Në tremujorin e dytë të vitit 2014, çmimet në ndërtim u rritën lehtë.

Sipas Institutit të Statistikave, në tremujorin e dytë 2014 ndryshimi vjetor i indeksit të kushtimit në ndërtim (për banesa) është 0,2 %.

Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,0 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2013, grupi "shpenzime materiale" është rritur me 0,5 %. Rritjen më të madhe brenda këtij grupi e pati nëngrupi
"materiale ndërtimi" me 0,7 %. Ndërsa, ulja më e madhe në këtë grup vërehet në nëngrupin "materiale elektrike dhe komunikimi" me 0,6 %.

Indeksi i grupit "shpenzime page" u rrit me 2,1 %. Ndërsa, indekset e grupeve "shpenzime makinerie" dhe "shpenzime transporti" u ulën me 2,1 % dhe 0,6 % krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2013.

Në tremujorin e dytë 2014 ndryshimi tremujor i indeksit është 0,3 %. Indeksi i çmimeve të grupit "shpenzime materiale" është rritur me 1,0 % krahasuar me tremujorin e parë 2014. Brenda këtij grupi rritjen më të madhe e pati nëngrupi "materiale ndërtimi" me 1,2 %. Indekset e grupeve "shpenzime page" dhe "shpenzime makinerie" u rritën me 0,4 % dhe 0,8 % krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndërsa, indeksi i grupit "kosto të tjera" u ul 0,8 %.
Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (për Banesa) (IKN) mat ecurinë e çmimeve të materialeve të ndërtimit, të fuqisë punëtore dhe të shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një banese tip (8 - 10
kate). IKN është një tregues i rëndësishëm ekonomik për sektorin e ndërtimit. Indeksi përdoret si deflator për llogaritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe Indekseve të ndryshme të volumit, përdoret nga
Institucionet Qeveritare, Banka Qendrore e Shqipërisë, Organizata të tjera joqeveritare, Banka Botërore, FMN etj./ATSH/