Gjykata e Posaçme e Apelit rihap pjesërisht shqyrtimin gjyqësor për inceneratorin e Tiranës vetëm për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka. Trupa gjykuese e përbërë nga Ilirjana Olldashi relatore, anëtarë Nertina Kosova dhe Daniela Shirka, pranoi kërkesën e prokurorit të SPAK Dritan Prençi që të pranohet shqyrtimi mbi një provë të re që nuk është shqyrtuar deri në kohën kur dha vendimin shkalla e parë.

Prokurori Dritan Prençi kërkon në GJKKO përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor të provave të administruara në shkallën e parë.

Dritan Prençi: Në momentin kur është marrë vendimi nga GJKKO nuk kanë qenë këto rrethana të reja, që ne i mendojmë të tilla dhe duhet t’i vlerësojë tashmë ky kolegj. Kërkojmë përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor për të marrë disa prova sa i përket edhe ankimit që është bërë nga palët. Kjo edhe sa i përket Lefter Kokës ndaj të cilit është shuar masa e arrestit. Gjykata të vlerësojë provat që janë administruar në shkallë të parë.

Mbrojtja ka kundërshtuar duke thënë se sipas tyre ish-ministri është gjykuar, dënuar dhe gjykata ka shuar masën e arrestit ndaj tij.

Mbrojtja e Lefter Kokës: Kërkesa e SPAK për riçeljen e shqyrtimit gjyqësor është e pabazuar materialisht dhe proceduralisht. Lefter Koka është dënuar, nuk është shpallur i pafajshëm. Baza ligjore që SPAK kërkon për marrjen e një prove të re nuk është e drejtë për të mbështetur ankimin. Koka është gjykuar dhe hetuar për inceneratorin e Tiranës me masë “arrest në burg”, dhe në 16 prill 2025 është deklaruar fajtor që përkon dënimi me kohën kur ai ka qenë në paraburgim dhe gjykata shoi masën e sigurisë ndaj tij sepse përkonte me kohën kur ai ka qënduar në paraburgim. Kërkojmë rrëzimin e kërkesës së prokurorit.

Gjykata, pasi u kthye nga dhoma e këshillimit, pranoi kërkesën e SPAK për përsëritje të pjesshme të shqyrtimit. Duke marrë në konsideratë provat e kërkuara nga prokurori që lidhen Lefter Kokën, do të pyetet Jetmir Llapaj dhe Silena Tola, e cili është e pandehur në një hetim të lidhur.

Seanca është shtyrë për më 11 mars në orën 14:00.

Në prill të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme shpalli vendimin për Inceneratorin e Tiranës duke dhënë në total 15.6 vite burg për 7 të pandehur nga 26 vite që kishte kërkuar SPAK. Lefter Koka u dënua me 3 vite burg nga 4 që kërkoi Prokuroria e Posaçme. Nga gjykimi i shkurtuar dënimi i zbriti në 2 vite, kohë që do të konsiderohet e shlyer me qëndrimin në paraburgim.