In memoriam/ Kaba: Pse
ndryshoi qëndrim Noli ndaj Zogut

In memoriam/ Kaba: Pse<br />ndryshoi qëndrim Noli ndaj Zogut
TIRANE - Libri që mban titullin: “Fan Noli-kryeministër” u promovua dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Prof. dr. Kaliopi Naska bëri një paraqitje të hollësishme të vlerave të këtij libri, ndërsa prof. Pëllumb Xhufi e ka vlerësuar figurën e Nolit si “rilindësin e fundit” që mori përsipër të kryente disa detyra që nuk arriti t’i kryente Rilindja Kombëtare dhe Qeveria e I. Qemalit.

Sipas Xhufit, Noli mori përsipër, së pari, krijimin e kishës autoqefale shqiptare, detyrë të cilën e kreu; së dyti, hartimin e një monografie për Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeun; së treti, revolucionin social për kapërcimin e vendit nga feudalizmi në shoqërinë e lirë demokratike. Në libër janë përfshirë kumtesat e mbajtura me rastin e 90-vjetorit të kryesimit të qeverisë shqiptare në gjysmën e dytë të vitit 1924, në okelion “Fan S. Noli kryeministër”, të cilat janë pasuruar me disa materiale të tjera.

Në hartimin e librit, i cili publikohet nën siglën e botimeve “M&B”, kanë kontribuar studiues si akademik Jorgo Bulo, Dhimitër Anagnosti, president nderi i fondacionit Fan S. Noli, prof. dr. Nasho Jorgaqi, prof. dr. Paskal Milo, prof. dr. Pëllumb Xhufi, prof. dr. Hamit Kaba, prof. dr. Shaban Sinani, prof. Ksenofon Krisafi, studuiesja e re Danja Sinanaj, etj. Libri “Fan Noli kryeministër” u përgatit për botim nga Naim Zoto dhe është redaktuar nga studiuesi Shaban Sinani. Të drejat e autorit i përkasin Fondacionit “Fan Noli”, Tiranë.  

Noli ndërroi jetë më 13 mars 1965
Më 13 mars bëhen plot 50 vjet nga vdekja e Fan S. Nolit. Përfaqësues të fondacionit Fondacioni kulturor “Fan Noli” janë shprehur se e kanë ndjerë si detyrim përgatitjen dhe botimin e një libri në këtë jubile, ashtu si ka mbështetur në vijimësi promovimin e këtij personaliteti të kulturës dhe historisë kombëtare, përfshi disa monografi për jetën dhe veprën e Nolit, ngritjen e monumentit të Fan Nolit pranë shkollës që mban emrin e tij në Tiranë, një CD me krijimtarinë muzikore të Nolit, etj.

Figura e Nolit mbetet një figurë shumë komplekse dhe studiues të shumtë përpiqen të hedhin dritë mbi qëndrimet e tij politike dhe veprimtrinë atdhetare. Një pasqyrë interesante të kompleksitetit të kësaj figure ka bërë Prof. Dr. Hamit Kaba, i cili shkruan studimin e botuar te “Fan Noli-kryeministër” se ideja për krijimin e një kabineti qeveritar me 4-5 anëtarë, me të zgjedhur nga përfaqësuesit e kolonive shqiptare në SHBA, Turqi dhe Egjipt e të financuar nga Zogu gjatë dy viteve të para pas krijimit të saj, u paraqit nga ky i fundit në një bisedë të zhvilluar me ish-ministrin britanik në Shqipëri, Rajan (Rayan), më 24 janar 1921.

Fillimisht ideja u mbështet nga Konica dhe pastaj edhe nga Noli dhe mori formë të plotë pas vendimit që u mor në kuvendin e “Vatrës” në korrik 1922. Noli dhe Konica e paraqitën dhe mbrojtën fort idenë e një Fronti të Bashkuar Shqiptar në një deklaratë që i paraqitën Departamentit të Shtetit më 19 nëntor 1922. Pika 3 e saj shpallte se asnjë anëtar i këtij Fronti nuk do të hiqte dorë nga ideologjia e tij politike, dhe se bashkëpunimi do të vazhdonte derisa të sigurohej integriteti territorial  dhe pavarësia e Shqipërisë.

Ndryshimi i qëndrimit të Nolit ndaj Zogut u komentua si “rënie nën magjinë e Faik Konicës dhe shkaktoi pakënaqësi tek një pjesë e vatranëve. Përfaqësues të “Vatrës” dhe “Shqipërisë së Lirë” u munduan të sheshonin mosmarrëveshjet për të arritur në një zgjidhje të pranueshme për bashkim, përmes disa formulave si Qeveri në emigracion, Komitet Kombëtar apo Front Kombëtar. Çekrezi pretendonte se Komiteti i krijuar prej “Shqipërisë së Lirë” do të njihej nga qeveria amerikane, gjë që nuk e arriti dot, ndërsa Noli mendonte se as Britania e Madhe dhe as SHBA nuk e kishin angazhuar veten me çështjen shqiptare, kështu që ai preferonte të mbështeste Zogun.

Por duhet të kemi parasysh se mbështetja ndaj Zogut dhe qeverisë së drejtuar prej tij në emigracion ishte e kushtëzuar. Qeveria e Zogut në emigracion do të përfaqësonte Shqipërinë deri në Konferencën e ardhshme të Paqes apo çlirimin e vendit dhe do të zgjidhte probleme të tilla si njohjen e saj nga qeveritë e Aleatëve të Mëdhenj, solidarizimi me Kartën e Atlantikut, njohjen e Shqipërisë si vend anëtar i Kombeve të Bashkuara Antifashiste, mbrojtjen e kufijve të vendit etj.” Studimi i Kabos dhe libri në tërësi jep më të plotë thelbin e përplasjeve mes Zogut, Nolit e Konicës kur viheshin në rrezik kufijtë dhe pavarësia e Shqipërisë nga loja poltike dhe diplomatike e ndërkombëtarëve.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf