SHKODER- Prej gati një viti 62-vjeçari T.B dyshohet se ka abuzuar seksualisht me vajzën e tij 14-vjeçare, me iniciale M.B, në një fshat në Velipojë. Këtë fakt e dëshmon edhe vajza tjetër e tij, jashtë kamerave, ndërsa thekson se babai i tyre që pas daljes nga burgu në vitin 2009 ishte mjaft problematik jo vetëm për familjen, por edhe për bashkëfshatarët e tij.
 
62-vjeçari ishte dënuar me 15 vite burg për plagosjen me pasojë vdekjen e një bashkëfshatari të tij, por kishte vuajtur vetëm 4 vite burg, ndërsa në vitin 2009 ishte liruar.
 
Njëra prej vajzave thotë se 62-vjeçari T.B është akuzuar më parë edhe për përdhunimin e një vajze në fshat. Ndërkaq, dyshohet se prej 1 viti, T.B abuzonte me vajzën e tij 14-vjeçare.
 
Sipas dëshmive, 62- vjecari përfitonte në momentet që e mitura ndodhej e vetme në banesë apo kur ndodhej me bagëti në stalla apo edhe në kodra.
 
Ndërsa, rasti më i fundit ka ndodhur dy ditë më parë, kur sipas dëshmive 14-vjeçarja ndodhej vetëm në banesë pasi nëna dhe vëllai me motrën tjetër ndodheshin në meshë.
 
Pas kësaj ngjarje 14-vjeçarja ka njoftuar motrën më të madhe dhe kanë bërë denoncimin, ndërsa policia ka arrestuar menjëherë 62-vjeçarin.
 
Vajza është dërguar në Tiranë, ku i është nënshtruar një ekspertize dhe ka rezultuar se është përdhunuar sistematikisht për afro 1 viti.
 
Ndërsa për 62-vjeçarin gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale të kryerjes së marrëdhënieve me të mitur brenda gjinisë.
 
62-vjeçari T.B ka ndryshuar dëshminë përpara togave të zeza në seancën e caktimit të masës së sigurisë, duke mohuar kryerjen e marrëdhënieve seksuale me vajzën e tij. Ndërsa mbrëmjen e djeshme para policisë T.B kishte thënë se “nuk mbante mend nëse e kishte përdhunuar të bijën apo jo pasi kishte qenë i dehur”.
 
Në deklaratën e bërë përpara trupit gjykues 62-vjecari ka deklaruar se vajzën e tij 14-vjeçare M.B. e kanë shtyrë të akuzojë të atin, 2 vajzat e martuara që ndodhen jashtë shtetit, pasi ky i fundit i kishte nxjerrë nga shtëpia kur ishte liruar nga burgu në vitin 2009.
 
Pas dhënies së masës së sigurisë, 62-vjeçari T.B, do të dërgohet në paraburgimin e Shën Kollit.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)