Mbështetje për bizneset në rrugën drejt Bashkimit Europian. Këtë premton qeveria përmes një programi të dedikuar që synon përgatitjen e bizneseve shqiptare për tregun e përbashkët europian, program që u prezantua nga ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe kryeministri Edi Rama. Hapi i parë është programi i financimit prej 250 milionë eurosh.
‘’Dyfisho biznesin tënd’. Një garanci sovrane dhe një portofol financimi në mbështetje të të gjithë tyre që do të duan të ngjiten më lart, që do të duan të rrisin volumin, që do të duan të rrisin standardet dhe që do të duan të përgatiten për të mos u goditur dhe për të mos u fshirë nga era e fortë e këtij transformimi dhe e përfshirjes në tregun e përbashkët evropian. Çdo sipërmarrës i vogël dhe i mesëm që ka gjithçka përveç financimit, do të ketë financimin”, tha Rama.
Ndërsa ministrja Ibrahimaj tha se ky program synon përgatitjen e rreth 48 mijë ndërmarrjeve të cilat do të informohen lidhur me gjithçka nevojitet për të kaluar në tregun evropian.
“Objektivi ynë është të arrijmë 48 mijë ndërmarrje, të krijojmë rrjet ekspertësh, të ndërtojmë një platformë unike dixhitale për biznesin që do të përmbajë të gjitha programet e trajnimit dhe certifikimit. Programi mbështetet në 4 shtylla, vlerësimin e gatishmërisë së biznesit, informimin dhe ndërgjegjësimin. Nga muaji tetor duam të fillojmë një proces ku duam të trokasim në dyert e bizneseve me qëllim informimin”, tha Ibrahimaj.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të përgatisë një faqe interneti të dedikuar për të mbajtur të informuara të gjitha sipërmarrjet në kohë reale.
Komente










