Ilir Yzeiri: Një përmendore në anë të rrugës

Ilir Yzeiri: Një përmendore në anë të rrugës

Memoriali në Lapulec të Mallakstrës

Javës që shkoi isha në fshatin e tim eti, në Lapulec të Mallakastrës, për të vizituar xhaxhain tim që jeton atje. Përballë Drenovës dhe në anë të urës së fundit që hyn në Ballsh, dikur dukej Shkëmbi i Saliut, siç i thoshin vendit ku është vendosur familja e tim eti që shënjohej nga emri i stërgjyshit tim, Saliut.

Është bërë një modë pak e konsumuar që në udhëtime të tilla të përfshihesh nga nostalgjia për ambientin e qetë, për natyrën, për jetën që duket sikur ka mbetur në vend për shkak se fshatrat tani duket sikur nuk kanë njerëz, por vetëm pemë, shkurre e natyrë. Në disa raste të kap romantika dhe ti, duke u mbështjellë me bukurinë e atyre viseve, pra të fshatit, në këtë rast, ëndërron një botë tjetër, me turistë dhe me njerëz që jetojnë mes ajrit të pastër, natyrës së bukur dhe ushqimeve bio.

Kjo narrativë është e njohur dhe, në ndonjë rast, edhe e shfaqur me ngjyra aq të ndezura sa të prishin imazhin e asaj që tregohet përmes atij rrëfimi. Të gjithë jemi në një mendje që fshati shqiptar, kudo që ai ndodhet,është një vend tërheqës, natyrisht për ta vizituar, sepse për të jetuar atje duhet të jesh jo banor i atij vendi, por pasunar që ke bërë një shtëpi apo një vilë dhe vjen për të veruar aty.

Pra, në përgjithësi, kjo mund të jetë ajo që ne rrëfejmë kur lëvizim nga kryeqyteti në fshatrat nga kanë ardhur prindërit tanë. Mirëpo, unë dua të flas për diçka tjetër, për një realitet të harruar.

Siç e përshkrova më lart, pak para se të marrësh urën e Gjanicës që të kthen për në Ballsh është rruga që të ngjit në fshatin e tim eti, në Lapulec. Aty është një përmendore e thjeshtë si ato pllakat e varrit të njerëzve që nuk duan të bien në sy, me dy blloqe betoni përpendikularë me lartësi as një metër dhe gjerësi pak më shumë se një metër. Në të parin janë shkruar emrat e 39 fshatarëve që janë pushkatuar prej Isa Toskës dhe Faslli Toskës dy prej kriminelëve më të ndyrë jo vetëm të Mallkastrës por të gjithë Shqipërisë dhe italianëve qëkishin nisur ofensivën ndaj kësaj krahinë në korrik të vitit 1943.

Myslim Pasha, shkrimtari dhe intelektuali i dalluar mallkastriot, që u bë i njohur sidomos për mbrojtjen që i bëri çështjes së Detit Jon nga pazaret e Berishës me grekët, tani në fund ka përfunduar një roman voluminoz për Mehmet Shehun. Unë e kam lexuar në dorëshkrim dhe jam i bindur që, kur të botohet, ajo vepër do të jetë një ngjarje për letërsinë e kulturën shqiptare. Përveç figurës së Mehmet Shehut që ai e tregon në një dritë të re dhe krejtësisht të panjohur, Pashaj, përmes dokumenteve të reja, e ritregon me realizëm edhe fillimin e rezistëncës ndaj pushtuesve italianë që nisi në Lumin e Vlorës me « Çetën plakë » dhe që u përhap në Mallkastër prej Mehmet Shehut. Fashistët italianë iu përgjigjën me brutalitet aksioneve që ndërmorën vlonjatët dhe atyre që kryen çetat territorjale të udhëhequra nga Mehmet Shehu. Mirëpo tragjizmi i luftës ishte se në krye të këtyre masakrave mbi popullsitë e pambrojtura të fshatrave të Lumit të Vlorës ishin bastardët shqiptarë të rekrutuar nga qeveria kuislinge, Halil Alija dhe Miftar Kaloshi të drejtuar nga Qazim Koculi, ministër dhe prefekt i Vlorës. Fshatrat e Lumit të Vlorës u dogjën dhe qindra banorë mbetën në qiell të hapur pres shqiptarëve. Po e njëjta gjë ndodhi edhe në Mallkastër dhe po prej shqiptarëve. Faslli Toska dhe vëllai i tij Isa Toska u prinin italianëve në masakrën mbi popullsinë e pambrojtur. Kjo është historia, të cilën ne nuk kemi ditur ta lexojmë asnjëherë ashtu siç duhet sepse narrativa jonë ka qenë peng i rrëfimit mbi heronjtë dhe jo i rrëfimit për fatet e njerëzve të thjeshtë.

Ajo përmendore, gati si e turpshme, që qëndron në anë të rrugës kur shkon për në fshatin e tim eti në Lapulec nuk ka as kohën kur ka ndodhur masakra dhe as ndon jë kontekst tjetër. Edhe emrat janë shkruar pa numër rendor. Ashtu ata të krijonë përshtypjen e një grumbulli njerëzish pa identitet. Në fakt janë 39 burra mes tyre gjyshi im Luto Yzeiri dhe shumë pjesëtarë të fisit të tim eti.Vetëm nga një fshat që nuk kishte më shumë se 500 frymë dhe të gjithë të varfër. Faji i tyre ishte se disa banorë të këtij fshati kishin marrë pjesë në luftën e çetës territoriale të Mallkastrës në Patos.

Dhe vijmë kështu te një konstante tjetër. Të gjitha pasojat e veprimit të heronjve i paguajnë të pafajshmit. Nëse gjatë Luftës NacionalÇlirimtare bastardë si Kaloshi, Alija apo Isa e Faslli Toska udhëhoqën pushtuesit dhe masakruan bashkëpatriotët e tyre, edhe komunistët, pasi morën pushtetin, u hakmorën ndaj tyre duke masakruar e internuar familjarët e tyre të pafajshëm. Në të gjitha rastet pasionet e heronjve i paguajnë njerëzit pa emër. Dhe më e trishtueshmja është se historia ndërtohet jo duke rikujtuar fatin e këtyre njerëzve të pafajshëm, por duke ndërtuar narrativa të fryra e të rreme disa herë për heronjtë.

Ky fatalitet njerëzor nuk është tipar vetëm i shoqërisë shqiptare. Për fat të keq, shumë qytetërime më të sofistikuara se i yni e ruajnë këtë mënyrë vlerësimi për të shkuarën duke nxitur edhe të ardhmen si një narrativë që shtyhet e mbahet në këmbë prej heronjve.

Vendet e zhvilluara perëndimore, ato skandinave sidomos, por edhe Zvicra e të tjera si ajo, bëjnë kujdes që në memorin kolektive të ketë sa më pak vend për heronjtë dhe më shumë hapësirë për njerëzit pa emër, për ata që sakrifikohen në emër të idealeve të drejta ose jo. Prej këtej edhe politikat e tyre ekonomike ndërtohen duke pasur parasysh fatet e këtyre shtresave dhe jo ato të heronjve që sot shfaqen me emrin e pasunarit apo të bosit.

Ajo përmendore në anë të rrugës që shkon në fshatin e babait tim në Lapulec është një kushtrim për të kuptuar se një shoqëri e shëndetshme mund të pajtojë gjakrat dhe shpirtin nëse kujton dhe nuk harron sakrificat e njerëzve që masakrohen dhe vriten në kohë luftë apo që përjashtohen nga jeta ekonomike në kohë paqeje. Mjaft të analizojmë vetëm një ngjarje nga ato që ndodhin pa fund në këtë vend. Gazetari Adriatik Doçi, në një investigim botuar në « Shqiptarja.com », tregon se katër kompani që prodhojnë qumësht dhe nënproduktete tij kanë lobuar në mënyrë jo transparente me disa politikanë dhe anëtarë të qeverisë që të ulin taksën për importin e qumështit pluhur. Pikërisht ky mentalitet që mbështetet te përkrahja e protagonizmit ekonomik të katër personave, pra, të katër heronjve është tipari antropologjik i tipit të të menduarit shqiptar në politikë. Sipas kësaj mendësie ata që nuk llogariten janë prodhuesit shqiptare të qumështit, barinjtë, blegtorët e pambrojtur. Në vend që qeveria ta ketë prioritet mbrojtjen e tyre duke i detyruar ata që të blejnë qumështin e këtyre fshatarëve, ajo ua shkurton punën heronjve të qumështit dhe i ndihmon ata që masa e madhe e blegtorëve shqiptarë të mbeten në anë të rrugës pa mbrojtje dhe të humbur, ashtu si monumenti i 39 të vrarëve që ndodhet në fillim të rrugës për në fshatin e tim eti, në Lapulec.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë