Ilir Yzeiri: Një vit që ikën dhe një tjetër që vjen

Ilir Yzeiri: Një vit që ikën dhe një tjetër që vjen

Samiti për Ukrainën në Tiranë, shkurt 2024

Nesër është dita e fundit e vitit 2024. Zakonisht ndërrimi i viteve shoqërohet me ritualin e zakonshëm të festës dhe është pak e vështirë që të kuptohet nëse gëzimi apo festa bëhet për atë që ikën apo për atë që vjen. Shqipëria tani është pjesë e ngjarjeve që shtillen në Europë e në botë dhe fati i saj politik e ekonomik disa herë mund të vështrohet edhe si refleks i atyre ngjarjeve që përcaktojnë drejtpeshimin e botës.

Viti që lamë pas u shenjua sidomos nga riardhja në Shtëpinë e Bardhë e Donald Trumpit, por edhe nga ndikimi për herë të parë i një njeriu me pushtet ekonomik, pra nga njeriu më i pasur i planetit Elon Musk, aq sa shumë komentatorë thonë që Amerika nesër dhe fatet e planetit mund të jenë më shumë nën ndikimin e Elon Musk sesa të Trump. Ai, thonë ata, është presidenti real, Trump presidenti i zgjedhur.

Në Europë, lufta mizore e Putinit në Ukrainë po bëhet gati-gati një spektakël i trishtë dhe të gjithë duket sikur po familjarizohen me këtë fatalitet. Siç thonë ekspertët ushtarakë, sot luftërat nuk shenjohen nga fitorja kur hyn këmba e ushtarit, por nga madhësia e tragjedisë që prodhon bombardimi dhe agresioni nga lart.

E njëjta gjë vihet re edhe në konfliktin e përgjakshëm në Gaza, ku, siç dihet, pas agresionit tragjik  e burracak të sulmit brutal të Hamasit mbi popullsinë e pafajshme dhe mbi të rinjtë që festonin në Izrael më 7 tetor, ky i fundit nisi një fushatë bombardimesh mbi Gaza me përmasa të pallogaritshme aq sa Kryeministri Netanjahu është akuzuar publikisht nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krim kundër njerëzimit dhe ndaj tij ka një mandat arresti ndërkombëtar ashtu si edhe ndaj Putinit.

Ngjarja tjetër që shenjoi me më shumë intensitet vitin që lëmë pas ishte Siria. Ky vend martir që është masakruar përreth 12 vjet, më në fund e largoi udhëheqëin gjakatar dhe të pamëshirshëm Bashir Al Asad. Atë që ka vuajtur popullsia e atij vendi, fëmijët, sidomos, por edhe popullsia e pambrojtur, nuk e kemi parë askund. Shifrat janë katastrofike. Sipas Komisaritit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, deri në vitin 2022, janë vrarë përafërsisht përreth dhjetë vjet resht 87 civilë të pafajshëm në ditë dhe gjithsej 306 887. Aty u zhvillua një luftë ku të gjitha fuqitë e botës morën pjesë, por asnjëra nuk e shpëtoi popullin e atij vendi.

Në Siri është bërë eksperimenti më çnjerëzor ku janë luajtur të gjitha interesat gjeostrategjike të fuqive të mëdha, Të Rusisë fillimisht, pastaj edhe të SHBA-ve, por edhe të Turqisë. Më në fund Siria është e lirë dhe tani duhet të presim se a to të rindërtohet ai vend që të shërojë plagët e hapura dhe të ndërtojë një jetë më të mirë ?

Në Shqipëri, viti që shkoi u shenjua, sidomos, nga roli i madh që mori SPAK në jetën poltike të vendit. Për herë të parë ne kemi të dyshuar dhe nën hetim dy ish-presidentë e ish-kryeministra dhe një ish zv/ kryeministër e shumë zyrtarë politikë, sidomos nga mazhornaca socialiste.

Në anën tjetër, edhe krimi i organizuar ka marrë goditje të njëpasnjëshme dhe kjo ka bërë që në 5-vjetorin e vet, SPAK të pranohet nga shqiptarët si institucioni me besimin më të madh dhe të shpallet, po ashtu, edhe si shpresë për shëndoshjen e demokracisë.

Mirëpo askush nuk mendon se SPAK do të na zëvendësojë edhe qeverinë edhe parlamentin edhe partitë politike. Do të ishte mirë që të gjitha krahët e një shoqërie të fuksiononin. Mirëpo kjo nuk ndodh. As në vendet e konsoliduara demkracia si sistem nuk funksionon ashtu siç do të donim të gjithë, por ne kemi shfaqur e po shfaqim disa të meta që na bëjnë të vështrohemi si një popull jo me zhvillimin e duhur, të prapambetur e me reflekse që vijnë nga kohërat e vjetra.

Kjo duket sidomos në faktin që lirinë po e përdorim jo për të deleguar aty fuqinë dhe mendjen tonë, por për ta shfrytëzuar atë hapësirë vetëm në interesin tonë vetjak pa pyetur për normat që rregullojnë jetën në një shoqëri. Kjo ka bërë që edhe sot, ashtu si dikur, figura që merr peshë në një komunitet është i forti, ai që sfidon ligjin e shtetin dhe që ka si kult jo jetën normale, por pasurinë dhe krenarinë boshe. Megjithatë, nesër është dita e fundit e vitit 2024.

Është traditë tani që ta presim me gëzim vitin që vjen, por edhe me shpresë se tragjeditë që ndodhën në vitin që lamë pas dhe plagët që janë hapur në planet, të paktën të nisin të mbyllen dhe ashtu siç përfundoi lufta e përgjakshem në Siri, të dëgjojmë që edhe luftërat e tjera mbaruan. Gëzuar vitin e ri 2025 !

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni në vitin 2025?



×

Lajmi i fundit

E keni tepruar me ushqimin? Ja çfarë duhet të bëni pas festave të fundvitit

E keni tepruar me ushqimin? Ja çfarë duhet të bëni pas festave të fundvitit