TIRANË, 9 Mars/ATSH/- Çmimet e konsumit pësuan një rritje të lehtë në muajin shkurt, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, por edhe krahasuar me muajin janar.
Sipas raportit të publikuar të hënën nga INSTAT, në muajin shkurt 2015 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 2,3 %.
Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,9 %. Rritja vjetore në muajin shkurt 2015 është ndikuar kryesisht nga grupi "ushqime dhe pije joalkoolike" me +1,88 pikë përqindje. Çmimet e grupit "pije alkoolike dhe duhan" kanë kontribuar me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit "shërbimi arsimor" kanë kontribuar me +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupit "qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji" kanë kontribuar me +0,12 pikë përqindje.
Ndërsa, çmimet e grupit "komunikimi" kanë kontribuar me +0,10 pikë përqindje. Çmimet e grupit "transporti" dhe "shëndeti" kanë kontribuar respektivisht me -0,20 pikë përqindje dhe -0,15 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Çmimet e grupit "mallra dhe shërbime të ndryshme" kanë kontribuar me -0,05 pikë përqindje.
Krahasuar me muajin shkurt 2014, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin "shërbimi arsimor" me 10,2 %, pasuar nga grupi "pije alkoolike dhe duhan" me 6,3 %, grupi "komunikimi" me 3,7 %, etj. Çmimet e grupit "ushqime dhe pije joalkoolike" u rritën me 4,8 %. Brenda këtij grupi çmimet e nëngrupit "zarzavate përfshirë patatet" u rritën me 17,1 %, pasuar nga nëngrupi "fruta" me 11,4 %, "qumësht, djathë e vezë" me 3,0 %, etj.
Çmimet e nëngrupit "vajra dhe yndyrna" u ulën me 3,5 %, pasuar nga nëngrupi "kafe, çaj e kakao" me 2,3 %, etj. Ndërsa ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin "shëndeti" me 4,5 %, pasuar nga grupi "transporti" me 3,3 %. Ndryshimi mujor i indeksit është 2,4 %. Krahasuar me muajin janar 2014, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin "ushqime dhe pije joalkolike" me 5,4 %, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të nëngrupit "zarzavate përfshirë patatet" me 26,7 %. Ulja më e madhe mujore vërehet në grupin "veshje dhe këpucë" me 1,5 %. Krahasuar me muajin janar 2014 çmimi i eurodiezelit u rrit me 3,4 dhe çmimi i benzinës u rrit me 1,9 %./a.gjonaj//m.m/










