Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit në familjen europiane, por krahas përpjekjeve brenda vendit, një dorë i kërkohet edhe diasporës.

Në ditën e tretë të samitit që po mbahet në Tiranë, kryenegociatorja Majlinda Dhuka tha se diaspora është e pazëvendësueshme në ndihmën që mund të japë përmes eksperiencës, imazhit dhe zërit të tyre.

“Jemi duke kapërcyer në fazën e mbylljes së negoçiatave, mundësi transformimi, diaspora e pazëvendësueshme ka shumë mënyra sesi mund të punojmë. Kemi nevojë për eksperiencën tuaj, teknologjinë, standartet, mënyra sesi bëhet biznes, dërgesat tuaja mund të shërbejmë si mundësi e mirë investimi. Ka shumë rëndësi imazhi juaj, kemi nevojë për zërin tuaj, bëni miq e thoni të vijnë për turizëm e të bëjnë investime”, tha Dhuka.

Ndërsa ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj theksin e vuri te modelet ekonomike që ka sjellë diaspora përmes investimeve, duke përqafuar ato më pro mjedisit.

“Shqiptarët e diasporës kanë sjellë modelet më të mira të një ekonomie qarkulluese, jo ato lineare”, tha Jaupaj.

Edhe në këtë panel nuk mungoi thirrja e diasporës për më shumë bashkëpunim dhe një ministri të dedikuar për ta.

Dita e tretë e Samitit të kartërt të diasporës në Tiranë, nisi me një mëngjes lutjesh që bëri bashkë të gjitha komunitetet fetare në vend.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:51
‘Ju jeni zëri ynë!’ Majlinda Dhuka në Samitin e Diasporës: Ftojini miqtë të investojnë në Shqipëri

 

Kryenegociatorja për integrimin në BE, Majlinda Dhuka, u kërkoi shqiptarëve të pranishëm në Samitin e Diasporës që t’i bëjnë jehonë popullit shqiptar për të dhënë kontributin e tyre në procesin e anëtarësimit. Ministrja e Shtetit bëri thirrje për lartësimin e imazhit të Shqipërisë, teksa tha se ata mund të bashkëpunojnë në programe të veçanta.

“Shqiptarët janë popujt më europiandashës në të gjithë Europën, sigurisht në Ballkan por edhe në çdo vend tjetër të Europës. Ne kemi shumë nevojë për kontributin, pjesëmarrjen tuaj në këtë transformim të vendit. Ju jeni zëri ynë atje! Ne kemi programe që ju të mund të punoni me ne, sipas dëshirës dhe fushës së interesit të cilat do të prezantohen sot. Shkrini barrierat, ne jemi të mrekullueshëm, por nuk ka kanë njohur mirë. Bëni miq dhe ftojini të vizitojnë Shqipërinë, ftojini të investojnë në Shqipëri. Ju lutem të shtohemi në numër, referoni një mik, lidhni një bashki me një bashki”, tha Dhuka.