Një nga kapitujt më sfidues të grupkapitujve të negociatave është mbrojtja e mjedisit, bëri me dije kryenegociatorja Majlinda Dhuka gjatë raportimit në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ndërsa renditi një sërë detyrash të caktuara nga BE për anëtarësimin, Dhuka tha se investimet për mbrojtjen e mjedisit kërkojnë investime të vazhdueshme dhe bashkëpunim për burimet e rinovueshme.

“Është një nga fushat më sfiduese për anëtarësimin dhe pas anëtarësimit duke qenë se kërkon investime të mëdha në infrastrukturën publike e private sa i përket ndotjeve në ajër, ujërave, ndaj do të na duhet të punojmë të gjithë së bashku në lidhje me burimet e rinovueshme”, tha Dhuka.

Gjatë raportimit, Dhuka theksoi punën intensive për forcimin e sistemit të drejtësisë, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Mbeten ende ‘pezull’ kapitujt për drejtësinë e sigurinë, ndërsa mbyllja e negociatave pret përfundimin e diskutimeve të vendeve anëtare.

“Po diskutohen kushtet për kapitujt drejtësia dhe siguria. Shqipëria pret me interes të lartë përfundimin e diskutimeve me vendet anëtare. Kjo do t’i jepte vendit dritën jeshile për t’u futur formalisht në fazën e mbylljes së negociatave”, tha Dhuka.

101 është numri i kushteve që BE ka paraqitur për fazën e mbylljes së negociatave.

“Kemi hartuar 31 draftplane pune në të cilat janë zbërthyer planet e veprimit për 600 nisma evropiane që në disa raste janë nisma ose ndryshime ligjore”, tha Dhuka.

Në 10 prej grupkapitujve, kryenegociatorja nënvizoi se ka përfunduar puna (teknikisht) në 3 prej tyre dhe vijon puna për 7 të tjerë. Në vijim, Kuvendit do t’i paraqiten për shqyrtim 8 paketa ligjore.

“Për 3 nga këto kapituj mendojmë se i kemi përmbushur teknikisht të gjitha kushtet. Jemi në pritje të vlerësimit nga ana e tyre, por në fazë të avancuar janë edhe 7 kapituj. Konkretisht kemi përfunduar punën për marrëdhëniet me jashtë, kërkimin shkencor, kulturën dhe arsimin, kurse në të tjerët vijon puna. Do të paraqiten rreth 8 paketa të rëndësishme ligjore për shqyrtim në Kuvend”, bëri me dije Dhuka.

Një nga pikat më të rëndësishme që do të vijojë puna është legjislacioni për mashtrimin financiar dhe marrëdhëniet me jashtë.

“Ndryshimi i Kodit Penal në lidhje me direktivat për mashtrimin financiar. Jemi në diskutime me Komisionin Europian, si dhe marrëdhëniet me jashtë ku Kuvendi ka miratuar një ndryshim në lijgin për investimet e huaja, por është afruar edhe rregullorja dhe është hartuar një plan për të përafruar marrëveshjet mes vendeve të treta dhe BE”, përmbylli Dhuka raportimin e saj.

Zëvendëskryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, pati kritika për raportimin e kryenegociatores duke thënë se qeveria nuk jep informacione lidhur me procesin e negociatave. Vokshi deklaroi se raporti nuk është realist dhe pyeti Dhukën nëse edhe vetë ajo e beson raportin e qeverisë. Sipas saj, nuk ka asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa asnjë nga kriteret bazë për integrimin nuk është përmbushur.

“A i besoni ju vetë ato që na i paraqitët si arritje? Problematikat i kemi të gjithë mbi supe. Çdo qytetar e ndjen peshën e korrupsionit. Sa më shumë korrupsion, aq më pak shërbime. Sot vendi ndodhet në varfëri të thellë dhe këtë e thonë institucionet ndërkombëtare. Referojuni raportit të Komisioni AFET,  aty ka një listë të gjatë çështjesh, por ju nuk e merrni për bazë. Nuk i referoheni as raportit të OSBE/ODIHR, pra po shpërfillni raportet ndërkombëtare. Ju këtë proces e trajtoni si sekret. Kjo është pyetja më e rëndësishme: cilat janë kushtet? Si mund të bëhet vlerësimi pa i ditur këto detaje?Pse e mbani top sekret procesin? Pse nuk i bëni publike? Çdo gjë e marrim nga komisioni, asgjë nga qeveria shqiptare. 0 informacione. Kush e vendos ka pasur përparim apo regres kur nuk bëhet publike? Do ju kërkoja ta bëni publike. Raportimi juaj është në linjën editoriale Rama-Vuçiç? Sa të sigurta janë fondet? S’na folët asnjë fjalë për IBAR-in. Keni prodhuar raporte, plane integrimi, por cilat janë faktet? 0 rezultat”, tha Vokshi.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:03
Bllokimi i fondeve të IPARD, Dhuka: Presim vlerësimin e Komisionit Europian për planin e masave! Mund të krijohen kushte të favorshme për akreditimin

Lidhur me fondet e IPARD, kryenegociatorja Majlinda Dhuka tha se është dorëzuar në Komisionin Europian paketa me planin e masave për aksesimin e fondeve, por refuzoi të shprehej lidhur me çështjen. Megjithatë, ajo tha se mund të krijohen kushte të favorshme.

"Shqipëria ka përgatitur një plan të detajuar me masat për përmirësimin e sistemit të menaxhimit, vetëkontrollit të fondeve që e ka konsultuar me Komisionin Europian. Të gjithë progresin e ka përcjellë në Komisionin Europian për vlerësim. Nuk do të shprehem në lidhje me këtë çështje derisa të presim vlerësimin e Komisionit Europian. Me marrjen e vlerësimit, shpresojmë të jetë pozitiv ose nëse na rekomandohen masa të tjera, jemi shumë të predispozuar për t’i planizuar. Mendohet se mund të krijohen kushte të favorshme edhe për akreditimin e IPARD. Qëllimi ynë është sigurisht brenda këtij viti, por do të shprehim vlerësimin e Komisionit Europian”, tha Dhuka.

Ora 13:03
Tabaku kritika qeverisë për integrimin: Procesi është kthyer në propagandë, Shqipëria nuk mund të jetë fabrikë ligjesh

Gjatë raportimit të kryenegociatores Majlinda Dhuka në Komisionin për Politikën e Jashtme dhe Çështjet Europiane, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti tonet kritike ndaj mënyrës sesi qeveria po menaxhon procesin e integrimit europian,

Tabaku, e cila ka drejtuar më herët Komisionin e Çështjeve Europiane dhe është angazhuar në procesin e integrimit që prej vitit 2009, akuzoi qeverinë se e ka kthyer integrimin europian në “kryefjalë propagande dhe premtim elektoral”, ndërsa sipas saj mungojnë debatet reale dhe reformat konkrete.

“Është hera e parë që një raport ka më shumë faqe me listë ligjesh të miratuara sesa një raport serioz për integrimin. Mbi 45 faqe janë vetëm lista ligjesh dhe jo analiza reale për reformën dhe impaktin e tyre,” deklaroi Tabaku.

Sipas saj, Parlamenti nuk mund të funksionojë thjesht si një “fabrikë ligjesh”, por duhet të garantojë cilësinë dhe efektin që këto ligje kanë në jetën e qytetarëve. Një pjesë e fortë e kritikave të deputetes demokrate u fokusua tek lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi. Tabaku deklaroi se qeveria po paraqet një panoramë të deformuar për progresin në këtë fushë, duke theksuar se vetëm pesë rekomandime të GRECO janë përmbushur plotësisht.

“Raporti jep numra hetimesh dhe akuzash, por nuk ka asnjë akuzë në shkallë finale. Sot në Shqipëri një çështje administrative në shkallë të dytë zgjat 5326 ditë, ose 14.5 vite për të marrë drejtësi,” tha ajo.

Deputetja e PD ndaloi edhe tek SPAK dhe propozimet e mazhorancës për ndryshime në nenin 252 të Kodit Penal, duke pyetur sesi këto iniciativa përputhen me standardet e kapitullit 23 të negociatave me Bashkimin Europian. Në qendër të kritikave të saj ishin edhe prokurimet publike, të cilat Tabaku i konsideroi si një nga burimet kryesore të korrupsionit në vend.

“Në Shqipëri ka të paktën 14% të procedurave me një ofertues të vetëm, 15% të procedurave pa publikim dhe mbi 60% e vlerës së tenderave shkon tek pak kompani,” deklaroi ajo.

Tabaku krahasoi situatën me Serbinë, ku sipas saj 97.5% e procedurave zhvillohen me garë të hapur. Ajo përmendi edhe raportet e Komisionit Europian dhe SIGMA-s, të cilat sipas saj evidentojnë mungesën e progresit në kapitullin e prokurimeve publike dhe problematikat që lidhen me AKSHI-n dhe tenderat e teknologjisë së informacionit. Deputetja demokrate ngriti shqetësime edhe për ligjin e porteve strategjike dhe atë të investimeve strategjike, duke i konsideruar në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Nuk mund të lejojmë që në emër të integrimit të bëhen përjashtime ligjore dhe pasuritë publike t’i jepen pakicës,” u shpreh ajo.

Në fund të fjalës së saj, Tabaku kritikoi mungesën e transparencës dhe përjashtimin e opozitës dhe shoqërisë civile nga procesi i integrimit europian.

“Ky proces kërkon dy palë dhe nuk bëhet dot me një palë. Ju flisni për diskutim, por nuk diskutoni as me opozitën dhe as me shoqërinë civile,” deklaroi Tabaku.

Ajo shtoi se prej tre vitesh ka kërkuar hapjen e procesit negociues dhe ndarjen e dokumenteve me Kuvendin dhe aktorët e interesit, por sipas saj qeveria “i ka mbajtur të mbyllura në sirtar pozicionet negociuese dhe detyrimet e ndërmjetme”.

Ora 12:45
'4 copa të Shqipërisë u janë vënë në dispozicion arabëve'/ Dhuka i përgjigjet opozitës: Do të rishikojmë 42 marrëveshje ekonomike

Marrëveshjet tregtare dhe të investimeve të Shqipërisë do të rishikohen, tha kryenegociatorja Majlinda Dhuka në përgjigje të pyetjes së deputetit Eno Bozdo për kushtin e konkurrueshmërisë së BE.

"Ju bëra pyetje për marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara. Theksuat që marrëveshjet bilaterale ekonomike të investimeve duhen futur në kornizën e BE. Kjo shmang kushtin e BE, që është konkurrenca. 4 copa të Shqipërisë u janë vënë në dispozicion arabëve. Do e ndryshoni këtë marrëveshje?", u shpreh Bozdo.

“Ne kemi hartuar një plan që parashikon rishikimin e 42 marrëveshjeve. Është normale, ka ndodhur në çdo vend para se të bëhet anëtar në BE për të përafruar me politikat tregtare dhe të investimeve të BE. Çdo marrëveshje do të analizohet një më një, kur të përfundojë analiza e çdo marrëveshjeje, do të kemi konstatime mbi marrëveshjet që kanë nevojë të ndryshohen apo jo”, tha Dhuka.

Ora 12:28
Integrimi në BE/ Kryenegociatorja Dhuka: Reforma zgjedhore dhe ajo territoriale duhet të jenë prioritet

Kryenegociatorja Majlinda Dhuka raporton përpara Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme teksa tha se 2 janë reformat kryesore për sa i përket integrimit në BE, reforma zgjedhore dhe ajo territoriale, që kanë ndikim direkt në zgjedhjet vendore 2027.

“Dy reformat kryesore, reformën elektorale ku rekomandimi është që përmirësimi të kryhet pararendje në zgjedhjet 2027. E dyta, ka rëndësi të ketë progres mbi bazë konsensusi sa i përket reformës territoriale që ka lidhje edhe me zgjedhjet vendore 2027. Gjatë kësaj periudhe, Kuvendi do të shqyrtojë disa çështje organike që lidhen me institucionet e pavarura dhe mendoj që Kuvendi mund të luajë rol më të madh sa i përket ndërtimit të konsensusit publik dhe shoqëror dhe deputeti përfaqësues i qytetarëve do ta vlerësoja shumë që të punojë në këtë drejtim. Konsultimi publik, ka një shikueshmëri të lartë lidhur me projektligjet që shpallen për konsultim publik, ka edhe komente në çështje të ndryshme me interes të veçantë, por edhe raste kur nuk ka komente. Jam dakord që duhet të punojmë për të rritur aftësinë e grupeve të interesit. Jam dakord me konsideratat që koha është tani për ta forcuar zbatimin”, tha Dhuka.

Ora 12:27
Raporti i IBAR, Dhuka: Procesi s’ka as ngecje, as vonesë! Duhet të respektojmë diskutimet e vendeve anëtare

Diskutimi i IBAR-it nuk ka asnjë vonesë, theksoi kryenegociatorja Majlinda Dhuka. Procesi nuk ka as ngecje dhe vendet anëtare kanë nisur diskutimin prej dy muajsh, gjë që Shqipëria duhet ta respektojë, u shpreh ajo.

“Nuk ka asnjë vonesë, nuk ka asnjë ngecje të këtij procesi. Diskutimi mes vendeve anëtare ka filluar në mars, vazhdon, është procedurë normale e diskutimit mes vendeve anëtare dhe Komisionit Europian. Së pari vizitohet progresi i Shqipërisë për mjaftueshmërinë, cilësinë dhe identifikuar drejtime të reja përmirësimi. Së dyti, vendet anëtare diskutojnë për kushtet e mbylljes së negociatave. Shqipëria duhet të respektojë këtë proces diskutimesh. Diskutimet vazhdojnë në mënyrë sistematike dhe kanë vetëm dy muaj”, tha Dhuka.

Ora 11:57
‘Dashnorët e anëtarësimit’, Balla i bën një ftesë opozitës për procesin e integrimit: Ngrijeni njëherë kartonin jeshil! Ironizon Himçin

Akuzave të opozitës se nuk kanë marrë në dorë listën e projektligjeve, Taulant Balla iu përgjigj duke e mbajtur shkresën në dorë dhe duke iu kujtuar se gjithçka është e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, ndërsa pati edhe një ftesë.

“Gjejeni veten te njëri prej tyre dhe t’ju them bujrum, faleminderit! Një votë, ngrije njëherë një karton jeshil për Shqipërinë anëtare në BE, po e jap dhe unë një dorë, po e vë një tullë, ju dashnorët e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, tha Balla.

Ndërsa solli në vëmendje fjalët e Marta Kos se Shqipëria është “shembull i transformimit”, pati edhe ndërhyrje nga Blendi Himçi (i cili s’mund të dëgjohej në mikrofon), por Balla ia ktheu:

“Hë i shkreti ti kur ta marrësh vesh! Nejse! Mali i Zi i ka nisur bisedimet në qershor 2012 dhe aitj që i shërben ti, që është deputet i atij që ishte atëherë që i mban çantën, është gjë tjetër, por presidenca qipriote dhe ajo daneze e vlerësojnë procesin si shumë mbresëlënës”, tha ai.

Më tej, Balla perifrazoi edhe deklaratën e Kaja Kallas për përparimin e Shqipërisë me negociatat, ku sërish ironizoi Himçin:

“Ne duhet të fillojmë përgatitjet sesi Shqipëria ndoshta duhet të jetë gati për të pasur kandidatët e vet në zgjedhjet europarlamentare 2029. Por shyqyr që s’do të të kemi ty, atëherë”, tha Balla.

Ora 11:16
Integrimi në BE, PD dorëzon amendamentet në Kuvend: Forcim i kontrollit parlamentar mbi qeverinë, refuzim të çdo veprimi që devijon procesin

Grupi parlamentar i PD ka dorëzuar në Kuvend një sërë amendamentesh lidhur me procesin e anëtarësimit të vendit në BE. Ndërsa shpreh mbështetjen e plotë për procesin e integrimit dhe transformimin që kërkohet prej tij, amendamentet kryesore të PD lidhen përafrimin e legjislacionit me BE, forcimin e kontrollit parlamentar mbi pushtetin ekzekutiv, pjesëmarrjen e plotë të opozitës dhe refuzimin e çdo veprimi që devijon procesin e anëtarësimit.

Amendamentet e PD:

1. Të ushtrojë në mënyrë të plotë dhe efikase funksionin ligjbërës dhe mbikqyrës për procesin e integrimit europian, duke garantuar cilësinë e legjislacionit, përafrimin me acquis communautaire dhe zbatimin e tij konkret në praktikë.

2. Të forcojë kontrollin parlamentar mbi ekzekutivin, veçanërisht lidhur me financat publike, prokurimet, koncesionet, fondet e BE-së dhe përdorimin e burimeve shtetërore, duke rritur transparencën, auditimin e pavarur dhe llogaridhënien.

3. Të sigurojë pjesëmarrje të plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare, të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, si garanci për funksionimin real të pluralizmit politik dhe përmirësimin e klimës së dialogut.

4. Të kërkojë zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe ndarjen të shtetit nga partia.

5. Të sigurojë respektim të detyrueshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të institucioneve të pavarura, si themel i shtetit të së drejtës dhe kusht për progres në negociatat me BE-në.

6. Të kërkojë forcim të rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke garantuar mbështetje të plotë për institucionet përkatëse dhe zbatimin e rekomandimeve të BE-së.

7. Të kërkojë përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes së gazetarisë së lirë, transparencës së pronësisë së medias dhe pavarësisë editoriale, duke garantuar mjedis mediatik konkurrues dhe të paanshëm.

8. Të angazhohet në luftën kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, për mbrojtjen e integritetit të proceseve demokratike dhe të interesave strategjike kombëtare.

9. Të nxisë dialog politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës, për të siguruar konsensus kombëtar mbi prioritetet europiane.

10. Të forcojë partneritetin ndërparlamentar me Parlamentin Europian dhe parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, duke kontribuar aktivisht në diplomacinë parlamentare dhe marrëdhëniet me parlamentet homologe.

11. Të refuzojë çdo nismë, akt apo veprim që devijon nga kursi i qenësishëm i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë