shumë se 16 veprave (dy prej të cilave monografike) shkencore, eseistike dhe letrare të botuara në shqip, italisht dhe anglisht; dy herë fitues i dy çmimeve vjetore kombëtare në letërsi; autor i disa dhjetëra artikujve shkencorë në revistën e numerizuar Peizazhe të fjalës dhe në revista shkencore brenda e jashtë vendit; përkthyes i 4 veprave shkencore dhe letrare.

Anëtarë të rinj, 2021

11.Prof. dr. Elton Prifti

Prof. dr. Elton Prifti: gjuhëtar, personalitet në fushën e lidhjeve ndërgjuhësore dhe të gjuhësisë krahasimtare; me veprimtari universitare në disa vende europiane (Gjermani, Austri); drejtor i departamentit të gjuhësisë romane, interkulturalitetit dhe multilinguizmit në Universitetin e Vienës; i zgjedhur për herë të dytë (2021) zëvendëspresident i Shoqatës Italiane të Gjuhëtarëve; anëtar korrespondent i huaj i Akademisë së Crusca-s, Itali; fitues i çmimit Cesare Pavese; i specializuar për praninë e latinitetit e neolatinitetit në gjuhët e sotme të Europës, duke përfshirë në këtë krahasim shqipen, rumanishten dhe anglishten; autor monografish dhe i dhjetëra artikujve të botuar në revista të mirënjohura gjuhësore për indoeuropeistikë, romanistikë, ballkanistikë, albanologji dhe nënfusha të tjera.

12.Prof. dr. Bardhyl Demiraj

Prof. dr. Bardhyl Demiraj: gjuhëtar, filolog, drejtues i njësisë së shqipes në departamentin e gjuhësisë së përgjithshme dhe të indoeuropeistikës në Universitetin e Mynihut; me veprimtari të gjatë universitare dhe shkencore; autor i vëllimit të shqipes në fjalorin e madh të indoeuropeishtes dhe gjuhëve indogjermane botuar nga ky universitet; organizator konferencash të rëndësishme shkencore ndërkombëtare kushtuar shqipes në kontekst ballkanik, europian dhe indoeuropian; me një specializim të thelluar në fushën e filologjisë dhe tekstologjisë kritike; përgatitës e botues i shumë veprave të autorëve të vjetër të letërsisë shqipe; autor i dhjetëra artikujve shkencorë botuar në gjermanisht, italisht, anglisht dhe shqip për çështje të historisë së gjuhës shqipe, të shkrimit të saj, të dëshmive të rralla leksikore (fjalë dhe forma) në kontekste aloglote dhe në dorëshkrime arkivore.

13.Ermonela Jaho

Ermonela Jaho: soprano shqiptare e renditur në elitёn e artistëve lirikë më të shquar të Botës; e vlerësuar si interpretuese virtuoze në kryerole të repertorit të operistikës botërore dhe në skenat e teatrot më të famshëm në Europë dhe në të gjitha kontinentet; fituese e shumë vlerёsime dhe çmimeve prestigjiozë ndërkombëtare si: çmimi i konkursit Xhakomo Puçini; çmimi ndërkombëtar i konkursit Spontini; çmimi The Best Singer dhe çmimi International Opera Aëards; e vlerësuar nga mediat më të specializuara botërore si artiste shqiptare që ka arritur nivele më të larta të karrierës artistike.

14.Bajram Berisha

Bajram Berisha, profesor me veprimtari mësimdhënëse në Kosovë, Gjermani dhe Shqipëri; doktor i shkencave në fushën e gjenetikës së kafshëve në Universitetin e Ljubljanës vijuar me studimet e thelluara në Universitetin Teknik të Mynihut, ku dhe u habilitua si profesor; autor i 74 artikuve shkencorë të botuar shqip, gjermanisht dhe anglisht të indeksuar në Scopus List; si dhe i 132 artikujve të kuotuar në Research Gate, me mbi 3500 citime, në fushën e fiziologjisë, gjenetikës dhe bioteknologjisë shtazore; me fokus të drejtpërdrejtë në veprimin e faktorve lokalë fiziologjikë; punime që vlerësohen për shtrirjen e fushës së kërkimit në nëndisiplina të reja, që konsiderohen realizime të një rëndësie të veçantë në fushën e shkencave biologjike dhe mjekësore.

15.Sokrat Sinaj

Sokrat Sinaj, i titulluar dy herë profesor i inxhinierisë agrare, në Shqipëri dhe në Francë; me veprimtari kërkimore dhe mësimdhënëse në Shqipëri, Zvicër e Francë; doktor i shkencave në Institutin Kombëtar Politeknik të Lorenës, vijuar me studime të thelluara postdoktorale në Qendrën Kombëtare Franceze të Kërkimit Shkencor (CNRS); që nga viti 2007 zëvendëskryetar i grupit kërkimor ndërkombëtar për sistemet e bimësisë natyrore pranë Institutit Kombëtar Zviceran të Shkencave Bujqësore; është anëtar në disa borde revistash të mirënjohura shkencore ndërkombëtare; autor i 173 artikujve studimorë shqip, gjermanisht dhe anglisht të kuotuar në Research Gate, si dhe 78 të indeksuar në Scopus List me 3100 citime; drejtues projektesh në disa fusha të ngushta dhe nëndisiplinore.

16.Kujtim Shala

Kujtim Shala, profesor i historisë dhe teorisë së letërsisë në Universitetin e Prishtinës, ku përfundoi studimet dhe mbrojtjen e gradës doktor i shkencave; studime të thelluara në teori letërsie dhe estetikë të modernizmit në Universitetin e Bolonjës; ligjërues në Universitetin e Prishtinës; anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; autor i mbi 35 veprave shkencore, eseistike dhe letrare të botuara në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut; si dhe i mbi 50 artikujve shkencorë; fitues çmimesh dhe mirënjohjesh kombëtare e ndërkombëtare për studime dhe letërsi; veprimtar politik dhe qytetar i njohur në Kosovë.

17.Fetah Podvorica

Fetah Podvorica, profesor në Universitetin Paris-7, ku mbrojti gradën doktor i shkencave në fushën e elektrokimisë; studime të thelluara në Ecole Superieure de Physique et de Chimie de Paris, ku dhe fitoi habilitimin si profesor universiteti; profesor i ftuar në disa universitete jashtë Kosovës, si në Francë, Gjermani e Danimarkë; autor i dy patentave në fushën e veshjes së metaleve, që shfrytëzohen në Europë, SHBA dhe Kinë; anëtar i Shoqatës Amerikane të Kimisë dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Elektrokimisë; ekspert i vlerësimeve të eksterioziuara të studimeve doktorale të fushjës në disa vende të Europës; anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Dizhonit; autor i mbi 50 artikujve të botuar në revista shkencore me indeksim ndërkombëtar në frëngjisht, anglisht e gjermanisht; pjesëmarrës e kumtues i pranuar me peer revieë në mbi 30 kongrese dhe konferenca ndërkombëtare.

Nëse u hedh një vështrim këtyre emrave, të bien në sy disa gjëra. E para, janë përfshirë në këtë listë më të shquarit e ekselencës shqiptare në botë dhe sidomos femra. Po përmend Fioralba Cakonin dhe Mira Mezinin. Shihni sa herë janë përmendur në revistat shkencore me impakt faktor, me qindra herë. Pastaj vjen emri i Ermonela Jahos i kësaj artisteje lirike që jo vetëm ngre lart emrin e Shqipërisë, por do të jetë nesër edhe një mundësi më shumë për të ndihmuar

që tradita e lirikës shqiptare të konsolidohet më tej. Pastaj vjen emri i dirigjentit të shquar Eno Koço, i cili, jo vetëm vijon traditën e shkëlqyer të familjes së tij, por është sot një nga personalitetet më të spikatura të muzikës shqiptare dhe me karrierë edhe në Britani. Dua të veçoj, më në fund prof. Ardian Ndrecën, përfaqësuesin më të spikatur të traditës së kulturës katolike të qarkut të Veriut, siç e quante Çabej atë pasuri që u krijua nga shqiptarët e mëdhenj të urdhrit katolik në Shkodër që zë fill me Buzukun, Budin, Bardhin e Bogdanin dhe që vazhdoi me Fishtën e madh dhe traditën që ndërtuan fançeskanët dhe jezuitët që vepronin në Shkodër e rreth saj. Ardian Ndreca jo vetëm që është një figurë e dalluar e kulturës sonë, por ai vijon e mban gjallë dy nga organet e rëndësishme të kulturës shqiptare: « Hyllin e Dritës » dhe « Shejzat ». Pranimi i tij si Anatër i jashtëm i Akademisë është edhe një dëshirë e hapur që projektet për ringjalljen e kulturës shqiptare të prekin, sidomos, atë pjesë të traditës sonë, që siç e dimë të gjithë, u godit rëndë me ardhjen e komunistëve në pushtet. Akademia e ripërtërirë u ka një borxh të madh atyre martirëve.

