CONMEBOL, Konfederata e Klubeve në Amerikën e Jugut, ka njoftuar edhe zyrtarisht se është kundër organizimit të Botërorit çdo dy vite. Pas zërave se nuk ishte dakord CONMEBOL ka dalë në një komunikatë zyrtare duke treguar edhe arsyet përse mendojnë se kjo lëvizje e FIFA-s nuk është e duhura pavarësisht se për Botërorin çdo dy vite do votohet në maj 2022.
“Këshilli CONMEBOL, i mbledhur në Luque, Paraguaj, më 27 tetor 2021, analizoi edhe një herë propozimin për mbajtjen e Kupës së Botës çdo dy vjet dhe e konsideron të nevojshme të deklarojë si më poshtë:
- Nuk ka arsye, përfitime apo justifikime për ndryshimin e promovuar nga FIFA. Duke pasur parasysh këtë, dhjetë vendet që përbëjnë CONMEBOL konfirmojnë se nuk do të marrin pjesë në një Kupë Bote të organizuar çdo dy vjet.
- Projekti në fjalë i kthen shpinën traditës gati 100 vjeçare të futbollit botëror, duke injoruar historinë e një prej ngjarjeve sportive më të rëndësishme në planet. CONMEBOL mbështet Kupën e Botës aktualisht në fuqi, me termat dhe sistemet e tij të klasifikimit, sepse është dëshmuar të jetë një model i suksesshëm, i bazuar në përsosmërinë sportive dhe që shpërblen përpjekjet, talentin dhe punën e planifikuar,”-përfundon deklarata.