Dështimi i tretë radhazi i Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE është një ngjarje e hidhur me plot kuptimin e fjalës. Jemi nisur të parët në rajon dhe s’po çajmë dot as të fundit. Kemi një histori të veçantë si komb , plot me aksidente të rënda.Kemi mbijetuar dhe jemi shfaqur në agimin e viteve nëntëdhjetë me fytyrë nga Perëndimi i kujtesës dhe ëndrrës. Kemi qenë dhe jemi i vetmi vend në këtë pjesë të kontinentit europian që nuk ka luksin të luajë me aspiratën popullore të integrimit në Europë.

As nga pakujdesia dhe shpërqëndrimi , as nga kokëkrisjet dhe fandaksjet ala shqiptare. Në të vërtetë pikërisht me integrimin kemi luajtur e po luajmë. Duke prishur zgjedhjet, duke rrëzuar sundimin e Ligjit, duke ngritur në sistem korrupsionin, duke shembur drejtësinë. Pra duke shkuar me një mendjelehtësi skandaloze në kundërrjedhë me vlerat themelore të Europës së Bashkuar. Në një dramë të hershme të Gjergj Fishtës, Skëndërbeu e pyet djallin që sapo ka bërritur në botën tjetër me lajme të freskta nga toka: Si janë shqiptarët? Shqiptarët? Si i don armiku, përgjigjet djalli. Fishta ka parasysh Shqipërinë e e viteve njezët-tridhjetë të shekullit të kaluar. Sot, tek shohim se fqinjët na kanë parakaluar e vazhdojnë të na parakalojnë në rrugën drejt Europës, nuk do të gabonim shumë po të thoshim se shqiptarët u sollën me integrimin siç nuk i don as armiku.

A është analizuar ndonjëherë thellë nga elita politike e vendit pse shumica dërmuese e popullit shqiptar nga jugu në veri mbështet në mënyrë kostante integrimin e Shqipërisë në Europë? Mendoj se jo. Pushtetarët e lartë të tranzicionit të deritanishëm, sidomos ata që kanë drejtuar e drejtojnë qeverinë, nuk besojnë se shqiptarët e kanë ëndërr të vërtetë këtë të integrimit. E kujtojnë një parullë, si ato të komunizmit, por me kahje tjetër, që populli e brohoret pa hyrë në brendinë e saj. Prandaj nuk e çajnë kokën e nuk skuqen kur kthehen duarbosh nga Brukselit E kam të vështirë të besoj se nuk duan një Shqipëri në Europë, megjithëse na kanë dhënë një thes me prova për ta menduar ketë. Shqipëria jashtë Europës nuk i vlen më askujt. Nuk vlen as elektoralisht, as kombëtarisht. Kryeministri Berisha me të tijtë nuk mund të mos e dinë këtë. Përse atëherë kur është fjala për integrimin shërbejnë më shumë dështimin se suksesin?

