SPAK të përshpejtojnë ritmin e të proceduarve penal për aferën e inceneratorëve dhe Rama të ndal presionin ndaj prokurorisë së posaçme, ishte mesazhi që përcolli kreu i PD-së Lulzim Basha gjatë një konference për mediat. Duke raportuar mbi punën lidhur me dëshmitë që është bërë deri më tani në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, Lulzim Basha ironizoi deklaratën e Ramës në Zërin e Amerikës i cili tha se kush ka punuar pas shpinës së qeverisë dhe ka “ngjyer gishtat” duhet të dalë para drejtësisë. Për Bashën këto janë deklarata të pabesueshme pasi të gjitha aferat kryen në sy dhe me vendim të Ramës. Gjithashtu kryedemokrati i bëri thirrje Ramës që të mos i bëjë presion SPAK dhe ta lërë të qetë të hetojë këtë aferë ku sipas tij janë përfshirë deputetë dhe ministra të PS.

“Po si u ngjyeka gishti pas shpinës së kryeministrit? Këto akte kanë ndodhur para syve të tij se vendimet merren nga ai. Faktet janë në dritë të diellit dhe java e parë i ka provuar të gjitha denoncimet e PD-së ku shqiptarëve iu janë vjedhur 430 mln euro për mafinë e djegies së plehrave. I bëjë  thirrje Ramës të heq dore nga presioni që i bën SPAK dhe lejoje që të bëjë të gjithë hetimet përfshirë edhe prangosjes së atyre që janë në rrezik arratisje si Zoto e Gullgla dhe të prishin provat. I bëj thirrje SPAK mos u intimido nga presioni i Ramës, paguhesh nga taksat e shqiptarëve për të zbatuar ligjin dhe për të çuar para drejtësisë politikanët e korruptuar’, tha Basha.

Teksa i kujtoi SPAK-ut se ka mbështetjen e plotë të PD dhe të tijën personale për të vijuar deri në fund hetimet për inceneratorët, Basha u shpreh se ka frikë se hetimi mund të dështojë nga presionet politike që i bëhen prokurorisë.

“SPAK e garantova për mbështetjen e PD dhe timen personale për të bërë detyrën e vet. Padyshim nuk e fsheh frikën, jo vetëm timen që nën presionin e pandalshëm politik, mund të dështojnë, mund të çojnë çështjen drejt dështimit”, tha Basha.

Gjithashtu Basha tha se 3 deputetë të PS anëtarë të komisionit hetimor janë të përfshirë në aferën e inceneratorëve, por pa bërë publik emrat e tyre. I pyetur nga gazetarët se kush janë, Basha tha se do i tregojë emrat shume shpejt.

“Që të mos tregojnë faktet, kolegët socialistë në komision kanë marrë përsipër të pengojnë ardhjen e atyre në komisionin hetimor, dhe kur vjen ndokush, të bëjnë zhurmuesin. Tre nga anëtarët socialistë të komisionit janë në konflikt interesi, pra janë të përfshirë vetë në etapa të ndryshme të aferës së inceneratorëve”, tha Basha.

Basha gjithashtu i ka dhënë afat drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nanos që të kthejnë përgjigje në Komisionin Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS për lëvizjet që kanë bërë jashtë vendit personat e përfshirë në aferën e inceneratorëve.  

"Gjej rastin ti bëj thirrje drejtorit të përgjithshëm të policisë, Gledis Nano. Në bazë të ligjit dhe kushtetutës së vendit, nuk mund ti mohojë policia e shtetit, aksesin në informacionin e kërkuar, nga komisioni i hetimit për inceneratorët, të lëvizjes së personave, për të cilat është bërë kërkesa”, tha Basha.

Në konferencë ishte e pranishme edhe Jorida Tabaku, e cila e ka cilësuar të gjithë skemën e inceneratorëve dhe krijimin e kompanive të ndryshme nga të njëjtin persona që janë në kërkim Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe Mirel Mërtiri si skemë piramidale që rrezikon financat e shtetit.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:47
Basha: SPAK të përshpejtojë ritmin e procedimit penal për inceneratorët, ka mbështetjen time! Për shkak të presioneve mund të dështojë

Luzlim Basha tha se SPAK ka mbështetjen e plotë të PD dhe të tijën për të vijuar deri në fund hetimet për inceneratorët. Basha u shpreh se ka frikën se hetimi mund të dështojë nga presionet politike, ndërsa shtoi se SPAK po ecën me ritme tepër të ngadalta për këto hetime duke i lejuar të përfshirët të arratisen nga vendi.

“Dua të besoj që SPAK të bëjë detyrën e vet. I bëra një thirrje të përsëritur SPAK e garantova për mbështetjen e PD dhe timen personale për të bërë detyrën e vet. Padyshim nuk e fsheh frikën, jo vetëm timen që nën presionin e pandalshëm politik, mund të dështojnë, mund të çojnë çështjen drejt dështimit. Presioni politik po bëhet, po bëhet publikisht dhe në mënyra të tjera, pa diskutim që kam dijeni. Aq sa i tregon ti burimet e tua, aq kam dhe unë ndërmend t’i tregoj burimet e mia. Disa prej tyre duhen mbrojtur. Për një gjë të siguroj që po i bëhet presion. Në këtë moment që flasim, me gjithë inkurajimin që po u jap, jam krejtësisht i pakënaqur me ritmin e procedimit penal, në të gjitha aspektet, të hetimit, të ndalimit të personave që mund të prishin provat, apo mund të largohen, në veçanti të atyre që kanë imunitet politik”, tha Basha.

Ora 13:45
Basha ultimatum Nanos: Deri të hënën ke afat për të dhënë përgjigje në Komision për sistemin TIMS

 

Kreu i PD-së Lulzim Basha i ka dhënë afat drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nanos që të kthejnë përgjigje në Komisonin Hetimor për lëvizjet që kanë bërë jashtë vendit personat e përfshirë në aferën e inceneratorëve. Basha thotë se ndalimi për të çuar këto të dhëna tek Komisoni Hetimor është bërë me urdhër të Ramës.

"Gjej rastin ti bëj thirrje drejtorit të përgjithshëm të policisë, Gledis Nano. Në bazë të ligjit dhe kushtetutës së vendit, nuk mund ti mohojë policia e shtetit, aksesin në informacionin e kërkuar, nga komisioni i hetimit për inceneratorët, të lëvizjes së personave, për të cilat është bërë kërkesa. Ia bëk këtë kërkesë sepse e di, po kështu nga informacionet e ardhura në partinë demokratike , se ndalimi i raportimit të të dhënave, të sistemit “Teams”, nuk është bërë me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, por me urdhër politik nga, citoj, “nga lart”. Nuk ka lart, kur vjen puna tek zbatimi i ligjit. Ndaj, z. Gledis Nano, drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, i bëj thirrje që, brenda ditës së hënë, brenda afatit më të shkurtër të mundshëm, sepse si ministër i brendshëm që kam kontribuar në instalimin e sistemit “Teams” , për ti siguruar shqipëtarëve lëvizjen e lirë, një nga kushtet, e di se sa e kollajtë është ti kthehet përgjigje komisionit hetimor, ti kthehet përgjigje kryetares Tabaku dhe ti thuhet; nëse këta ministra apo këta persona të lidhur me inceneratorët, kanë udhëtuar sëbashku, me tokë, me det apo me ajër, dhe sa herë kanë udhëtuar sëbashku. Si dhe ti kujtoj se, mosbashkepunimi i policisë së shtetit me komisionin parlamentar për hetimin e inceneratorëve, përbën në vetvete, jo thjesht një vepër penale, por një diskreditim të policisë së shtetit para syve të qytetarëve dhe para syve të partnerëve", tha Basha.

Ora 13:31
A do bashkëpunojë PD me LSI për provat e inceneratorëve? Tabaku: Kush ka prova t’i çojë në SPAK nuk jemi në garë kush denoncon më shumë

Gazetarja e Report Tv Danjela Maloku ka pyetur kryetaren e Komisionit hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku nëse do të bashkëpunoj me LSI lidhur me denoncim e inceneratorëve, pasi edhe kjo e fundit ka bërë publike sipas saj të provave të kësaj afere. Tabaku tha se SPAK është i hapur për të gjitha denoncimet e partive dhe se nuk janë në një garë se kush denoncon më shumë. Megjithatë shtoi se i ka bërë një kërkesë Petrit Vasilit nëse ka dashur të shtojë prova e denoncime në komision, por nuk ka marrë përgjigje

“Nuk jemi në garë se kush po denoncon më shumë., unë i kam nisur një kërkesë Petrit Vasilit që nëse do të sjellë të tjera prova lidhur me inceneratorët nuk e ka bërë. SPAK është aty për të gjitha partitë për të denoncuar, nuk jemi në lutë protagonizmi këtu”, tha Tabaku.

 

 

Ora 13:17
Tabaku: Skemë piramidale që rrezikoi financat e shtetit

Kryetarja e Komisionit hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku e ka cilësuar  të gjithë skemën e inceneratorëve dhe krijimin e kompanive të ndryshme nga të njëjtin persona që janë në kërkim Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe Mirel Mërtiri si skemë piramidale që rrezikon financat e shtetit.

Tabaku theksoi se janë krijuar kompani guaskë dhe kanë paguar veten duke krijuar kështu një monopol.

“Kanë paguar veten. Kjo është një skemë piramidale për të mbuluar ku shkojnë paratë. Kjo skemë piramidale pastrimi parash është duke marrë mbrojtje politike. Çfarë kemi prodhuar me dëshmitarë në grupin e administratorëve. Ky grup prej 10 personash kanë marrë përsipër, kanë krijuar kompani njëra pas tjetrës dhe kanë marrë përsipër që të marrin këtë koncesion 430 milion euro. Çfarë i ka penguar që të konkurronin me emrat e vërtetë të kompanisë. Kjo tregon që është krijuar një monopol. Kush ishte ministri i Ekonomisë, çfarë bëri sekretari i  përgjithshëm që kishim një monopol 430 milion euro. A e dini që Edi Rama ka frikë ti firmos vendimet i firmos gjithmonë zv.kryeministri. Por dhe nëse s’ka përgjegjësi ligjore, a mban ai përgjegjësi morale. Ka dalë në mbrojtje publike të këtyre kriminelëve në kërkim. Mban përgjegjësi Erion Veliaj për këtë”, tha Tabaku.

Grafiku i publikuar nga Jorida Tabaku, që tregon sipas saj skemën korruptive të pagesave të inceneratorëve