INSTAT: Shqiptarët
janë një popull dembelësh

INSTAT: Shqiptarët<br />janë një popull dembelësh
Shqiptarët janë një popull dembelësh, e kemi menduar të gjithë të paktën një herë, kur shohim kafenetë të tejmbushura në cdo orë të ditës. Për ata që mendojnë ndryshe, para se të ngrenë vetullat, sqarojmë se nuk është një opinion personal por janë statistikat e nxjerra nga vetë INSTAT.

Llogaritet që 38% të kohës, ose 9 orë në ditë, shqiptarët ja kushtojnë gjumit, ndërsa 20% të kohës, ose 5 orë në ditë, e kalojnë në kafene. Shkuese është se në mes të krizës ekonomike globale, kur cdo popull tjetër po shton orët ekstra në punë, shqiptarët i dedikojnë punës vetëm 13% të kohës së tyre, ose 3 orë në ditë.

Nga statistikat rezulton se gratë e shpenzojnë kohën më të madhe në punët e shtëpisë, ndërsa burrat punojnë jashtë saj. Rreth 95% e grave shqiptare përfshihen në punët e shtëpisë.

"Popullsia 50-64 vjeç vihen re dhe diferencat më të mëdha gjinore. Femrat shpenzojnë 7 herë më shumë kohë se sa meshkujt për punë të papaguar. Mesatarisht gratë harxhojnë 5.40 minuta në ditë për punë të papaguar, ndërsa meshkujt 48 minuta. Pjesa e mbetur që bëjnë punë të paguar është sa dyfishi i grave. Pra, 66 për qind e meshkujve, që bëjnë punë të paguar kundrejt 36 për qind të grave që bëjnë punë të paguar", thotë Pranvera Elezi, Koordinatore e INSTAT.

Studimi i Përdorimit të Kohës u zbatua nga Instituti Kombëtar i Statistikës (INSTAT) dhe u menaxhua nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA). Ky studim u krye në përputhje të plotë me definicionet, konceptet dhe metodologjinë e Eurostat. Si rezultat, të dhënat statistikore të gjeneruara nga ky studim janë të besueshme dhe të krahasueshme me standartet ndërkombëtare në lidhje me përdorimin e kohës dhe analizën e diferencave gjinore.

Procesi i mbledhjes së të dhënave në terren zgjati për një periudhë 12 mujore, duke filluar nga muaji Mars 2010 deri në javën e parë të Marsit të vitit 2011. Nga 2,250 familjet e zgjedhura për të marrë pjesë në studim, 91.5 % e tyre iu përgjigjën pyetsorëve të studimit. Instrumenti kryesor për mbledhjen e informacionit për përdorimin e kohës ishte ditari. Dy ditarë u plotësuan nga të gjithë individët 10 vjeç e lart në familje, një ditar për një ditë jave të zakonshme (një nga ditët nga e hëna deri të premten) dhe ditari i dytë për një nga ditët e fundjavës (të shtunë ose të dielë).
Disa prej gjetjeve kryesore janë:

* Struktura e përdorimit të kohës në Shqipëri ndjek të njëjtin model sikurse struktura e shumë vendeve të tjera europiane: ekziston një diferencë e konsiderueshme bazuar në ndarjen gjinore për punën e paguar dhe të papaguar. Në Shqipëri, femrat shpenzojnë më shumë kohë se sa meshkujt në kryerjen e aktiviteteve të punës së papaguar.
* 95 % e femrave të moshës 15-64 vjeç dhe vetëm 37 % e meshkujve 15-64 vjeç janë të përfshirë në punët e shtëpisë, kujdesin për fëmijët, përgatitjen e ushqimit, blerjet dhe aktivitete të tjera të lidhura me punën e papaguar gjatë ditëve të javës. I njëjti model sjelljeje vihet re edhe për ditët e fundjavës dhe për të tre grupmoshat e analizuara në këtë publikim.
* Për orë të barabarta të shpenzuara në punë të paguar nga burrat dhe gratë, orët e punës totale për gratë i tejkalojnë orët e punës totale të meshkujve (turni i dytë i punës për gratë është “puna e papaguar”).
* Meshkujt shpenzojnë shumë më shumë kohë në punë te paguar se femrat, si përsa i përket numrit të orëve dhe minutave, ashtu edhe në terma përqindjeje të personave që kryejnë punë të papaguar në një ditë mesatare. Vetëm 32% e femrave shpenzojnë kohë për punë të paguar krahasuar me 56% të meshkujve.
* Femrat dhe Meshkujt në zonat rurale shpenzojnë më shumë kohë duke punuar sesa ato të zonës urbane. I vetmi grup që kalon më shumë kohë në punën totale - si në ditët e javës, si në fundjavë - janë gratë rurale.
* Të pasurit e fëmijëve më të vegjël se 7 vjeç ka një ndikim shumë të madh në mënyrën e përdorimit të kohës për femrat. Ato bëjnë shumë më shumë punë të papaguar krahasuar me ato që kanë fëmijët më të rritur. Për meshkujt të pasurit apo jo fëmijë përbën një diferencë të papërfillshme.
Studimi i Përdorimit të Kohës në Shqipëri është mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).
Rezultatet e Studimit të Përdorimit të Kohës janë jashtëzakonisht të rëndësishme, pasi për herë të parë ky studim është mbarëkombëtar dhe jep një panoramë të qartë të hendekut gjinor në vendin tonë. Këto rezultate përbëjnë një burim të paçmuar informacioni për politikë-bërësit për hartimin e politikave social-ekonomike dhe mirë-orientimin e tyre drejt grupeve më në nevojë.

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ministri Balla: Bashkëpunim me vende të tjera për të luftuar krimin! Armëmbajtja pa leje shqetësim

Ministri Balla: Bashkëpunim me vende të tjera për të luftuar krimin! Armëmbajtja pa leje shqetësim