Demokracia shqiptare, në këta vjet tranzicioni, veç të tjerash, duket se është marrë peng edhe nga ligjërimi i nacionalkomunistëve politikë. Të gjithë e ndiejnë dhe pyesin se si ka mundësi që opozita shqiptare nuk arrin të ndërtojë një ligjërim tjetër, që të jetë bindës dhe frymëzues. Pse në anën tjetër Edi Rama, edhe i vetëm, me një qeveri që krahas arritjeve të njohura, ka prodhuar edhe skandale korrupsioni është ende bindës dhe arrin të mbajë të bashkuar votuesit e tij dhe të krijojë një klimë optimizmi ndër ta, ndërkohë që, në anën tjetër, opozita, jo vetëm që nuk sjell optimizëm, por, gjithnjë e më shumë, po shfaqet si një pengesë në transformimin demokratik të vendit sepse shumica e shqiptarëve nuk i besojnë asaj për të bërë rrotacionin e nevojshëm të pushtetit.
Arsyet mund të jenë të ndryshme, por ajo që diktohet qysh në fillim është artikulimi dhe ligjërimi në publik. Përfaqësuesit tanë kryesorë të politikës, ndryshe janë edhe autorë të një teksti që ata e hartojnë më parë se ta artikulojnë. Si autorë të tekstit që artikulojnë ata janë projektime të një makroteksti më të gjerë, pra janë rrjedhim i një kohe që kishte autorë të tjerë të ligjërimit publik. Klasa jonë politike është formuar e gjitha në diktaturë.
Studiuesi Jean-Paul Champseix në veprën e tij studimore « Ismail Kadare : një disidencë letrare » ka argumentuar se vepra e Kadaresë solli një ligjërim tjetër në hapësirën e komunikimit kulturor shqiptar që ishte në opozicion me dogmën e realizmit socialist. Ajo vepër edukoi po ashtu edhe një lexues të tërë të cilët u pajisën edhe me mjetet dhe format e kuptimit të jetës si një alternativë e ndryshme nga ajo që shfaqej përditë. Dyshimi, dykuptimësia, liria e individit, modeli perëndimor i jetës dhe toleranca, pranimi i tjetrit të ndryshëm dhe të gjitha tiparet që ka jeta në një shoqëri perëndimore i gjen të artikuluara në letërsinë e Kadaresë, por edhe në disa nga veprat më të mira të shkruara në atë kohë.
Nuk është rasti këtu që të përmenden të gjitha ato që shkaktuan krijimin e asaj që nga disa studiues është quajtur elita e borgjezisë komuniste e cila, në disa raste, edhe u burgos, por, në shumicën e rasteve të tjera, jetonte si një formacion kulturor disident edhe brenda një shoqërie staliniste. Në kushtet kur kundërshtarët e regjimit persekutoheshin dhe ndiqeshin në mënyrë barbare, në vitet ’90, kur edhe Shqipëria u përfshi në proceset demokratike, partitë politike që u krijuan kishin në krye apo sollën në krye pikërisht këta përfaqësues të elitave të borgjezisë komuniste.
Mirëpo paradoksi ishte dhe është se në krye të partisë së punës u gjend një disident kulturor dhe një intelektual liberal si Fatos Nano dhe në krye të opozitës u ndodh një përfaqësues i elitës së borgjezisë komuniste si Sali Berisha që vinte nga shkolla e nacional-komunizmit dhe jo nga hapësira e disidencës kulturore. Ndaj, në ligjërimin e tij u vu re menjëherë enverizmi i kthyer përmbys : stili akuzues dhe luftarak, dhuna dhe hakmarrja, hakërrimet ndaj kundërshtarit politik dhe përbetimet nacionaliste tregonin atëherë një karikaturë të një komunisti të konvertuar.
Në anën tjetër, ligjërimi i Nanos ishte vetëkritik dhe vetironik. Ai ligjërim që u pasua më vonë edhe nga ligjërimi politik i Edi Ramës ishte vazhdim i asaj forme komunikimi që ishte ndërtuar qysh në diktaturë : ligjërimi që vinte nga ambienti i disidencës kulturore. I tillë vijon të jetë edhe sot. Në anën tjetër, ligjërimi me stilin e akuzës dhe ad hominem që vjen nga shkolla politike enveriste është tipari themelor i ligjërimit politik të opozitës. Edhe Lulëzim Basha, megjithëse është distancuar nga Berisha, për fat të keq, hyri në politikë dhe vijon ende duke ushtruar artin e ligjërimit politik berishist, thelbi të cilit është modeli i sentencave akuzuese dhe i sinoptikave armiqësore.
Kjo sëmundje ka infektuar të gjithë ata që përfshihen në aksionin politik opozitar. Që të gjithë imitojnë Sali Berishën. Edhe ndonjë lëvizje e re që ka nisur si një aksion opozitar, për fat të keq, autori i saj, të kujton me ligjërimin e tij, hakërrimat e Sali Berishës dhe me stilin denoncues vijon njëlloj si Basha. « Le style c’est l’homme meme" , thoshte dikur Bualo. Ndërsa te ne stili dhe ligjërimi politik janë imitime të një modeli që është i lehtë për t’u realizuar, por i pamjaftueshëm për të bindur shqiptarët.