Në atë ceremoni mori pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili, në fjalën e tij përzjeu dy regjistrat e ligjërimit dhe dy autorë: Edi Ramën si artist, intelektual kritik dhe të pakënaqur me traditën e ngurtë dhe me veten, si dhe Edi Ramën kryeministër. Ai e shprehu hapur përshtypjen pozitive dhe në fjalën e tij si – Edi Rama- u shfaq i befasuar që më në fund kjo reformë dhe ky sukses i saj, ia kishte larguar neverinë që i ngjallte emri i Akademisë dhe gjendja në të cilën ajo ishte katandisur para se të kryhej kjo reformë. Si Kryeministër, ai premtoi se do të bashkohet me këtë frymë dhe do të mbështesë më shumë se asnjë tjetër para tij projektet e kësaj Akademie.

Në vend të mbylljes

Natyrisht, ky është vetëm fillimi dhe deri tani Akademia e Shkencave është riorganizuar në mënyrën e vet më të mirë. Shtimi i radhëve të saj me akademikë të rinj dhe me anëtarë të jashtëm është bërë në mënyrë serioze duke u konsultuar me institucionet e arsimit të lartë dhe ato nga vijnë anëtarët e rinj. Deri tani nuk ka pasur asnjë rezervë apo nuk ka mbetur asnjë personalitet i shquar pa u përfshirë në këtë projekt.

E dyta, Akademia është rindërtuar si një institucion që ka ambicien të riorganizojë kërkimin shkencor dhe dijen përmes Njësive Kërkimore shkencore të cilat, në një të ardhme, mund të kthehen edhe në institute të mirëfillta shkencore.

E treta, ka një sërë projektesh dhe mundësi të mëdha për t’i realizuar ato. Më në fund, Akademia e Shkencave ka k

ke një ide që ndihmon dijen, shkencën e që përkthehet pastaj në mundësi zhvillimi për këtë vend, rrugët janë hapur dhe mjetet gjenden.

E katërta dhe më e rëndësishmja është se, sidomos në fushën e shkencave humane, Akademia ka përgjegjësinë e madhe që të mos riprodhojë tekstet e vjetra dhe të kapërcyera që shtilleshin rreth një dijeje fikse të kremtimit të origjinës dhe nacionalitetit butaforik. Në botimet dhe veprimtaritë e saj, Akademia duhet të arrijë që të krijojë klimën e debatit dhe të diskutimeve në mënyrë që narrativa e dijes historike, letrare apo edhe albanologjike të rishkruhet duke korrigjuar në radhë të parë deformimet e mëdha që pësoi ajo në vitet e komunizmit dhe duke e ngritur këtë narrativë në nivelin europian të vështrimit. Akademia ka përgjegjësinë që, sidomos në shkencat sociale dhe psikologjike, të promovojë dijen moderne antropologjike dhe psikologjike, sociologjinë apo rrymat filozofike që, për arsye të ditura, u shmangën nga qarkullimi kulturor dhe vijojnë ende të jenë të tilla dhe të heqë dorë nga fokusimi vetëm në filologjinë e tekstit. Afrimi i të rinjve të talentuar dhe emancipimi i narrativës kulturore që merret sidomos me të shkuarën, do të bëjë që edhe bibliotekat tona të pasurohen me tekste që tregojnë jo vetëm gjinitë e ngrira të kulturës sonë të kapura në ankth për të vërtetuar me çdo kusht vjetërsinë dhe për të himnizuar krenarinë boshe, por edhe vështrime që do të na tregojnë më shumë tipin e shqiptarit dhe jetën e tij.

E pesta, sfida më e madhe që ka sot Akademia, është shfrytëzimi i internetit. Nëse nuk arrijmë që gjithë këtë përvojë që kemi krijuar dhe gjithë produktet që do të krijohen më pas, t’’i hedhim edhe në autostradën e madhe të komunikimit global, mendimi për shqiptarët do të vijojë të jetë ai që ndërtohet me klishetë e krijuara nga ajo traditë e narrativës shqiptare që, kur artikulonte një argument, kërkonte të bindte veten në radhë të parë, pastaj të tjerët, në një farë mënyre, fliste me veten.

Ashtu siç e përmenda edhe në fillim, ashtu edhe dua ta përfundoj këtë shkrim. Akademia e Shkencave tani është e qartë, e hapur dhe ka një projekt. Idetë do të vijnë nga ata që e përbëjnë atë dhe nga ata që kanë mendime dhe ide. Dhe këtë radhë më duket se erdhi koha të fillojmë.

*Prof. i as. Ilir Yzeiri, përveçse pedagog në Universitetin « A. Xhuvani », është edhe këshilltar i jashtëm në Akademinë e Shkencave për kërkimin shkencor, marrëdhëniet me universitetet dhe me publikun.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vox Pop/Ku do e presin shqiptarët natën e ndërrimit të viteve?

Vox Pop/Ku do e presin shqiptarët natën e ndërrimit të viteve?