Integrimi: Optimizmi i gjatë shndërrohet në lodhje

Integrimi: Optimizmi i gjatë shndërrohet në lodhje

Forumet e këtij viti të organizuara nga Brukseli më së tepërmi janë marrë me situatën e luftës në Ukrainë, me çështjen e saksioneve ndaj Rusisë si dhe me politikat sesi mund të kalohet sa më lehtësisht situata kur tregu evropian ka patur një lloj varësie nga  lëndët e para ruse që I shërbejnë furnizimit të ekonomive të BE. Po kështu dhe Paralmenti Evropian apo dhe Këshilli i Evropës kanë qenë të fokusuara pikërisht me dilemat ekonomike të strategjive të reja mbi furnizimin alternativ si dhe me përkrahjen e mbështetjen e Ukrainës që ndihet nën peshën e agresionit rus. Këto janë padyshim çështje të rëndësishme në një realitet të ndikuar nga lufta në zemër të kontinentit pasi zhvillimet e mujave të fundit ndikojnë jo vetëm në prishjen e ekuilibrave dhe rritjen e tensioneve në hapësirën evropiane por njëkohësisht janë shoqëruar dhe me pasoja e faturë të rënduar për ekonominë e bashkësisë së vendeve evropiane. Sidoqoftë për një pjesë të veçantë të kësaj hapësire të përbashkë, e veçanërisht për Ballkanin Perëndimor, ka interes edhe për një problematikë shtesë të cilën BE duket se e ka lënë pas dore.

Çështja e integrimit dhe avancimi i hapave drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mbetet një projekt që po shtyhet prej vitesh për arësye episodike dhe tashmë kur vetë Brukseli vendos përshpejtimin e procedurave për anëtarësim me Ukrainën në shenjë solidariteti për agresionin ndaj saj, këto vende kanë një arësye më shumë të shpresojnë të hapet sa më parë drita keshile për to. Këtë shqetësim ngriti në sesionin e Parlamentit Evropian në Strasburg edhe kryeministri i Italisë, Draghi, I cili u shpreh se duhen hapur menjëherë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke shtuar më tej se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është një kërcënim për projektin europian. “Italia mbështet hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në përputhje me vendimin e Këshillit Europian të marsit 2020.

Duam t’i japim një shtysë të re negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi dhe t’i përkushtojmë vëmendjen maksimale pritshmërisë legjitime të Bosnjën Hercegovinës dhe Kosovës”, deklaroi Draghi duke nënvizuar se pavarësisht situatës së krijuar në Ukrainë BE duhet të rikthejë vëmendjen tek çështjet e integrimit dhe procesi i paërfunduar me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Parimisht hapja e negociatave po mbahet peng për të dytin vit rradhazi prej vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, por duket se Brukseli nuk ka qenë një arbitër i angazhuar për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje që po mban peng procesin e të dy vendeve. BE nuk po arrintë përcaktojë datën e konferencës së përbashkët ndërqeveritare që procesi të vendoset mbi shinat që garantojnë se treni i nisur do të mbërrijë në destinacion. Por çështja e vetos së Bullgarisë duket e pandryshuar ndarsa po afrohet qershori kur BE do të duhet të marrë vendimin e saj për shpalljen e datës së konferencës ndërqeveritare. Dhe kjo natyrshëm po penalizon edhe Shqipërinë përderisa të dy vendet programohet të hyjnë bashkarisht. Pak kohë më parë kryeministri Rama u shpreh se sheh pak shpresë në ndryshimin e vetos bullgare ndaj nëse deri në qershor situata mbetet e njëjtë, atëherë Tirana zyrtare do të kërkojë që Shqipëria të ndahet më vete në procesin e integrimit të saj. Propozim të ngjashëm për ndarjen e dy vendeve në procesin e shqyrtimit të procedurave mbi to ka patur dhe nga figura të tjera të politikës evropiane, por kjo çështje nuk është futur ndonjëherë për vendim.

Ndërsa burokracia e korridoreve të Brukselit nuk po i jep zgjidhje këtij problemi, nga ana e Departamentit të Shtetit ka patur një trysni të shtuar që me Shqipërianë dhe Maqedoninë e Veriut të  avancohet me prioritet në procesin e integrimit. E gjithë kjo situatë, megjithë dritë hijet e saj jep një shpresë për një rifokusim të vëmendjes për këtë pjesë të Evropës që ende ka ngelur në pragun e integrimit dhe të anëtarësimit në familjen e BE. Është i treti vit rradhazi që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin në holl për hapjen e konferencës ndërqeveritare, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi presin të vijojnë në proces për hapjen e dritës jeshile për tu anëtarësuar. Gjithësesi, procesi mbetet në vend pavarësisht se trysnia është shtuar në këto muaj dhe vendeve të BE u duhet të marrin vendim për mbushjen e hartës së Evropës nga boshllëku perëndimor i gadishullit ballkanik.

Vendim që duhet të plotësojë e ti japë viston asaj çka ka përcaktuar Komisioni I BE se kushtet janë plotësuar dhe se dy vendet, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, meritojnë të hapin negociatat për anëtarësim. Gjithësesi graviteti kësaj rradhe nuk mbetet vetëm në Bruksel. Ka një lëvizje të madhe të drejtuesve të vendeve ballkanike në takime të veçanta dhe të përbashkëta, ashtu siç ka një trysni më të madhe të Uashingtonit që vendet e Ballkanit të përparojnë në procedurat e anëtarësimit në BE. E gjitha kjo po shoqërohet dhe me inisiativa paralele si politike ashtu dhe si mbështeje politike, dhe që jo gjithmonë kanë varësi të drejtpërdrejtë nga Brukseli. Në Ballkan gjërat po lëvizin. Madje me shpejtësi jo të zakonshme nga më parë. Ajo çfarë mbetet e vonuar është ecuria vendimarrëse që duhet të vijë nga Brukseli, që deri më tani po shtyn për të disatën herë verdiktin final të saj. Vendet ballkanike në pritje thjesht mbahen me optimizëm, gjë që ngjan si skemë e njohur në këto tre vite dhe që optimizmin e gjatë mund ta shndërrojnë në lodhje. Ndaj duket se vetë liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor nuk po humbin më kohë duke pritur veçmas çfarë do vendosë për secilin Brukseli. Krijimi i inisiativave të reja, që nga ideja e minishengenit mes tyre, apo dhe bashkëpunimet rajonale me efekte ekonomike, po krijon një gravitet të ri të vetë këtyre vendeve, pasi vetë bashkimi i tregjeve i bën më joshës, jo vetëm për bisnesin e BE. Vetë kjo trysni që krijohet nga bashkimi i tregjeve mendohet se mund të jetë më efektive sesa zvarritje e secilit veçmas nëpër korridoret e BE.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj