Bruksel do të zhvillohet sot Konferenca IX Ndërqeveritare Shqipëri - Bashkimi Evropian ku Shqipëria do të mbyllë 3 kapitujt e parë në kuadër të procesit të integrimit.

Delegacioni shqiptar i kryesuar nga kryeministri Edi Rama do të ulet sot në konferencën e nëntë ndërqeveritare me Brukselin për të mbyllur kapitujt 25, 26 dhe 30, konkretisht për shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe Kulturën si dhe Marrëdhëniet me Jashtë, fusha në të cilat Shqipëria konsiderohet plotësisht e njësuar me standardet e Bashkimit Europian.

Komisionerja për Zgjerimin e BE Marta Kos, në një reagim në rrjete sociale, tha se Shqipëria po hedh një tjetër hap të rëndësishëm përpara me mbylljen e 3 kapitujve të parë.

"Katër vendet tona kryesuese – Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi – po hedhin të gjitha hapa të rëndësishëm përpara.Me Ukrainën dhe Moldavinë, po hapim Klasterin 6, që mbulon fusha si mbrojtja dhe siguria, ku argumentet për anëtarësimin e tyre në BE janë veçanërisht të forta. Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë. Ndërsa Mali i Zi ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapituj", tha ndër të tjera Kos.

Referuar axhendës, konferenca e 9-të ndërqeveritare nis në orën 19.00 dhe më pas formalizohet mbyllja e kapitujve. Në orën 20:00, mbahet konferenca për shtyp lidhur me ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së.

Mbyllja e 3 kapitujve vjen pasi Shqipëria kaloi një prej fazave më të rëndësishme, atë të piketave të ndërmjetme, të ashtuquajturin IBAR, mes shumë diskutimesh dhe polemikash për përmbushjen e diskutimeve.

Me mbylljen e 3 kapitujve të parë, Shqipëria do të duhet të përmbushë kushtet e mbylljes edhe për 30 kapitujt e mbetur, në mënyrë që të arrijë objektivin e dakordësuar me BE-në për përfundimin e procesit teknik brenda vitit 2027-të.

Më pas vendimi do të jetë plotësisht politik dhe rruga e Shqipërisë drejt BE-së, do të duhet të kalojë nga parlamentet e 27 vendeve anëtare të Unionit.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:53
Mbyllja e 3 kapitujve për integrimin në BE, ministri Hoxha: Kur ambicia përputhet me rezultatin, progresi bëhet i mundur dhe real

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, me anë të një postimi në rrjete sociale, thotë se mbyllja e 3 kapitujve të parë në kuadër të procesit të integrimit në BE, është një moment historik që pasqyron transformimin dhe rezultatin e punës së Shqipërisë.

Postimi i Ferit Hoxhës

Disa data kyçe që tregojnë historinë mbresëlënëse të një udhëtimi të jashtëzakonshëm:

14 tetor 2024 – Shqipëria nuk kishte hapur asnjë kapitull negociues.

17 nëntor 2025 – Shqipëria kishte hapur të 33 kapitujt negociues.

26 maj 2026 – Shqipëria u bë vendi i parë negociues që arriti #IBAR sipas metodologjisë së re.

14 korrik 2026 – Shqipëria hyn në fazën përfundimtare të negociatave duke mbyllur përkohësisht tre kapitujt e parë:

Kapitulli 25 – Kërkimi Shkencor

Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura

Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me Jashtë

Ato që duken si data në një afat kohor janë në fakt momente historike që pasqyrojnë një transformim të jashtëzakonshëm, rezultat i punës së palodhur, angazhimit të vërtetë dhe të vazhdueshëm institucional, vendosmërisë së fortë dhe vullnetit të palëkundur politik.

Kur ambicia përputhet me rezultatin, progresi bëhet i mundur, i dukshëm, i matshëm, real.

"Muri i zgjerimit" po ndryshon përsëri.

Ora 09:37
Komisionerja Kos: Sot ‘super e marta’ e zgjerimit të BE, Shqipëria mbyll kapitujt e parë, po hedh hapa të rëndësishëm përpara

1781611758_martakos.JPG

Sot është një ‘super e martë’ thotë Komisionerja për Zgjerimin e BE, Marta Kos,  cila thotë se për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillohen katër konferenca ndërqeveritare të anëtarësimit brenda së njëjtës ditë.

Sot Shqipëria do të mbyllë 3 kapitujt e parë në kuadër të integrimit në familjen evropiane, ndërsa Kos thotë se ky është një tjetër hap i rëndësishëm për afrimin me BE.

“Sot është një Super e Martë për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillojmë katër konferenca anëtarësimi në të njëjtën ditë.

Katër vendet tona kryesuese – Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi – po hedhin të gjitha hapa të rëndësishëm përpara.

Me Ukrainën dhe Moldavinë, po hapim Klasterin 6, që mbulon fusha si mbrojtja dhe siguria, ku argumentet për anëtarësimin e tyre në BE janë veçanërisht të forta.

Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë. Ndërsa Mali i Zi ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapituj.

Tani ky moment pozitiv duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”, tha Marta Kos.