In Memoriam/ Ndahet nga 
jeta përkthyesi Amik Kasoruho

In Memoriam/ Ndahet nga <br />jeta përkthyesi Amik Kasoruho
Është ndarë dje nga jeta në moshën 82-vjeçare përkthyesi, shkrimtari e publicisti Amik Kasoruho, pasi prej kohësh vuante nga një sëmundjeje e rëndë në mushkëri. Amik Kasoruho përktheu ne shqip vepra nga Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins e shumë shkrimtarë të tjerë të njohur. Ai është fitues i çmimit special të jurisë në konkursin “Eks & Tra” për shkrimtarët emigrantë në vitin 1999. Ndërsa në vitin 2000 u nderua me çmimin "Civitas - Arberia 2000 Calabria" për mirëmbajtjen e revistës italo-shqiptare të arbëreshëve "Katundi Ynë".

Letërsia, eseistika dhe publicistika e tij me e rëndësishme mbetet ne veprat “Midis burgut dhe dritës”, “Çmimi i një ëndrre”, “Fluturimi i gjatë i një ore” si edhe “Një ankth gjysmëshekullor – Shqipëria e Enver Hoxhës”. Vitet e fundit ka botuar në Kosovë romanin autobiografik “Ikje nga trilli i perëndive”. Amik Kasoruho u lind në Tiranë në vitit 1932, ndërsa ne moshën 17-vjeçare u arrestua dhe u dënua me 10 vite burg. Ndërkaq i ati, Qemal Kasoruho, pushkatohet pa proces, vetëm 5 ditë pas arrestimit, bashkë me 21 intelektualë të tjerë, pas incidentit të inskenuar nga sigurimi i shtetit komunist për një bombë të hedhur në ambasadën sovjetike në 19 shkurt të vitit 1951. Pas burgut, bashkë me familjen Amik Kasoruho jetoi për 27 vjet në internim. Përkthimi nisi në burg për ta shoqëruar atë si profesion gjatë gjithë jetës së tij, krahas krijimtarisë origjinale dhe publicistikës. Amik Kasoruho është dekoruar nga presidenti Bujar Nishani me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Libri për jetën në diktaturë
Libri “Një ankth gjysmëshekullor, Shqipëria e Enver Hoxhës” ka një lidhje të drejtpërdrejtë me jetën e autorit Amik Kasoruho, të dënuar nga diktatura. Libri është botuar për herë të parë në vitin 1993 dhe ribotuar për herë të katërt në Itali. Në Shqipëri u botua vetëm në vitin 1996, botim i cili sot nuk gjendet më nëpër libraritë tona. Ku libër është shoqëruar me një recension nga profesori i filozofisë dhe shkencave politike, Maurizio Schoepflin, në gazetën “Libero”, në gusht të 2012-s me rastin e ribotimit të librit të Kasoruhos në Itali.

“Fjalët janë gjithmonë më fisnike kundrejt egërsisë së ngjarjeve”, ky pohim i shkruar nga Gaetano Dammaço, profesor i Universitetit të Barit të Italisë, në parathënie është çelësi më i mirë për të lexuar librin e Amik Kasoruhos, “Un Incubo di mezzo secolo”. L’albania di Enver Hoxha (Besa Editrice). Po, sepse për shembull, ne jemi mësuar të themi “Shqipëria e Enver Hoxhës” , sikurse themi “Gjermania e Hitlerit”, apo “Rusia e Stalinit”, pa u kujtuar që pas këtyre përcaktimeve, që ndoshta mezi mund të durohen në një manual aseptik historie, fshihen makthe në plot kuptimin e fjalës.

Ai i Shqipërisë së Enver Hoxhës zgjati pothuajse gjysmë shekulli, siç na kujton Kasoruho, studiues i lindur në Tiranë, sot pothuaj tetëdhjetëvjeçar, të cilit regjimi komunist i pati pushkatuar të atin, vuajti shtatë vjet burg e njëzetenjë vjet i dëbuar në një fshat të vogël me rreth një mijë banorë”. Kasoruho rrëfen përvojën e një makthi, që fillon qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe zgjatet disa vjet pas vdekjes, në prill të vitit 1985 të Hoxhës, liderit komunist që kishte shkretuar shoqërinë shqiptare.
 
Shkrimi u publikua sot, 6 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com) 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)