Intervista/ Drishti:Vilson Kilica nxiti i
pari modenitetin në pikturën shqiptare

Intervista/ Drishti:Vilson Kilica nxiti i<br />pari modenitetin në pikturën shqiptare
Ka ndërruar jetë mbrëmjen e 7 korrikut në moshën 84-vjeçare “Piktori i Popullit” Vilson Kilica. Në një ceremoni familjare piktori u përcoll dje në banesën e fundit. Ai ishte themeluesi dhe dekani i parë i Institutit të Arteve në Shqipëri.

Studiuesi i artit Ylli Drishti pohon për “Shqiptarja.com” se Vilson Kilica i përket brezit të nderuar të artistëve të artit shqiptar. Drishti gjithashtu thekson se në Galerinë Kombëtare të Arteve, ndodhen 40 vepra të piktorit të viteve 1960-1989. Vilson Kilica ishte artisti i përkushtuar, pedagog i përgatitur dhe komunikues me studentët e tij. Kilica i përket brezit të nderuar të artistëve të artit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Emri dhe vepra e tij do jenë pjesë e historisë së arteve pamore shqiptare. Janë të shumta veprat e Vilson Kilicës që ruhen në koleksionin e familjes dhe në koleksionistë privatë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Sipas Drishtit, vepra e Vilson Kilicës është pjesë e historisë së arteve pamore shqiptare. Piktori që është ndarë nga jeta ka qenë edhe ish pedagog i kryeministrit Edi Rama. Vetë kryeministri i ka dhënë lamtumirën në faqen zyrtare duke e vlerësuar Vilson Kilicën si një njeri “të shtrenjtë dhe të paharrueshëm që jetoi me ngjyrat, duke e ndarë bujarisht dijen e tij me të rinjtë”.

Ende pa ikur nga kjo jetë Vilson Kilica kishte mbetur si një emër që la gjurmë në artin shqiptar. Pikturat e tij e bëjnë atë të mbetet si një nga përfaqësuesit e traditës së pikturës në vendin tonë. Ç’mund të thoni për karrierën e tij dhe për veprën e tij?

Edhe ne e mësuam lajmin për vdekjen e “Piktorit të Popullit” Vilson Kilica. Është një lajm i hidhur për të gjithë artistët, për të gjithë studentët e tij, kolegët, sepse ai ka pasur një jetë si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, më vonë Akademia e Arteve dhe sot Universiteti i Arteve, ku ishte drejtori i parë në ato vitet e para kur shkolla sapo ishte konkretizuar dhe ishte me emrin Instituti i Lartë i Arteve. Dhe më tej Kilica ishte edhe sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Por emri i Vilson Kilicës lidhet me krijimtarinë e tij të gjatë mbi 50-vjeçare, një krijimtari ku ai ka trajtuar kompozime historike, portrete, ku ka trajtuar të gjitha gjinitë e artit pamor. 
Vilson Kilica ishte një artist serioz, këmbëngulës i pasionuar, mjaft i qartë në atë që pikturonte dhe Galeria Kombëtare e Arteve ruan 40 piktura të tij, të cilat kanë qenë në vazhdimësi në linjën muzeale të kësaj galerie. 

Vilson Kilica do të mbahet mend si një artist serioz, si një pedagog gojëmbël me studentët, i komunikueshëm dhe fjalëpakë. Ne kemi pasur fatin ta kishim pedagog gjatë gjithë studimeve në Akademinë e Lartë të Arteve dhe sigurisht në vitet kur këta artistë ishin studentë në Shën Petërburg të Rusisë, dhe ndër ata 24 ish studentë të Shën Peterburgut kemi edhe piktorë edhe skulptorë dhe kritikë të artit dhe Vilson Kilica pati si të gjithë ata një situatë të rëndë në art, se ishte nga ata të parët që provuan të bënin një modernizim të artit para se të ndaloheshin. Le të kujtojmë kur donin të bënin një afresk në Pallatin e Kongreseve, por censura nuk e lejoi, por ata tentuan të zhvillonin një art bashkëkohor, të arrinin sa të arrinin, disa edhe të përgatitur të formuar artistikisht për këtë dhe në vitet ‘68-’71, kur erdhi ajo pranvera e artit shqiptar që donte të lëvizte ndryshe, Kilica pati vepra shumë të mira, sepse ai ishte edhe një piktor dekorativ dhe kishte prirje dekorative, e kishte të brendshme këtë prirje dhe te tablotë, edhe tek peizazhet, ai i bënte në një formë të tillë ku kjo formë estetike dekorativiteti ndikonte te krijimi i stilit të tij, ku ai arrinte ta perfomonte veprën siç e e mendonte, dhe jo një pikturë narrative ‘shih e bëj’, por një pikturë ku dallohet që ky është stili artistik i Vilson Kilicës


Çfarë përmbajtje kishte vepra që iu ndalua? 

Vepra nuk është se iu ndalua, por aty nisi. Vilson Kilica ishte kryetar i Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve dhe aty pësoi një goditje duke e futur në listën e atyre përgjegjësve të liberalizmit të jetës artistike në vend, pastaj e transferuan në Fier si mësues i thjeshtë. Më vonë e kthyen në Tiranë, sepse ishte edhe vëllai i dëshmorit të atdheut Janaq Kilicës, që ishte i lidhur me LANÇ-in, por diktatura në atë kohë nuk pyeste, e megjithatë e transferoi në Fier, por pasi kreu dënimin më tej e kthyen në Tiranë, ku ai dha një kontribut në edukimin e brezave të artistëve, dhe kur u kthye vazhdoi me jetën e tij artistike. 

Cila ka qenë krijimtaria e Vilson Kilicës pas viteve ‘90, kur gjithë artistët ishin në ndryshim e sipër të stilit?

Vilsoni në vitet ‘90 nuk vijoi të pikturonte si shumë artistë që ndryshuan stil, ai mbajti stilin realist, por kishte në studion e tij portrete dhe kompozime, në këto gjini pati shuam risi, por pa ndryshuar shumë stil. 

Ka marrë pjesë me ekspozita në GKA pas këtu viteve?

Ka marrë pjesë, por jo shumë, jo me ekspozita individuale

Cili ishte roli i Vilson Kilicës në themelimin e Akademisë së Arteve? 

Ai ishte pedagogu i parë dhe ndër drejtuesit e parë, si dhe ndër themeluesit e parë bashkë me pedagogët Guri Madhi e të tjerë që ishin të partë që dhanë mësim në shkollën e lartë shqiptare të arteve pamore, ku këta sollën një eksperiencë që ishte studimi akademik në Bashkimin Sovjetik, ku bëhej mirë studimi i trupit të njeriut, i portretit, i natyrës, pra ishte një shkollë klasike akademike

Natyrisht Vilson Kilica apo Guri Madhi e të tjerë kanë përfaqësuar artin e realizmit socialist, çfarë personaliteti, çfarë identiteti e origjinaliteti i dhanë pikturës shqiptare përderisa ajao ka mbetur e koleksionuar në galeri, por edhe në historinë e artit pamor apo jo? 

Këta artistë që u kthyen nga ish bashkimi sovjetik ishin nga ata që vunë bazat e artit të realizmit socialist. Ishte ai dhe brezi i këtyre artistëve të rëndësishëm shqiptarë që kontribuuan me kërkesat e kohës dhe të shtetit tablonë historike politike dhe atë bashkëkohore, ku janë temat e ndërtimit të socializmit, por ai edhe tema historike si Skënderbeu, apo të historisë më të re siç është “Gjyqi i Sinjës” dhe portrete partizanësh që realizuan luftën antifashiste. Artistë si Vilson Kilica janë artistë shumëdimensionalë.


Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Mirë se vini në Sezonin Sportiv 2024-2025!

Mirë se vini në Sezonin Sportiv 2024-2025!