Çdo kontroll i kryer nga inspektorët pritet të regjistrohet me kamera trupi. Brenda 8 deri në 9 muajve të ardhshëm, të gjithë inspektorët në rang kombëtar do të pajisen me kamera inteligjente, një masë që synon të rrisë transparencën dhe të kufizojë abuzimet në terren.

Njoftimin e bëri kreu i Inspektoratit, Dashnor Sula, gjatë një aktiviteti në Gjirokastër. Sipas tij, pajisja me kamera është pjesë e reformës që po zbatohet në sistemin e inspektimeve dhe do të shoqërohet me digjitalizimin e plotë të procesit.

Sula tha se kombinimi i kamerave të trupit me sistemin e ri digjital do të ndihmojë në minimizimin e favorizimeve, shkeljeve dhe rasteve të korrupsionit nga ana e inspektorëve, duke e bërë çdo kontroll të verifikueshëm.

Ai u bëri thirrje edhe qytetarëve të përdorin platformën sigurt.gov.al për të raportuar çdo rast abuzimi apo shkeljeje që hasin gjatë marrjes së shërbimeve. Sipas Sulës, platforma garanton anonimatin e denoncuesve, ndërsa informacionet e marra do të përdoren për identifikimin dhe ndëshkimin e rasteve të paligjshmërisë.