Intervista/ Arben Ndoka: Unë
lezhjani që premtoj Rilindjen

Intervista/ Arben Ndoka: Unë<br />lezhjani që premtoj Rilindjen
LEZHË- Arben Ndoka është djali 39 vjeçar, babai i dy vajzave që kandidon për herë të parë me Partinë Socialiste në qarkun e Lezhës, i pozicionuar në vendin e tretë të listës së kandidatëve për deputetë të kësaj partie. Qarku i Lezhës, duket se ka një sfidë të vështirë në këto zgjedhje, por Ndoka, në një intervistë për shqiptarja.com thotë se Rilindja tashmë ka ardhur në çdo familje shqiptare.

“Vetë shqiptarët e kanë të qartë se vota e tyre shkon për numrin 29, shkon për ndryshimin e Shqipërisë sonë të nesërme, shkon për Edi Ramën kryeministër të të gjithë shqiptarëve”, thotë për shqiptarja.com juristi Arben Ndoka.

Zoti Ndoka, kandidoni për herë të parë me një forcë politike si Lezha. Çfarë ju solli ju afër politikës?
Falemnderit për këtë intervistë dhe për mundësinë që më jepni që të shpalos përpara lezhianëve por edhe gjithë shqiptarëve, vizionin e Partisë Socialiste për qeverisjen që pas datës 24 qershor. Arsyet e mia të kandidimit, dhe jo vetëm, nuk lidhen thjesht me individin, pra me mua personalisht. Por lidhen me mendësinë dhe mentalitetin që duhet të ndryshojë për të gjithë shqiptarët. Unë vij nga bota e biznesit, një votë që në tetë vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike, e ka gjetur veten të rrënuar, të shkatërruar, jo të aftë të ecë përpara për punët e mira që i duhen Shqipërisë.

Një qeveri në ikje, ka mbyllur çdo kanal frymëmarrje për biznesin e vogël, të mesëm dhe të madh. Kjo qeveri në ikje, përveçse u soll si një taksidare me të gjithë biznesmenët, përveçse në vend të taksës 10 përqind që proklamon, aplikon gjobat marramendëse duke thelluar ndasitë në të majtë e të djathtë për bizneset, nuk ka asnjë vizion dhe asnjë alternativë sesi mund ta nxjerrë vendin tonë nga kriza ekonomike që po e lë.

Jemi të ndërgjegjshëm se kjo qeveri shpërdëroi në mënyrë të pandershme, abuzive dhe familjare, çdo qindarkë të këtyre shqiptarëve të varfër por bujarë, që në emër të bërjes së shtetit, i besuan votën tetë vjet më parë. Por tani ka ardhur koha për Rilindjen, ka ardhur koha që shqiptarët të mos vuajnë varfërinë e tejskajshme, listat e gjata të borxheve të mallrave të shportës që i gjejmë në çdo familje; ka ardhur koha që shqiptarët të mos kenë frikë të dalin në rrugë dhe të përballen me krimin që është bërë më i fuqishëm sesa vetë strukturat e shtetit; ka ardhur koha, që shqiptarët të kthejnë sytë nga vizioni i tyre evropian, nga programi i Partisë Socialiste, nga vota për numrin 29.

E këtu mund të ndalem edhe për kandidimin tim. Duhet të kuptojmë se çdonjëri prej nesh do të mendonte se do të ishte më mirë që të merrej me punët e veta sesa me punët e përbashkëta të të gjithëve ne. Por nuk është kështu. Ne kemi lindur, dhe do të jetojmë në Shqipëri. Tranzicioni 23 vjeçar duhet të marrë fund. Puna dhe investimi im i jetës nuk mund të jetë një investim vetëm i imi personal. Nesër në Parlament, jam i sigurt se zëri i përbashkët i të gjithëve ne, do të bëjë të mundur që të gjitha premtimet që kemi bërë kësaj fushate të bëhet realitet. 

Këto janë fjalë që dëgjohen shpesh, por si do ta arrini një gjë të tillë?
E pra, kjo është çështja tjetër për të cilën dua të ndalem. Dua t’i bëj thirrje çdo socialisti lezhjan, çdo demokrati të qarkut tonë dhe çdo shqiptari të ndershëm e punëtor, të mendohet pak minuta përpara se të votojë. Demokratët, e kanë të qartë këtu në qarkun e Lezhës, se kjo qeveri i ka gënjyer me premtime boshe për tetë vjet me radhë. Nga 2005, kur u fol se Lezha do të kishte vendin që i takonte në tryezën e madhe me emrin Shqipëri, Lezha e historisë dhe kulturës, e dijes dhe punës, Lezha e zhvillimeve të mëdha për kombin dhe historinë, këto vite, ka qenë e përmbytur nga mllefi dhe dufi pa princip e pa kriter i kësaj qeverie në ikje.

Tre vale të mëdha përmbytjesh, për shkak të mungesës së investimeve në hidrovore dhe kanalet e kullimit; tre përmbytje të mëdha për fushat e Lezhës, për prodhimet dhe gjënë e gjallë të këtyre njerëzve punëtorë; ndarja e lekëve për familjarët lezhjanë në mënyrë korruptive dhe vetëm për tarafet personale e nepotike, por edhe vjedhja e fondeve të investimeve, janë arsye të mjaftueshme që çdo demokrat, këtë herë të mendohet dy minuta dhe patjetër të votojë Rilindjen dhe numrin 29. Çdo socialist, e ka të qartë se çdo votë e hedhur për numrin e gabuar, nuk do të kontribuojë për ndryshimin e jetës së gjithsecilit. Lezhjanët, janë një popull i zgjuar.

Unë jam djalë i Lezhës dhe jam rritur mes tyre. E di shumë mirë, e kam të qartë si kristali, që askush nga lezhjanët as nuk do të shitet e as nuk do të blehet në këto zgjedhje. Sepse lezhjanët e kanë treguar këtë me historinë e tyre qindra vjeçare. I kemi dhënë fjalën dhe besën Edi Ramës se do ta zgjedhim kryeministrin tonë, dhe këtë fjalë, do ta mbajmë në 23 qershor. Ndaj dua të kujtoj e rikujtoj: Çdo votë për numrin 29 në fletën e votimit, është votë, për të zgjedhur Edi Ramën kryeministër të të gjithë shqiptarëve. 

Ju mendoni se e keni fitoren e sigurt? Sepse mundet që Berisha të fitojë edhe një mandat të tretë...
Këtu ku ka qeverisur dhe ka drejtuar zhvillimin evropian të Shqipërisë një kokë e madhe si ajo e Gjergj Kastriot Skënderbeut, para qindra e qindra vjetësh, nuk ka asnjë mundësi të ulet këmbëkryq një qeveri që nuk ka më as vizion e as program; një qeveri që mbahet në këmbë me patericat e mbetura të pushtetit korruptiv; një qeveri që kërkon të mbahet në këmbë me vjedhje votash të socialistëve të ndershëm e njerëzve që nuk e njohin fjalën e dhënë; një qeveri që gjatë këtyre viteve shprehu urrejtjen e tij maksimale për gjithë qarkun e Lezhës, në interes të zullumeve e pazareve të pushtetit.

Këtë e kemi ndjerë në çdo familje lezhiane, atje ku kemi hyrë të gjithë si ekipi i Rilindjes, e atje ku duhet të shkojmë nesër, pra në Evropë. Që do të thotë, nuk ka asnjë diskutim, se Edi Rama, do të jetë nga data 24 qershor, kryeministri i gjithë shqiptarëve, të majtë, apo të djathtë qofshin ata. Ne jemi për bashkimin e madh të votave për numrin 29, e ky bashkim, ju garantoj, do të ndodhë në qarkun e Lezhës. 

Si do të ndihmoni njerëzit? Si do të zgjidhni me programin tuaj hallet e lezhjanëve?
Unë e përmenda pak më parë se problem shqetësues i vit pas viti ka qenë përmbytja e Lezhës të paktën tre vjet rresht. Pse ka ndodhur kjo? Shumë e thjeshtë, për shkak të keqadministrimit, abuzimit, për shkak të ndarjes korruptive për kanalet kulluese dhe ngritjen e hidrovoreve dhe hapjen e kanaleve kulluese. Kjo nuk do të ndodhë më. Qeveria me në krye Edi Ramën, me lobimin e fortë të deputetëve socialistë lezhjanë në kuvendin e Shqipërisë, do dijë të jetë eficente me plane të cilat tashmë janë gati.

Lezha ka një rini aktive. Kjo qeveri, nuk i dha asnjë mundësi shkollimi dhe konkurrence të ndershme. Me programin e PS, të rinjtë lezhjanë, siç kanë nxjerrë emra të njohur në të gjitha fushat e jetës, do të jenë të integruar plotësisht në programin e qeverisjes së PS, me shkollën e lartë, konkurrim të ndershëm dhe mundësi punësimi për të gjithë ata që e meritojnë brenda dy viteve të para të mandatit tonë qeverisës.

Ndërkaq, do ta kthejmë Lezhën në një qendër të madhe të turizmit dhe zhvillimit tregtar. Porti i Shëngjinit, i premtuar me dhjetëra herë nga kjo qeveri ne ikje, nuk ka pasur vendin e duhur dhe që i takon në projektet e zhvillimit të zonës. Me qeverinë e PS, dhe duke votuar numrin 29 në fletën e votimit, lezhjanët e të gjithë qarkut, do të kenë një port model, që do të shërbejë si një portë e madhe për të gjithë shqiptarët, brenda dhe përtej kufirit tonë.

Do të investojmë në turizmin malor, dhe në atë bregdetar; do të zgjidhim disa halle të shpejta të banorëve të zonave, me investime në ujin e pijshëm por edhe infratrukturë. Me projektet tona të vogla, do të kemi mundësi të ndihmojmë fermerët për prodhimet e tyre. Do të kthejmë sytë nga komunat e afërta dhe të largëta, për qendrat shëndetësore, shkollat e projektet sociale për fëmijët, por edhe qytetarët e moshës së tretë.

Pra, çdo aspekt i programit tonë, shkon vetëm për qytetarët. Ndërkohë që dua të bëj edhe një thirrje publike: askush të mos guxojë, jo vetëm në Lezhë, por në gjithë Shqipërinë, të bëjë presion në datën 23 qershor mbi qytetarët, për votën. Askush të mos marrë guximin të kërkojë të ushtrojë trysni, mbi lezhjanët dhe mbi gjithë shqiptarët, për të prekur votën. Vota e gjithë shqiptarëve është e shenjtë dhe ne do dimë ta ruajmë, ta numërojmë e administrojmë, për të mirën e gjithë shqiptarëve, për të ardhmen evropiane të vendit tonë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot