Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, tha gjatë interpelancës së kërkuar me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, se dhuna në shkolla është tepër e pranishme. Ai tha se qeveria raporton minimumi 2500 raste në vit, por sipas një raporti të Save The Children, dhuna si fenomen është dy herë më e madhe sesa di vetë qeveria.

Thënë këtë, ai ironizoi se përgjigjja e Kumbaros do të jetë shtimi i oficerëve të sigurisë në shkolla. Më pas, u ndal te “modeli i ministres” duke thënë se përfaqësohet nga Arta Dollani. Kapri tha se Dollani lëviz nga një ministri në tjetrën duke ndjekur Kumbaron dhe ka mbajtur poste e detyra, ndërsa tashmë ndodhet në arrest shtëpie për lidhjen e saj me dosjen “Kurum”. Ajo akuzohet për “shpërdorim detyre”.

“Modeli i ministres Kumbaro është Arta Dollani. Sa herë  që Kumbaro shëtit nga një ministri në tjetrën, kjo zonjë e ndjek nga pas duke marrë postet më të rëndësishme. Ka qenë drejtoreshë e monumenteve të Kulturës, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe ishte kjo zonjë prapa heqjes së 800 hektarëve nga zona e mbrojtur e Butrintit për t’i hapur rrugë pikës së vockël në plazhin e Manastirit. Ishte kjo zonjë në krye të Agjencisë së Mjedisit, e cila ishte pjesë e grupit të strukturuar për lejimin e transportit të mbetjeve të rrezikshme, të cilat janë 102 kontejnerë në Porto Romano, 2100 ton mbetje të rrezikshme dhe ende sot nuk kemi një zgjidhje çfarë do të bëjë qeveria. Sa herë që Kumbaro ndërron ministri, aq herë ndërron edhe Dollani. Ditën që dha dorëheqjen si drejtoreshë e Agjencisë së Mjedisit, fiton konkursin si drejtoreshë e Arsimit Parauniversitar. Kjo zonjë, ky model është ajo që kujdeset për dhunën në shkolla. Kjo zonjë që sot është arrest shtëpie për trafik mbetjesh të rrezikshme dhe ministrja Kumbaro nuk ka guximin ta shkarkojë nga detyra, edhe pse ajo është sot nën arrest dhe pritet të dënohet shumë shpejt. Dhuna në shkolla dhe e ardhmja e fëmijëve shqiptarë është fiks si pika e vogël në plazhin e Manastirit për ju. Si ministrja më e vjetër në kabinetin Rama, ki dinjitet dhe jep dorëheqjen!”, tha Kapri.


Lajmi kryesor:

Siguria në shkolla/ Opozita: Qeveria përdor rastet tragjike për politikë! Kumbaro: Fenomen global, kemi rritur numrin e oficerëve të sigurisë