INSTAT ka prezantuar ditën e sotme të dhëna për emigracionin për periudhën 2009-2013. Sipas INSTAT gjatë viteve 2009-2013 u kthyen në Shqipëri 133.544 emigrantë.
Ku në 94 % të rasteve që janë kthyer kanë qenë vullnetare. Emigrantët janë kthyer kryesisht nga shtetet fqinje si Greqia e Italia.

Sipas INSTAT 73.7 % e emigrantëve të kthyer janë meshkuj, ndërsa 26.3 % janë femra. Ndërsa mosha mesatare e emigranteve të kthyer është 38.6 vjeç. Gjithashtu në studim vihet re se ritmi i kthimit të emigrantëve u shtua pas nisjes së krizës në vitin 2011.

Në fjalën e tij të hapjes, Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT, Gjergji Filipi u shpreh se: “Synimi i këtij studimi është identifikimi i tipareve të emigrantëve të kthyer, shkaqeve të kthimit si dhe nevojat e tyre pas kthimit, me synimin e ndërtimit të politikave të nevojshme për të ndihmuar riintegrimin e tyre në shoqëri.”

Disa nga gjetjet e rëndësishme të këtij studimi janë:
Të kthyerit kanë qëndruar në emigracion mesatarisht 6,2 vjet. Nga këta, të kthyerit nga Greqia kishin qëndrimin më të gjatë në emigrim, 7 vjet, ndërsa të kthyerit nga Italia kishin qëndrim mesatar 4,3 vjet.

Një pjesë e madhe e të kthyerve duket se i janë drejtuar bujqësisë si formë vetëpunësimi, por edhe hapja e bizneseve të vogla zë një pjesë të konsiderueshme.
 
Në 94 për qind të rasteve kthimet kanë qenë vullnetare. Të kthyerit kanë qenë kryesisht nga Greqia (70,8 për qind) dhe Italia (23,7 për qind). Shkaku kryesor i kthimeve kanë qenë arsyet ekonomike.
 
Mbi 60 për qind e të kthyerve janë vendosur në të njëjtin vendbanim që kanë pasur përpara se të emigronin, ndërsa pjesa tjetër janë vendosur në qendrat kryesore urbane në Shqipëri si Tirana, Durrësi apo Vlora...etj

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)