TIRANË- Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur sërish akuzave që kanë ardhur nga opozita pas ngjarjes në uzinën e Gramshit, ku rusët dhe ukrainasi tentuan të futen në uzinë. Rama ka hedhur poshtë akuzat se është cenuar siguria kombëtare, duke shkruar se të gjitha institucionet kanë funksionuar siç duhet në këtë ngjarje. Teksa i ironizon opozitarët, si mbrojtës të zellshëm të sigurisë kombëtare, kreu i qeverisë shprehet se duhet thënë vetëm e vërteta, që autoritet në këtë incident kanë vepruar si duhet.

"Me u gjet Kola në punë!" është një shprehje popullore që kaq shumë u shkron mbrojtësve të zellshëm të Sigurisë Kombëtare,shfaqur me të gjitha bateritë në ekrane,portale e faqe personale,duke mos lënë gjë pa thënë përveç të vërtetës: Institucionet  kanë funksionuar siç duhet!

Ky reagim i Ramës, vjen pas një sërë reagimesh nga opozita për ngjarjen në uzinën e Gramshit. Partia e Lirisë kërkoi që të bëhet një hetim transparent, pasi kjo ngjarje cenon sigurinë kombëtare. Një reagim pati edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tha se ‘turistët’ zbulues sulmuan si terroristë ushtarët e uzinës së Armëve në Gramsh. Berisha përsërit sërish që t’u ndalohet menjëherë hyjra në territorin e Shqipërisë turistëve rusë dhe të rivendoset regjimi i vizave me Federatën Ruse.

Një qëndrim mbajti edhe deputeti demokrat Gazment Bardhi i cili u ndal në ligjin që qeveria ka miratuar, në të cilin Policisë Ushtarake i hiqet e drejta për të mbrojtur objektet ushtarake. Bardhi thotë se këto ngjarje cenojnë sigurinë kombëtare, prandaj i bëri thirrje presidentit Bajram Begaj që të mbledhë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ai shton se duhen marrë masa urgjente deri në rishikim të ligjit.

Si ndodhi ngjarja?

Dy rusët Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç  dhe 25-vjeçarin ukrainas Fiodor Mihailoviç, po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve, teksa kanë tentuar që të futen brenda, janë pikasur nga ushtarët shqiptarë të cilët u kanë bërë me shenjë që të ndalojnë. Ato nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve shqiptarë, ndërsa njëri prej tyre Mikhail Zori, i ka sulmuar me spraj kimik. Të tre janë arrestuar nga policia, ndërsa po hetohen si spiunë të shërbimit sekret rus. Në makinën me targa ukrainase, që po përdorej prej tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri janë gjetur 2 dronë, 4 celularë, 1 laptop, 1 kamer, karta memorie, 3 pasaporta, 2 aparate fotografikë, harta, të cilat janë sekuestruar nga policia.

Ndërkohë edhe gjatë ditës së sotme policia ka arrestuar katër turistë çekë në fabrikën e Poliçanit. Ata u arrestuan në një distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit. Ata po filmonin ish fabrikën e fishekëve dhe tunele në Poliçan, ndërsa për tu futur kanë thyer derën e një tuneli dhe kanë dëmtuar drynin. Por, në fakt pisa e hetimeve për ta nuk është spiunazhi, pasi dyshohet se ishin thjesht turistë.

Postimi i kryeministrit Edi Rama