INTERVISTA/ Dhimitër Çondi: Ja
pse gërmojnë të huajt në Butrint

INTERVISTA/ Dhimitër Çondi: Ja<br />pse gërmojnë të huajt në Butrint
TIRANE - Pas fotove të botuara dje në “Shqiptarja.com” nga gërmimet arkeologjike në Forumin Romak të Butrintit nga një ekip arkeologësh të huaj dhe reagimit të anëtarëve të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Auron Tare dhe Lorenc Bejko, ka reaguar arkeologu Dhimitër Condi. Pamjet që botoi dje gazeta rrëfenin pjesët e gërmuara dhe zejet arkeologjike të lëna në mëshirën e fatit dhe Tare u shpreh se “gërmimet në Butrint nuk kanë ndjekur asnjë praktikë profesionale dhe janë shumë larg standardeve ndërkombëtare”.

Një pjesë të shkaqeve se pse janë lënë në këtë gjendje na i pohon indirekt edhe vet arkeologu Dhimitër Kondi, i cili ka qenë partner në këto gërmime me arkeologun amerikan David Hernandes të universitetit të Cincinatit, i cili ka lënë gropat hapur dhe është larguar nga Shqipëria. Çondi flet për gazetën “Shqiptaraja.com” për fatin e gropave të thella të mbushura me ujë dhe si e ka ngritur rrethimin mbrojtës të munguar prej 4 vjetësh brenda një dite.

Të duket e pabesueshme, por Çondi u shpreh dje për gazetën se ka bërë gjithçka (sipas tij gjendja nuk është më si tek fotot!), ka mbuluar gërmimet, ka bërë kangjellat rrethuese, ishte “duke shtruar rrugët”. Duke e marrë me rezerva këtë pohim, zbulojmë më tej nga kjo intervistë me arkeologun faktin e hidhur sesi siti arkeologjik i Butrintit është kthyer një qendër eksperimentesh për universitetet e huaja.

Profesor Çondi si është puna e atyre zbulimeve të Butrintit që janë lënë në atë gjendje. E patë ju artikullin për to në “Shqiptarja.com”?
-Po po e pashë. Ja unë jam këtu në Butrint dhe mbulova ato pjesët që kanë qenë në ujë. Kolegu im amerikan David Hernandes është larguar. Unë këtu do të zgjerojë për momentin pjesën që kemi menduar ta lëmë të zbuluar dhe që është e mbuluar me ujë. Këto pjesë lihen jashtë me qëllim që të nxjerrim në pah një pjesë të bukur arkitekturore të forumit romak.

Pasi të kemi rregulluar punën me mbulimet dhe me sipërfaqet që do të lihen hapur, do të bëjmë rrethimin me kangjella, për të mos hyrë njerëzit. Ja me këto gjëra po punoj unë këtu. Po rrethojmë me kangjella pjesën që keni botuar ju në atë foton me atë vajzën. Kangjellat do të lejojnë që të shikohen nga larg ato që janë zbuluar pa u rrezikuar njeri.

Unë jam arkeolog i vjetër dhe ju s’mund ta merrni me mend sesa e dua unë Butrintin. Këtu jam ende në Butrint. Kolegu amerikan është larguar dhe unë po rregulloj mjedisin, ku kemi menduar të krijojmë një pjesë të re arkeologjike për t’u parë dhe vizituar ashtu siç vizitohet edhe Teatri i Butrintit.
 
Pra ju po punoni vetëm aty. Cilët janë pjesëtarë të projektit? Kush i ka bërë zbulimet dhe pse janë në atë gjendje që tregohen në fotografi?
-Unë me David Hernandes. Ne bëmë zbulime të reja në marrëveshje me drejtuesit e Parkut Arkeologjik. Unë po punoj këtu. Tani mbarova mbulimin e atyre pjesëve që janë bërë gërmime dhe po sistemoj rrugët për kalimtarët. Me kolegun amerikan kemi planifikuar edhe një shtesë në formë restaurimi për muret romake për pjesën që do të lihet zbuluar. Muret romakë zakonisht janë unikë dhe lihen ashtu siç janë, por do të bëjmë disa restaurime të vogla për të bërë të vizitueshme këtë pjesë.
 
A ishte e nevojshme të behëj zbulimi, kur dihet që Butrinti është nën nivelin e ujit dhe pjesët e zbuluara mund të pësojnë erozione të forta nga kripa?
-Po edhe Teatri i Butrintit është nën ujë, por është i bukur. Ne kemi dhjetë vjet që bëjmë gërmime në Butrint, mbulojmë e zbulojmë. Unë ju them me bindje se uji nuk e prish teatrin. Pastaj ne do të mundohemi t’i largojmë algat gurëve, të kujdesemi. Dua t’ju bëj të ditur se ne po nxjerrim në dritë një pjesë të bukur që është me kolonada dhe kjo është një pjesë është vërtetë interesante që ia vlen të dalë në dritë dhe shikohet edhe nga vizitorët.
 
A mund të më thoni, ju profesor, se pse janë të interesuar kaq shumë arkeologët amerikanë që t’i nxjerrin prej vendit tonë zejet e nëntokës arkeologjike?
-Po të gjithë arkeologët e botës janë të interesuar për studime. Në Butrint ka pasur gërmime edhe me italianët, në Butrint kanë ardhur për të gërmuar nga të gjitha universitetet e botës. Kanë zhvilluar gërmime grekët, etj.  Po janë interesa të përbashkëta, ne jemi financiarisht dobët dhe kemi nevojë për mbështetje financiare për të bërë botime dhe sigurisht ata kanë interesat e tyre studimore.

Po u jepet leje të huajve të gërmojnë për interesa financiare?!
Po ata kanë interesa studimore dhe ne mbështetemi financiarisht prej tyre sepse jemi dobët. Për shembull, libri “Adrianopoli nr 2” që ka sapo ka dalë në dritën e botimit ka kushtuar. Unë mendoj se interesat janë të përbashkëta, sepse libri studimor ka shumë rëndësi. Kështu ne e ndihmojmë arkeologjinë tonë me botime bashkëkohore. Kolegu im amerikan ka gërmuar 4 vjet në Shqipëri.

Ne i kemi kërkuar ndihmë të gjithë këtyre që punojnë në shumë qendra arkeologjike të botës dhe jo vetëm tek ne. Në vitin 2002-2003 kemi pasur bashkëpunim me anglezët. Pastaj studentë të tjerë nga vend e të tjera të botës kanë ardhur në Butrint dhe kanë gërmuar të huajt. Edhe në fillim Butrinti është zbuluar nga një i huaj, ju i dini gërmimet e Kont Ugolinit.

Profesor, arkeologjia moderne ka një teori tjetër sot, që të zbulohen sa më pak objekte dhe të bëhen studime me mënyra të tjera, sepse toka është ruajtësja më e mirë, sesa kur bien ndesh me faktorët atmosferikë. Ju nuk jeni për këtë teori?
-Po është e drejtë ajo që thoni ju, por ky që po zbulojmë tani është forumi më i madh romak në të gjitha provincat romake, që ndodhet në Butrint dhe ia vlen të ekspozohet, ndërsa zbulimet tjera i kemi mbuluar prapë. Dje i mbulova....
 
I mbuluat se patë lajmin në gazetë?!
-Jo. Jo, gazeta doli sot, unë i mbulova dje. Sot kam vënë edhe mburojat...
 
Profesor ju pohuat më sipër se gërmimet po bëhen nga universitetet e botës, nga studentët. Si arkeolog i vjetër, jeni i sigurt që kjo nuk po sakrifikon Butrintin?
-Jo Butrinti nuk sakrifikohet. Tani e tutje nuk do të ketë më të huaj. Ky ka qenë bashkëpunimi i fundit, dhe tani do të ketë gërmime vetëm me arkeologë dhe studentë shqiptarë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti