Me 303 miliardë fuçi, sipas llogaritjeve të Energy Institute të Londrës, Venezuela zotëron rezervat më të mëdha të naftës në botë (17% e totalit global), kundrejt 240 miliardë fuçive të Arabisë Saudite. A mjafton kjo për të justifikuar një ndërhyrje që trondit ekuilibrat botërorë? Historia tregon se gjigantët amerikanë të naftës kanë tentuar ta shfrytëzojnë këtë pasuri që prej vitit 1914, kur u hap pusi i parë, Mene Grande në liqenin Marakaibo, dhe nisi sulmi për thesarin e “arit të zi”, të cilin Trump e evokoi dje në konferencë për shtyp duke thënë se “kompanitë amerikane do të vërshojnë me shumicë”, pasi më parë kishte saktësuar se “do të jenë Shtetet e Bashkuara që do ta drejtojnë vendin gjatë tranzicionit”. Dhe Venezuela nuk është vetëm naftë, por edhe gaz, i prodhuar nga Eni për furnizimin vendas: tani grupi italian mund të zhvillojë një biznes më të gjerë në bashkëpunim me amerikanët.

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Karakasit kanë qenë gjithmonë të trazuara, për shkak të një vargu grushtesh shteti, diktatorësh, ndryshimesh të menjëhershme regjimesh dhe intervalesh të shkurtra demokracie në Venezuelë. Koncesionet e para të naftës me Exxon, Chevron, Conoco-Phillips, Texaco dhe “motrat” e tjera datojnë në vitet ’40, të lidhura me rritjen e kërkesës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas luftës, përballë konkurrencës së prodhuesve të Lindjes së Mesme, pikërisht Karakasi propozoi aleancën me “armiqtë” Iranin, Irakun, Arabinë Saudite dhe Kuvajtin, duke krijuar në vitin 1960 OPEC-un, që më pas u zgjerua me prodhues të tjerë. Qëllimi ishte t’i kundërviheshin fuqisë së tepruar të gjigantëve amerikanë, por përçarjet brenda kartelit — të ushqyera në heshtje edhe nga vetë Shtetet e Bashkuara — u kthyen në një pengesë të vazhdueshme.

Ndërkohë, në 1976, Venezuela nacionalizoi prodhimet, duke u imponuar partnerëve perëndimorë joint-venture 50-50%, të cilat më pas u shndërruan në 60-40% në favor të qeverisë, me të gjitha tensionet përkatëse. I vetmi interval demokracie dhe reformash gjatë gjithë këtyre dekadave ishin vitet ’90, kur Petróleos de Venezuela fitoi reputacion për besueshmëri dhe eficiencë. Por në 1999, me zgjedhjen e Chavez, situata u përkeqësua deri në nivelet aktuale: ardhja e Maduro-s daton në 2013, ndërsa sanksionet mbi eksportet i përkasin Trump I, mes viteve 2017–2019. Venezuela u përjashtua përkohësisht nga OPEC-u, së bashku me Libinë dhe Iranin, gjithashtu nën embargo amerikane, dhe nuk merr pjesë në vendimmarrjet për kuotat dhe çmimet. Sot, të dielën, ishte parashikuar tashmë një mbledhje e organizatës, nga e cila ekspertët nuk presin zhvillime domethënëse.

“Çmimet,” vëren Davide Tabarelli, president i Nomisma Energia, “janë në një ekuilibër të brishtë, rreth 60 dollarë për fuçi: ky nivel i ulët i ka lejuar Trump-it të veprojë, pasi shqetësimi i tij është që çmimi i benzinës të mos rritet, sot rreth 2 dollarë për gallon. Po të ishim në nivelet e marsit 2022, pas sulmit rus ndaj Ukrainës dhe rritjes së naftës deri në 120 dollarë, ai do ta kishte menduar dy herë.”

Duhet të merren parasysh edhe burimet e rinovueshme, makina elektrike, teknologjitë e kursimit të energjisë — të gjithë faktorë që ulin kërkesën për naftë. Aq sa, shpjegoi ekonomisti Patrice Geoffron për Le Figaro, rritjet e çmimeve të shkaktuara nga lufta e re e Trump-it “nuk duhet të kalojnë 10–20%, duke u kufizuar në atë pjesë të naftës së rëndë dhe të pazëvendësueshme të prodhuar në Venezuelë dhe të përpunuar në rafineritë e specializuara të jugut të Shteteve të Bashkuara.”

Një tjetër shtysë për tycoon-in ka qenë faktori Kinë: përveçse një klient i rëndësishëm i naftës “klandestine” të eksportuar nga Karakasi, Pekini po ndihmon Venezuelën të rindërtojë infrastrukturat e amortizuara të naftës, duke nxitur frikën se mund të fitojë shumë terren. Sipas CNN, do të nevojiten 58 miliardë dollarë për t’u kthyer në nivele të pranueshme prodhimi./ La Repubblica