Fitorja është mënyra më e mirë për t'u rikuperuar dhe Interi e tregoi këtë të dielën e Pashkëve duke i shënuar pesë herë Romës. Trajneri Cristian Chivu përqafoi Barrelan pas golit, shijoi serinë prej 16 golash të Lautaros dhe duartrokiti daljen nga fusha të Bastonit së bashku me të gjithë 'San Siron' zikaltër.
Humbja në derbin ndaj Milanit dhe barazimet me Atalantën e Fiorentinën duken të lëna pas për Interin. Pas ndeshjes Chivu theksoi momentin vendimtar pas pushimit mes pjesëve.
“Qasja në pjesën e dytë ishte shumë e mirë, e mbyllëm ndeshjen me dy gola menjëherë pas rifillimit. Kjo skuadër po jep shenja pjekurie, si gjithmonë. Ndoshta në ndeshjet e fundit ka pasur momente kur kami pasur ulje më shumë seç duhej. Kundër Romës në pjesën e dytë u paraqitëm me shpirtin e duhur, për të dominuar dhe mbyllur ndeshjen", tha rumuni.
Ai foli edhe për vështirësitë e duelit kundër Romës, paçka pesë golave të shënuar.
"Të sulmosh Romën nuk është e lehtë. Kishim shqetësime nga Malen, Calhanoglu ishte më poshtë dhe e kishte të vështirë të arrinte Pisillin. Pastaj u bëmë më agresivë dhe rritëm ritmin", vijoi ai.
"Për krizën e futbollit italian (Botërori i tretë radhazi pa kombëtaren e kaltër)? Nuk kam shkop magjik. Jemi të gjithë fajtorë; trajnerë, lojtarë, tifozë, rrjete sociale dhe ndonjëherë gazetarët”, tregoi mes të tjerash trajneri i Interit.
Komente






