Mami im, këtë vit 67 vjeçe, mori si dhuratë nga mbesa në Kanada një smartphone. Është e lumtur se mund të shohë në videowhatsApp gjyshen time 94 vjeç, vëllain tim, nipin, e të tjerë miq e kushërinj që ajo i do dhe e duan shumë, por që janë të shpërndarë nëpër botë: nga Italia në Kanada, në Shqipëri, e kudo që janë. Eshtë e lumtur për këtë.
Por, për mamin tim, po hapet një tjetër botë: Ajo e fake news shpërndarë kryesisht në youtube e në portalet në shqip. Fillimisht vinte e shokuar: “Paska vdekur filan moderatore! Qenka prapë shtatzënë gruaja e politikanit sot mbi 50 vjeçare?” Nuk arrin ta besojë se ka një armatë të tërë në rrjet që është e armatosur dhe që për një klikim, të bëjë të vdesë e të ngrihet nga varri këdo. Nuk arrin të justifikojë këtë çmenduri dhe këtë padrejtësi të shpërndarjes së gënjeshtrave kaq të trasha e pa pasojë për askënd! “Si ka mundësi që këta njerëz të gënjejnë kështu dhe të mos dënohen, të mos mbajnë përgjegjësi!”
Por tani mamaja ime ka nisur të mprehë inteligjencën: Nuk klikon më lajmet me tituj bombastikë. I sheh dhe nis të nënqeshë e t’i shpërfillë. Për ndonjë lajm që lëkundet kontrollon në website-t që ja kam sygjeruar të shohë: Te televizionet e gazetat profesionale, të cilat dihet kush i bën e që mbajnë përgjegjësi morale e profesionale për lajmet që shpërndajnë.
Fake News, janë dalja në sipërfaqe e qëllimeve më të mbrapshta të njerëzve të këqinj, të cilët, jetën nuk e ndërtojnë mbi punën e tyre, por si parazitët, në gjakun (klikimet) që mund të thithin nga kush nuk e ka përqëndrimin të vetëmbrohet. Europa, Shtetet e Bashkuara, ku demokracia është në nivelet më njerëzore që ndonjëherë një sistem mbi Tokë ka arritur, janë nën sulmin serioz dhe të vazhdueshëm të prodhuesve të fake news, që rrjedhimisht janë e keqja që fle e kërkon të gllabërojë qeliza të pastra të njerëzimit. Nuk përjashtohet nga ky fenomen Shqipëria me përpjekje herë pas here të rënda lajmesh false.
Kush prodhon qëllimisht fake news, që nga synimet më të rënda: për të deformuar sisteme e demokraci, deri tek më të ulëtat, të prekë karriera apo rrugëtimin individual të profesionistëve, mjeshtërave, artizanëve apo të kujtdo njeri, është sot rreziku nga i cili duhet të mbrohemi.
Sot, si kurrë më parë, vetëm inteligjenca personale, serioziteti, përgjegjësia dhe skrupoloziteti për të verifikuar burimet, pastërtinë dhe ndershmërinë profesionale të shpërndarësve të lajmeve, mund të na shpëtojë e të na sigurojë një informacion të qetë dhe shëndetshëm.
Nuk është e lehtë, por jo e pamundur; edhe pse fenomeni fake news ka vënë në alarm demokraci nga më superioret si ato në SHBA, Gjermani, Itali, France, Britani e Madhe etj. Mjafton të dëshirojmë e të kemi në zemër e në qendër të vëmendjes dritën, të mirën e të vërtetën. Gënjeshtarët e webeve dallohen, bëjnë gjithnjë gabime trashanike dhe preferojnë gjithmonë diçka: të hedhin në rrjet një lajm si anonimë. Asnjë emër e mbiemër autori në shkrim. Lajme të mëdha nuk mund të vijnë asnjëherë nga njerëz të vegjël. Dhe një njeri që fsheh emrin e tij, për të sulmuar, nuk është i denjë e i pranueshëm për inteligjencën njerëzore. As në Shqipëri.
Komento