TIRANË, 6 Mars/ATSH/.- Në tremujorin e katërt të vitit 2014, indeksi i çmimeve të prodhimit u ul me 1.3 %. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) uljen më të lartë e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionet " industri nxjerrëse" me 5,6 % dhe "industri përpunuese" me 0,7 %.
Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013, çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar rritje me 0,3 %. Ndërsa çmimet e prodhimit të produkteve vendase shënuan ulje me 2,1 %. Referuar të dhënave, në tremujorin e katërt 2014 ndryshimi tremujor i indeksit është -1,1 %. Çmimet e prodhimit në seksionin "industri nxjerrëse" shënuan ulje me 5,6 % krahasuar me tremujorin e tretë 2014.
Uljen më të lartë e shënuan çmimet e prodhimit në aktivitetin "nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror" me 7,9 %. Indeksi i çmimeve të prodhimit të produkteve të industrisë përpunuese shënoi ulje me 0,1 %. Brenda kësaj industrie mund të përmendet ulja e çmimeve të produkteve në aktivitetet "prodhimi i lëkurës" me 1,9 %, "prodhimi i produkteve të duhanit" me 1,7 % dhe "përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës" me 1,0 %. Ndërsa çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetet "metalurgjia" dhe "përpunimi i produkteve ushqimore" shënuan rritje respektivisht 0,8 % dhe 1,4 %.
INSTAT bën të ditur se indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase shënoi një ulje me 1,7 % krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2014. Gjatë kësaj periudhe, sipas INSTAT, u vërejt ulja e çmimeve të prodhimit të produkteve në seksionin "industri nxjerrëse" me 6,1 % dhe "industri përpunuese" me 0,8 %./a.gjonaj//m.m/











