Ilirjan Zhupa nga diplomacia
te vjershëria e tij gjuhëbuku

Ilirjan Zhupa nga diplomacia<br />te vjershëria e tij gjuhëbuku

Është përuruar në Panairin e Librit “Tirana 2015” libri “Të gjallë e të vdekur”, i Ilirian Zhupës. Cilësitë e tij të vyera, ky poet i ka shfaqur prej vitesh në jetën, përjetimet dhe në shkrimet e tij: si diplomat me kulturë dhe me ndjenjën e lartë të kombëtarisë e të detyrës, si shtetar, si punonjës shqiptar në një vend të huaj me sytë ndaj qytetarëve shqiptarë, qofshin të thjeshtë, si unë, qofshin edhe me detyra të rëndësishme, që ka pasur rastin të ketë kontakt në vendin ku ai ka shërbyer si diplomat.

Disa vjet më parë, kur pata shkuar në Selanik për të marrë në provim disa studentë grekë në Institutin e Gjuhëve të Huaja të Selanikut (IMHA), ai ishte Konsull atje dhe më ka pritur aq mirë, saqë edhe faqe profesorëve grekë që më kishin ftuar, la një përshtypje të jashtëzakonshme. Dhe ajo është përshtypja  e mirë që krijohet, kur në përfaqësitë diplomatike dërgohen njerëz me kulturë, njerëz të letrave, të artit e të shkencës. Kjo udhë që ka filluar kohë më parë me një numër të mirë shkrimtarësh e njerëzish të shkencës e të arteve, si Luan Rama, Besnik Mustafa, Ylljet Aliçkaj (në Francë), Visar Zhiti e Pëllumb Xhufi, Kolec Topalli, Villy Kamsi (në Itali), Natasha Lako (në Suedi), Shpëtim Çuçka (në Rusi), Fatos Tarifa (në Hollandë e në SHBA etj.), Rudof Marku (në Britraninë e Madhe) etj. dhe uroj që një praktikë e tillë të  vazhdojë, sepse edhe bota do të na nderojë më shumë, do të kuptojë se kemi edhe vlera të heshtura, që meritojnë të njihen e të kundrohen nga afër.

Dhe, përtej kësaj, por kjo nuk është mirëfilli fusha ime, dëshiroj të pohoj se Ilirian Zhupa është poet me krijimtari të begatë e fjalëbukur, mjeshtër i tëhollimeve dhe gjetjes së fjalëve dhe figurave poetike me dorë të sigurtë, që të kujton gurëgdhendësit e përkushtuar dhe ndërtuesit e regjur të veprave të artit, që duhet të jenë të forta, të qëndrueshme, po edhe sa më të bukura.

gjovalin shkurtaj


Kam lexuar sa është shkruar edhe këto ditë në faqet letrare për librat më të rinj të Ilirianit, e përgëzoj  autorin për vlerësimet meritore që kanë shprehur një numër studiuesish e poetësh, të cilët ia njohin dhe ia çmojnë rreshtat dorëmbarë që ai ka krijuar në rrjedhë të moteve, duke e cilësuar me të drejtë  si “poeti i kërkimit të gjatë artistik e filozofik” (Sh.Murati), dhe krejt shkurt, duke u bashkuar me vlerësimet e shprehuara nga parafolësit (përkatësisht: shkrimtari e poeti Preç Zogoj dhe prof.Ymer Çiraku) do të ndalem në disa vlerësime që shkojnë edhe nga krahu i mjeshtërisë sime si gjuhëtar. Pra, disa vlerësime për ligjërimin poetik të Ilirian Zhupës.

Nuk do të shtrohem gjerë në “tjerrje” teorike, por nuk mund të mos kujtojmë se letërsia artistike është një laborator në të cilin kalon përpunimi krijues i normës së shprehjes letrare- model dhe i mjeteve të të folurit të gjuhës së përbashkët. Kjo përcakton vendin dhe rolin e gjuhës së veprave artistike në sistemin e stileve të gjuhës letrare kombëtare. Në veprat e shkrimtarëve të njohur, jo vetëm është pasqyruar sa më e qartë dhe më e plotë struktura e gjuhës letrare, por edhe janë shprehur qartë prirjet e zhvillimit të saj. Shtrojmë pyetjen e thjeshtë, por edhe themelore për të kundruar, pa gabuar, ligjërimin e letërsisë artistike,pra edhe të poezisë së mikut tonë Ilirian Zhupa: Si punon ai me fjalën, çfarë hulumton, si e përpunon atë që i nden gjuha e gjallë, cili është “kuti” a “masa” e përzgjedhes së tij?

Mendoj se nuk gaboj aspak po të pohoj se parimi krijues i poetit Ilirian Zhupa është edhe gjuhësisht frymëgjatë dhe i lëvdueshëm.
Ai e kërkon fjalën dhe, kur e gjen të pëlqyeshme, e merr dhe e shtie ne vargje, ashtu si mjeshtrat e sprovuar të ndërtimit kur e gjejnë gurin e përmasave të duhura për murin e ngrehinës.

Shihni, p.sh. përzgjedhjen e fjalëve në vjershën  “Rrenë e vërtetë”, ku fjala rrenë, një lemë e hershme e mbarë shqipes, porse me kohë e rralluar në ligjërimin e folur, po edhe në shkrimtarinë e sotme, duke mbetur tashmë si një  dysor kryesisht krahinor i gegërishtes, pëlqehet dhe pranohet pa ngurim nga autori,  shkrihet këndshëm me indin ideor të vjershës dhe  ligjërimi vjen e fisnikërohet, pasurohet e  lëmohet aq bukur, saqë kjo ia shton ëndjen lexuesit, por ia shumon edhe dëshirën për ta lexuar e për të gjetur tharmin poetik të saj. Dhe, në këtë anë, Iliriani është një nga më të thekurit në përbluarjen e mbrujtjen e tesktit me nëntekste prekëse, therëse dhe mendimkëndellëse. Ja, le ta citojmë e ta shijojmë së bashku:
 
Ditës i rrimë përballë,
më pak të vdekur, më shumë të gjallë.
 
Natës përgjojmë të heshtur,
më pak të gjallë, më shumë të vdekur.
 
Vetëm muzgut që tretet dhe agut,
u tregojmë plagët.
 
Edhe më pohues janë tehu atdhetar dhe gjakimi  kombëtar shqiptar te vjersha  “Kombi im”, një krijim Ungaretian,  që të bën të vuash e të ndiesh dhimbje në thelb të zemrës, kur e sheh se ku godet nënteksti i vjershës:
 
Kombi im,
të kam komb në fyt,
as të vjell dot,
as të gëlltit.
 
Edhe më tipike Ungaretiane më duket vjersha “Sërish”, prej më pak se dy rreshtash:
 
U dogja sërish nga një dritë e beftë syri.
 
Po hiri?
ku është hiri?
 
A nuk na kujton poezinë e famshme të Ungaretit prej vetëm një vargu:
“M’illumino d’imensitá”.
Dhe, së mbrami, meqë edhe kohën e kemi nevojisht të rrudhur, po përmend disa prej vargjeve të vjershës “Përtej…”
 
Përtej jetës është vdekja: – Po ç’është përtej vdekjes?
Përtej dashurisë është urrejtja: - Po ç’është përtej urrejtjes?
Përtej dritës është errësira: - Po ç’është përtej errësirës?
Përtej së keqes është e mira: - Po ç’është përtej së mirës?, etj.
 
Por, vjersha për të cilën, ndonëse për arsye kohe, nuk do të ndalem gjatë, por që do të dëshiroja ta lexonte çdo shqiptar, është ajo me titullin “Ikja e dherave”, ku poeti i mbyll strofat me pohimin trishtim-ndjellës e mendje-turbullues: “po mua më tremb ikja e dherave”:
Ikin zogjtë çdo vjeshtë mes qiejve të tunxhtë,
me gjethet e zverdhura, mes shtjellës së erërave,
ikin ujërat me avujt e shirat e plumbtë,
po mua më tremb ikja e dherave.
 
Ikin njerëzit pas brigjeve në një udhë të trishtë,
mbetet prapa pritja e ngjethtë – ankth e pezm,
ikin gurët e varreve në një pllajë të rrëpirtë,
e mua prapë ikja e dherave më tremb.
 
Dhe, duke përdorur anaforën si kalë beteje, poeti përmbyll me shqetësim të thekshëm dhe elegjiak:
“E mua më tremb ikja e dherave gjithmonë,
jo ikja e zogjve, e gjetheve, e ujërave, planeteve.
Ikja e dherave është ikja e gjakut dhe shpirtit tonë
të brishtë. Përtej sikleteve...”
 
E veçanta e letërsisë është pikërisht ndikimi estetik që ajo ushtron. Shpreh bindjen se këtë cilësi vjershat e Ilirian Zhupës e plotësojnë në shkallën më të lartë dhe për këtë nuk ka pse t’i kursejmë vlerësimet dhe lavdërimet. Në mënyrë të veçantë, si gjuhëtar, më takon t’i ngrihem në këmbë e ta përgëzoj autorin për vjershën  me titull “Gjuha shqipe”. Një vjershë e gjatë, por jo e zgjatur, që mbin si pilashnjok i njomë mbi trungun e vjershave pararendëse me të njëjtin titull e temë, qysh nga Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, te poetët arbëreshë si Karmell Kandreva e Zef del Gaudio, apo me simotrën kushtuar “Fjalorit të gjuhës shqipe” nga poeti Xhevahir Spahiu. Një krijim aq i bukur dhe që meriton të përfshihet në antologjitë e poezisë së sotme shqiptare. Sapo të shkoj në shtëpi, do t’ia dhuroj mbesës sime, Martinës dhjetëvjeçare, që ta lexojë e ta mësojë përmendsh...

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Krimineli maqedonas dhe shqiptari lidhin e dhunojnë 3 të moshuar në Greqi! U grabisin 19 mijë euro e stoli! Arrestohen në pyll

Krimineli maqedonas dhe shqiptari lidhin e dhunojnë 3 të moshuar në Greqi! U grabisin 19 mijë euro e stoli! Arrestohen në pyll