 E para , ka gjithnjë një nënvlerësim të kësaj aspirate, pavarësisht se me fjalë trajtohet si prioritet. E dyta, që lidhet me të parën, duket qartë se interesat e pushtetit qëndrojnë dukshëm mbi interesat e integrimit. Kjo nënrenditje bëhët shumë e dëmshme kur detyrat e integrimit bëjnë masë apo hyjnë në kontradiktë me praktikat e keqqeverisjes. Qeveria nuk vendos dot sundimin e ligjit sepse ka si praktikë të punës së saj arbitraritetin; nuk godet dot korrupsionin sepse do të priste degën ku rrinë sa e sa zyrtarë partiakë të emëruar me kritere klienteliste-korruptive-tarafore; nuk e reformon dot drejtësinë sepse është kompromentuar me të në pazare politike dhe jo vetëm politike. Një qeveri e tillë është objektivisht në kushte papajtueshmërie me integrimin. Po ta shërbejë rrezikon të bjerë vetë. Duke mos e shërbyer rrezikon ta humbë. Në këto kushte, në fuksion të marrjes me çdo çmim të statusit, kryeministri dhe qeveria e tij duhej të kishin ndërtuar e zbatuar përgjatë vitit 2012 një politikë e re. Berisha ka treguar se di të guxojë dhe të hapet kur është fjala për ta marrë pushtetin. Por ai nuk i përdor këto dhunti kur e ka pushtetin dhe ky është hendikapi i tij madh në rrafshin e arritjeve dhe trashëgimisë politike. Aq sekondar ka qenë për të integrimi në raport me pushtetin sa nuk mori dot asnjë nismë serioze për të zgjedhur një president konsensual me opozitën. Edhe pse kjo iu sugjerua nga Brukseli dhe Uashingtoni. Edhe pse konsensusi me opozitën do të kishte krijuar një frymë të re bashkëpunimi dhe një klimë të re besimi për shumë çeshtje të tjera. Berisha kërkon gjithçka për vete dhe nuk jep asgjë për të tjerët, llogarit vetëm interesat e veta dhe injoron interesat e tjetrit, të rivalit, të kundërshtarit; interesohet të kënaqë vetëm pjesën dhe nuk sheh pothuajse asnjëherë të tërën. Është kryeministër. Është edhe dekani i politikës aktive për shkak të moshës dhe përvojës. Nuk i lejohet të shohë kaq ngushtë. Fushëpamja e tij e ngushtë ka kosto.

Tani , pasi aplikimi i tij i dorëzuar me bujë në verën e vitit 2009 është refuzuar për herë të tretë radhazi nga Bruskeli, po përpiqet të hedhë në fushën e lojës politike regbinë e zakonshme të tipit "e ka kush e ka" dhe po bën çmos të fajësojë opozitën që nuk votoi tre ligje. Në fakt duhet ta falenderojë opozitën që me mosvotimin e atyre tre ligjeve i hodhi një ashkël ku të mbahet. Raporti i Brukselit dhe prononcimet e diplomatëve europianë tregojnë qartë se statusin nuk do ta kishim marrë edhe po të ishin votuar ato ligje. Sipas këtij raporti, nga dymbëdhjetë kriteret e famshme Shqipëria ka përmbushur vetëm katër. Me dyzinat e zyrtarëve dhe nëpunësve që paguhen për integrimin, qeveria mund të kishte bërë objeksione për ketë raport dhe mund të kishte këmbëngulur për rregullime, nëse shihte teprime apo pasaktësi në konkuzionet e Brukselit. Por tani që raporti ka dalë zyrtarisht, qeveria ka detyrimin ta njohë, ta pranojë dhe t'ja bëjë me dije integralisht publikut. Kryeministri që nuk pati një politikë dhe një program për marrjen e statusit përgjatë vitit 2013, duhet ta ketë patjetër tani që u rrëzuam.

Një politikë që merr në konsideratë tërësinë e arsyeve të shkruara dhe të pashkruara të refuzimit, të cilat një politikan ka për detyrë t'i pikasë e t'i ndajë me çiltërsi me opozitën e tij. Leximi i përciptë, i njënashëm dhe propagandistik i raportit është qëndrimi më i keq që mund të mbahet. Njehërës, është paralajmërimi i sigurtë i dështimit të radhës. Por në vitin 2013 kemi zgjedhjet parlamentare. Populli sovran do të thirret në kauzë të thotë fjalën e vet vendimtare edhe për integrimin. Kësaj radhe e ka në dorë populli. Përtej pozicioneve partiake, detajve dhe hollësive që përmban debati për integrimin, zgjedhësit në këtë moment kanë dy mundësi për të shbllokuar integrimin: ose të ndryshojnë qeverinë që nuk ia ka dalë tre herë radhazi, ose të eliminojnë opozitën, meqenëse qeveria thotë se opozita është pengesa. Kjo e dyta nuk mund të ndodhë kurrë, pasi opozita është kuptimi i demokracisë. Qeveria ka vetëm një rrugë për të rekuperuar sadopak deri në zgjedhje kreditet e humbura për statusin: të veprojë para zgjedhësve aty ku mund të veprojë.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 15 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)