Indeksi i mundësive 2022, Shqipëria ka vështirësi në tërheqjen e investitorëve të huaj! Dhoma Amerikane: Ndryshimi i taksave problemi kryesor

Indeksi i mundësive 2022, Shqipëria ka vështirësi në tërheqjen e investitorëve të huaj! Dhoma Amerikane: Ndryshimi i taksave problemi kryesor

Mungesa e transparencës dhe korrupsioni mbeten pengesat kryesore në përmirësimin e klimës së biznesit, shqetësime që u ngritën edhe në raportin e fund të Transparency International për 2021. Edhe pse ka bërë përparim, përsëri Shqipëria renditet shumë poshtë në rajon sa i takon mundësive që ka për të tërhequr investime.

Sipas Indeksit Global të Mundësive 2022, Shqipëria renditet në vend të 66, nga 122 shtete që janë vlerësuar nga Milken Institute, një organizatë e SHBA. Në raport me vitin e kaluar kemi bërë përparim pasi në 2021, renditeshim në vend të 78, por në raport me rajonin jemi të fundit pasi Mali i Zi renditej vendin e 51, Maqedonia e Veriut në vend të 53 dhe Serbia e 59-ta.

Edhe pse këto shtete fqinje janë më tërheqëse se ne, Shqipëria lë pas në renditje Bosnjë-Hercegovinën që pozicionohet në vendin e 97, apo Greqia që është në vendin e 75.

Pika ku Shqipëria renditet më mirë është sa i takon fondamenteve ekonomikë, pikë për të cilën vlerësohet në vend të 43. Për vitin e kaluar vendi pati një rritje të fortë ekonomike e cila pritet të përmbyllet me 8.7% sipas Ministrisë së Financave.

Ndërkohë për Dhomën Amerikane të Tregtisë, “taksat” janë një ndër elementët më të brishtë të ekonomisë.

Problemi është ndryshimi i shpeshtë i taksave, që sipas presidentit të kësaj dhome Enio Jaço, shkaktojnë pasiguri tek investitorët.

“Taksat ndryshojnë çdo vit. Sa herë ndryshojnë prioritetet qeveritare, buxheti apo një koalicion politik. Këto ndryshime të shpeshta krijojnë konfuzion, pasiguri dhe pamundësi parashikimi. E megjithatë taksat “notojnë në të njëjtat ujëra”, kanë për bazë një sistem të vjetëruar që daton 24 vite më parë. Në një ekonomi të shëndetshme, zgjidhja duhet kërkuar tek ata që e ‘kanë mbi kurriz’ - bizneset dhe individët”, shkruan Jaço.

Zgjidhja sipas Jaços është tek ndryshimi i taksimit, dhe modernizimi i ligjit të taksave.

“Së pari, taksimi duhet të jetë i ‘drejtë’, që kërkon modernizimin e ligjit të taksave, ku taksapaguesit ndihen të çliruar nga barra fiskale e pabarabartë që paguajnë “nën lëkurë”. Së dyti, duhet të ndryshojë kultura e ndërrimit të kodit të taksave në mënyrë periodike. 1 herë në 4 vjet dhe jo çdo vit. Mënyra të tjera taksimi në një sistem modern taksash, përfshijnë praktikat inkurajuese për taksapaguesit dhe investitorët. Ato që parashikojnë parapagesën e taksave vjetore që do të thotë një ulje me 20% nga totali. Sistemi i taksave moderne duhet të jetë mjaftueshem i avancuar sa të parashikojë shpenzimet për donacione, sistemin shendetësor, shkollat etj.  Mes gjithë sfidës për ta modernizuar këtë sistem, zgjidhja e vërtetë do të vijë atëherë kur bizneset të ndjejnë taksimin e barabartë dhe lirinë fiskale! Vetëm pas kësaj, Shqipëria mund të startoje garën rajonale!”, shkruan ndër të tjera ai.

(Kliko këtu për të lexuar raportin e plote)

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë