Intervista e plotë/Celibashi: Listat e hapura do vonojë rezultatin! Teknologjia në zgjedhje shmang disa probleme! 27 mln € shërbejnë për disa zgjedhje

Zoti Celibashi, vendosët që të riktheheshit në krye të KQZ-së dia vite pasi e keni mbajtur këtë post, kur ishte në një format tjetër, por gjithashtu pasi keni mbajtur edhe një post ministri. E keni menduar, se në fakt kjo është një fushatë e vështirë dhe gjithmonë kryetarët e KQZ-së janë atakuar nga njëra palë ose nga tjetra në përfundim të rezultatit.

Kanë qenë premisa të tjera nga të cilat unë jam nisur për të marrë këtë detyrë. Ka qenë thjesht dhe vetëm një zgjedhje brenda interesit të karrierës profesionale dhe dëshirës për ta zhvilluar ndryshe këtë karrierë. Pastaj, padiskutim, puna dhe angazhimet publike në një moment të caktuar mundet të vendosin edhe përballë faktorëve apo interesave, të cilat duket që për atë pjesën që i prezanton ato interesa, mund të mos jenë ato të tyret.

Në raportin e djeshëm të Venecias thuhet se nuk ka kohë për të bërë ndryshime deri në prill në lidhje me atë se çfarë ndodhi më 5 tetor. Cili është këndvështrimi juaj si kryetar i KQZ-së, por edhe si një konstitucionalist i njohur?

Më vjen keq, se besoj që do të jetë e vetmja pyetje së cilës nuk do t’i përgjigjem ose do t’i përgjigjem me jo komente, pasi sidomos në kohën në të cilën do të duhet të japim një opinion për këtë çështje, nuk do të duhet ta bëjmë. I gjithë fokusi im duhet të jetë te zbatimi i Kodit Zgjedhor dhe përgatitja e procesit zgjedhor. Pas zgjedhjeve jeni i lirë që ta bëni këtë pyetje.

Zoti Celibashi, u fol shumë në lidhje me paratë që kërkon KQZ-ja, në total rreth 27 milionë euro, për identifikimin dhe më pas për votimin dhe numërimin elektronik. Është hera e parë në një fushatë, e cila do të jetë e fortë. Është i vështirë implementimi? Më pas do të flasim edhe për kostot që do të ketë ky proces.

E vërteta është dhe duhet të jemi të sinqertë dhe besoj se të gjithë duhet ta pranojmë që koha në dispozicion për të implementuar dy projekte të tilla është jashtëzakonisht e pakët, por ne jemi angazhuar, unë si komisioner por edhe nënkomisionerja që t’i përmbushim ato përgjegjësitë e përbashkëta në lidhje më së pari me implementimin e projektit të identifikimit biometrik, por mandej edhe për projektin pilot të votimit dhe të numërimit elektronik të votave. Padyshim që është një sfidë dhe të paktën, në dijeninë time, duke parë eksperiencat e ngjashme botërore në anjë rast nuk ka ndodhur që teknologjia e informacionit të implementohet në një kohë kaq të shkurtër dhe në rang kombëtar. Gjithsesi ne, sikurse e thashë, jemi duke i bërë të gjitha përpjekjet për ta finalizuar me sukses secilin prej këtyre dy projekteve dhe mendoj që në një kohë shumë të shkurtër kemi bërë një hap të madh përpara sikurse është dizajnimi i sistemit në pikëpamje teknike. Po kështu edhe finalizimi i llogaritjes së kostove për secilin prej këtyre projekteve. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se ka qenë një punë mjaft voluminoze.

Ndalemi pak tek ana praktike ose ana konkrete e këtij procesi. Si do të bëhet identifikimi biometrik duke marrë parasysh se ndoshta vështirësi për mungesën e internetit kemi pasur edhe te mësimi online. Nuk janë dy procese të ngjashme, por kemi pasur shumë nxënës që në zonat e thella kanë mbetur jashtë këtij procesi. Mund të jetë risku që edhe shumë votues të mbeten jashtë procesit të votimit për shkak të këtyre teknikaliteteve?

Sistemi i identifikimit biometrik nuk kërkon akses në internet dhe ne këtë e kemi bërë me qëllim jo për faktin se objektivisht ky mund të ishte një problem, pra nevoja për të pasur internet, por për të rritur sigurinë e procesit dhe të sistemit. Identifikimi i zgjedhësve nëpërmjet shenjave biometrike do të bëhet offline dhe nuk do të ketë akses në internet.

Ndalemi pak edhe te mënyra e votimit që do të implementohet vetëm në 20% të territorit, ndryshe nga identifikimi biometrik që do të bëhet në të gjithë territorin. Janë përcaktuar deri tani zonat që hyjnë te ky 20%?

Ligji i Kodit Zgjedhor përcakton që do të zhvillohet si projekt pilot votimi dhe numërimi elektronik i votave në jo më pak se 10% të qendrave të votimit dhe jo më shumë se në 20%. Pra ky do të jetë marzhi. Ende ne si institucion nuk e kemi përcaktuar se cila do të jetë zona pilot. Do ta bëjmë këtë gjë në konsultim të ngushtë edhe me partitë politike të të gjithë spektrit. Jemi ende në proces.

Të flasim pak për teknikën. Votuesit do të jenë përpara një kompjuteri, do të zgjedhin mënyrën, do të kenë të gjitha forcat politike, si veprohet?

Pak a shumë kjo është ideja. Votuesi do të paraqitet para një kompjuteri, që mund të mos jetë ai kompjuteri klasik, mund të jetë një ekran me prekje dhe aty do të jetë e shfaqur fleta e votimit, në mënyrë të qartë që të mos krijojë konfuzion për votuesin dhe votuesi lehtësisht, mendoj unë, do të bëjë zgjedhjen e vet në lidhje me partinë ose kandidatin që ai preferon. Kemi menduar që veç zgjedhjes në mënyrë elektronike, makineria apo pajisja të sigurojë mundësinë edhe të printimit të zgjedhjes së votuesit që, nëse do të jetë rasti për të bërë verifikimet, të kemi edhe një opsion për t’i bërë këto verifikime në mënyrë të përshtatshme.

Duke qenë hera e parë që Shqipëria e implementon një projekt të tillë, ekziston rreziku i sulmeve të ndryshme kibernetike, se edhe në vendet më të zhvilluara të botës kemi parë që kur ka votime elektronike forca të ndryshme tentojnë të ndërhyjnë për të ndryshuar rezultatin.

I gjithë sistemi do të jetë offline, pra nuk do të jetë online. Si sistemi i identifikimit biometrik të votuesve, ashtu edhe sistemi i votimit dhe i numërimit elektronik do të punojë lokalisht për çdo qendër votimi dhe nuk do të jetë i lidhur në rrjetin e internetit.

U fol në fillim se vlera minimale ose dyshemeja për këtë proces do të ishte diku te 14 milionë euro, ndërsa pas llogaritjeve ka shkuar te rreth 27 milionë euro, prej të cilave rreth 16,8 milionë euro për identifikimin biometrik dhe 10 milionë euro për votimin dhe për numërimin elektronik. Duke marrë parasysh edhe situatën në të cilën ndodhet Shqipëria nga ana financiare, mund të ishte gjetur një ofertë më e ulët?

Ne nuk e dimë se sa do t’i kushtojë realisht buxhetit të shtetit, por në kushtet ku ka munguar referimi në lidhje me kostot për të implementuar një projekt të tillë, sepse për herë të parë po implementohet në Shqipëri si njëri projekt ashtu edhe tjetri, atëherë bazuar në ato përcaktimet e ligjit për prokurimet publike, ne gjatë gjithë kësaj periudhe kemi bërë vlerësime bazuar në treg për kostot dhe kemi nxjerrë një mesatare. Sikurse edhe ju e dini, ne u kemi dërguar një kërkesë për informacion kompanive me eksperiencë ndërkombëtare, por edhe kompanive lokale, por atyre ndërkombëtare me eksperiencë në proceset zgjedhore, për të na dhënë një mendim në lidhje me kostot e një projekti të tillë. Kemi marrë informacion prej tyre dhe bazuar në ato metodologjitë e përcaktuara nga ligji shqiptar, kemi përcaktuar një mesatare të kostove për secilin projekt. Padyshim që janë shumë para dhe ne nuk mund të mos e themi këtë gjë, por në fund të fundit, ata që e kanë miratuar Kodin Zgjedhor kam përshtypjen që i kanë bërë edhe këto parashikime që lidhen me kostot për implementimin e këtyre dy projekteve. Dua të them edhe diçka tjetër që, të dy këto sisteme nuk është se do të përdoren vetëm për këto zgjedhje. Kërkesa jonë është që sistemet, të cilat sot kanë këtë kosto relativisht të parashikuar prej nesh, të përdoren minimalisht për 3-4 zgjedhje të tjera, ato vendore dhe ato për Kuvendin e Shqipërisë. Dhe nga ana tjetër, në rastin e duhur, do t’u kërkojmë kompanive që mund ta ofrojnë këtë shërbim, që të kenë të gjithë përgjegjësinë për mbarëvajtjen e këtyre sistemeve dhe bërjen e tyre të operueshme në të gjitha proceset zgjedhore. Pra kjo është një kosto që në fakt mund të paguhet tani, por nuk është se nuk do të përdoret edhe për zgjedhjet e tjera, pra si të thuash, do të duhet ta pjesëtojmë për 4-5 zgjedhje.

Zoti Celibashi, gjithmonë pyetja që bëhet në Shqipëri është se kur del rezultati i zgjedhjeve? Mësuam nga Kosova në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit që shkoi, sesi shumë shpejt u arrit që të dilte rezultati i zgjedhjeve, ndërsa shqipëria ndoshta edhe për shkak të luftës politike gjithmonë e ka të vonuar një rezultat përfundimtar. Do ta ndihmojë ky proces dhe kjo formë e re e funksionimit që shqiptarët ta marrin vesh më shpejt se kë kanë votuar dhe cili është rezultati përfundimtar?

Padiskutim, në rastin e votimit dhe të numërimit elektronik rezultati del menjëherë, le të themi. Në momentin që mbyllet procesi i votimit ne e kemi mundësinë që të dimë sesi ka dalë rezultati në ato njësi zgjedhore ku do të implementohet sistemi i votimit elektronik. Në zonat e tjera zgjedhore, ku numërimi i fletëve të votimit do të bëhet në mënyrë manuale, padiskutim që koha e nxjerrjes së rezultatit nuk është e njëjtë me atë të rastit kur votohet në mënyrë elektronike. Ne ende nuk e dimë sesa do të impaktojë sistemi i ri i numërimit të fletëve të votimit duke konsideruar që tashmë votuesi ka të drejtën, ka edhe mundësinë e dhënies së një vote parapëlqyese për një kandidat të caktuar, sepse do të numërohen votat për partitë, pastaj do të numërohen eventualisht edhe votat për kandidatët. Kjo padyshim që e rrit kohën e nxjerrjes së rezultatit, por jemi duke punuar edhe në konsultim me përfaqësues të partive politike për të gjetur një zgjidhje sa më optimale që nga njëra anë të sigurojë integritetin e procesit të nxjerrjes së rezultatit, por nga ana tjetër ky proces të përfundojë në një afat sa më të shpejtë.

Në komunikimet e shumta që kemi edhe drejtpërdrejt me qytetarët në televizion, ata shprehin shqetësimin, sigurisht duke dëgjuar edhe shumë informacione në media, se do ta kenë të vështirë të shkojnë te fleta e votimit duke marrë parasysh se forma e listës së hapur paksa më e moderuar, të votohet kandidati pastaj të votohet edhe partia. Si do të arrihet në përfundimin që ky proces të jetë sa më i thjeshtë për ta, pra në kuptimin e fletës së votimit apo mbetet që të sqarohen edhe koalicionet dhe listat nga partitë që më pas të kemi informacionin e saktë.

Personalisht besoj që mund të krijohet një problem, por KQZ-ja do të angazhohet në një fushatë informimi dhe sqarimi të tillë, që besoj se për këdo, edhe për atë që është më i painteresuar për procesin e votimit, ditën që do të vendosë për të shkuar për të votuar, ta ketë të qartë sesi është procedura e votimit dhe sesi ta bëjë zgjedhjen e vet në fletën e votimit. Shpresoj që do të jemi të suksesshëm në këtë fushatë të informimit dhe të edukimit të zgjedhësve. Dhe kjo është shumë e rëndësishme, për hir të së vërtetës.

Prej akuzave të shumta që kemi dëgjuar, zgjedhjet e shkuara nga historia, shpesh janë akuzuar se kanë votuar persona të cilët kanë ndërruar jetë, ka votuar një person për të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, pra duke vënë në pikëpyetje të paktën edhe legjitimitetin normal nga ana morale të proceseve zgjedhore. Këtë vit, identifikimi biometrik i shmang të gjitha këto parregullsi që kanë ndodhur vitet e shkuara?

Po, padiskutim, edhe në opinionin tim, është një garanci më shumë në këtë proces qoftë edhe për faktin që do t’i dekurajojë ata të cilët mendojnë që kanë mundësinë të votojnë jo në përputhje me parashikimet e ligjit, pra X të votojë në emër të Y, e të tjera si këto. Dhe nga ana tjetër sistemi është i tillë që lë gjurmë kushdo nëse do të votojë jo sipas atyre përcaktimeve të ligjit dhe është lehtësisht i verifikueshëm nëse dikush ka votuar për llogari të dikujt tjetër ose ka votuar në një qendër votimi ku nuk duhej të votonte.

Dibra dhe Gjirokastra janë dy qarqet e para të cilave u është hequr nga një mandat për t’ua kaluar Tiranës, e cila nga 34 shkon në 36 vende në parlamentin e pas 2021, duke bërë kështu që 25% e garës të jetë e përkushtuar në kryeqytet. Nga i gjithë vëzhgimi që ju keni bërë, do të ketë qarqe të tjera, të cilat mund të kenë nevojë për një zvogëlim të numrit të deputetëve?

Ne jemi ende në procesin e shqyrtimit të këtij projektakti. Kemi marrë një informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për t’iu përgjigjur edhe interesimit të partive politike dhe sensibilitetit të tyre për këtë çështje, e cila është mjaft e rëndësishme dhe ne e kuptojmë këtë gjë shumë mirë. Po kërkojmë informacione shtesë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në lidhje me numrat që ata kanë sjellë në KQZ. Do të bëjmë të gjitha verifikimet e duhura për ta qartësuar këtë çështje, nëse ka nevojë, me qëllim që të gjitha palët të shikojnë që ajo çfarë ne do të vendosim është plotësisht në përputhje me ligjin dhe me faktet.

Ka pasur akuza nga PD-ja se Gjendja Civile është duke i zhvendosur banimet e personave të ndryshëm në mënyrë që ata të kenë mundësi, siç thonë ata, që mazhoranca përmes makinacioneve të arrijë të marrë sa më shumë vota në zgjedhjet e 25 prillit. Ka KQZ-ja akuza apo denoncime konkrete në lidhje me këtë çështje?

Zyrtarisht ne nuk e kemi këtë shqetësim të adresuar, në mënyrë precize të tillë, por veçmas kësaj, pavarësisht kësaj, ne po i kërkojmë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile informacion edhe në lidhje me këtë çështje, sepse kjo lidhet direkt edhe me përcaktimin e numrit të mandateve për çdo qark. Mbetet për t’u parë, bazuar në fakte, sesi qëndron çdo pretendim. Dua të them një gjë që, KQZ-ja, bazuar në rekomandimet e pozitës dhe të opozitës, ka emëruar dy teknicienë auditues pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe ata kanë të gjithë aksesin për të marrë informacionin që duhet. Ka ardhur një raport, presim edhe raportin tjetër për të parë sesi janë duke shkuar gjërat atje.

Ndalemi pak edhe te vota e emigrantëve, e cila duket se do ta bëjë 25 prillin, edhe për këtë arsye, një proces ndryshe nga të tjerët. Përmes identifikimit në e-albania, ata do të kenë mundësi të japin votën e tyre. Ta sqarojmë këtë proces, edhe për ata qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes, siç ndodh për Shqipërinë?

Për saktësi, dua të them që ende nuk ka një set rregullash të përfunduar, set rregullash për mënyrën sesi do të zhvillohet procesi i votimit i shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Ne ende nuk kemi përcaktuar sesi do të krijohet lista e zgjedhësve të këtyre shtetasve, si do të votojnë këta dhe sesi do të numërohet vota e tyre. Jemi ende në proces, jemi drejt finalizimit, për hir të së vërtetës, por ende tej asaj çfarë ka parashikuar Kodi Zgjedhor nuk ka asnjë zhvillim tjetër në pikëpamje të kuadrit rregullator.

Ka pasur një debat publik në lidhje me numrin total të votuesve në Shqipëri, në zgjedhjet e 25 prillit, sipas asaj që ka publikuar KQZ-ja teksa ndoshta edhe forca të ndryshme politike, por edhe një pjesë e shoqërisë civile, ka deklaruar që ky numër mund të jetë fryrë, duke marrë parasysh faktin se ka edhe shumë emigrantë që janë larguar nga vendi, por që figurojnë aktualisht në Shqipëri me dokumentacion apo me vendbanime. Keni ndonjë sqarim për këtë?

Të gjithë shtetasit shqiptarë me të drejtë vote, pavarësisht se ku jetojnë, janë në regjistrin e votuesve. Pastaj në situatën kur ata, të cilët jetojnë në mënyrë të përhershme jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, do të duhet të votojnë atje ku jan. Lista e zgjedhësve të atyre që jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë patjetër që do të jetë në numër më e vogël, krahasuar me listën aktuale.

Keni një thirrje drejtuar partive politike se, pavarësisht punës suaj, ato mbeten pjesa kryesore e bashkëpunimit qoftë në afatet kohore, qoftë në dorëzimin e listave apo edhe në procedurat e tjera, në mënyrë që ky proces, i cili këtë vit do të jetë pak më ndryshe, të shkojë sa më mbarë dhe të realizohet sa më shpejt?

Për sa i përket procesit përgatitor zgjedhor, dua ta them që deri në momentin që ne po flasim, bashkëpunimi ndërmjet KQZ-së dhe partive politike të të gjithë spektrit është shumë i mirë, efiçent dhe mendoj që kjo është në dobi të procesi, është edhe në dobi të atyre vetë. Nga ana jonë nuk mungon, në mënyrë absolute, si vullneti ashtu edhe dëshira dhe të kuptuarit e përgjegjësive që kemi kundrejt tyre dhe jemi të disponueshëm për t’iu përgjigjur, ashtu sikurse duhet, interesit të ligjshëm të tyre.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion