Inaugurimi i rrugës Vorë – Kuç, Zv/Kreministri Peleshi: Reforma Territoriale nxit zhvillimin e Vorës

Reforma Territoriale që u votua nga Kuvendi disa javë më parë është një hap pozitiv drejt fuqizimit të Bashkisë së Vorës.

Deklarata u bë nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, i cili ishte i pranishëm gjatë inaugurimit të rrugës Vorë - Kuç, një projekt i Fondit Shqiptar të Zhvillimit që lidh disa fshatra të Bashkisë ekzistuese Vorë.
Zëvendëskryeministri bisedoi me banorët për ndikimin e Reformës Territoriale Administrative në rritjen e kapaciteteve të bashkive, por edhe mbi instrumentet si Fondi Shqipëtar i Zhvillimit dhe Fondi i Zhvillimit të Rajoneve të cilat do të riformatohen për të mbështetur nga afër njësitë e reja të qeverisjes vendore.

"Reforma Territoriale është një hap shumë pozitiv, e para sepse krijon bashki më të mëdha, kursen një pjesë të fondeve që deri dje përdoreshin për shpenzime të fryra administrative dhe këto para tani mund të përdoren për investime. Ka kapacitete më të mira një bashki e madhe sesa një komunë e vogël dhe kapacitetet janë shumë të rëndësishme kur vjen fjala për projektimin e investimeve apo punëve publike, por edhe për zbatimin e tyre. Por edhe ne si qeveri do t'i forcojmë shumë, Fondin Shqiptar të Zhvillimit i cili ka realizuar këtë rrugë, por edhe Fondin e Zhvillimit të Rajoneve si instrumente që do të punojnë pranë bashkive të mëdha për t'i mbështetur në projektim, në financim por edhe në zbatimin e projekteve." - u shpreh Zëvendëskryeministri Niko Peleshi.

I pranishëm në inaugurim ishte dhe deputeti i zonës, Artan Gaçi si dhe banorë të Vorës.Deputeti Artan Gaçi u shpreh po ashtu me tone optimiste për perspektivën e zhvillimit të bashkisë së re të Vorës.

"Vora kthehet, me Reformën e re Administrative, në një fuqi ekonomike duke qenë se është në zemër të Shqipërisë dhe bashkë me Bërxullën dhe Prezën kthehen në një pol shumë të rëndësishëm ekonomik" - tha deputeti Artan Gaçi.
Një shqetësim i ngritur nga banorët lidhej me furnizimin me ujë të pijshëm, ku pavarësisht investimeve në ujësjellës, Vora dhe fshatrat përreth vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit. Zëvendëskryeministri e konsideroi këtë si një rast tipik të keqmenaxhimit të investimeve dhe theksoi se qeveria është e vendosur t'i japë fund kësaj situate.

"Ne duam t'i japim fund historisë së miliona e miliona eurove të shpenzuara në gjithë Shqipërinë për ujësjellësa, kanalizime, impiante të përpunimit të ujërave dhe që sot janë jashtë funksionit. Shqipëria mesa duket nuk ka vuajtur nga mungesa e fondeve, por ka vuajtur nga keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi" - u shpreh Zëvendëskryeministri Peleshi./ATSH/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Bulqizë! Policia gjen një motor të djegur