Intervista/Kopliku: Ja ç’ndodh në
PS-Shkodër pa Hafizin e Doshin

Largimi i Mimoza Hafizin shënon një humbje të dytë në strukturat socialiste të Shkodrës pas Tom Doshit. Aktualisht, deputetë të këtij qarku në Kuvendin e Shqipërisë, janë Namik Kopliku dhe Paulin Stërkaj. Teksa beteja elektorale parlamentare po afron, deputeti Kopliku nuk e sheh suksesin e PS-së tek emrat e përveçëm, por tek skuadra. Në një intervistë për Shqiptarja.com ai shprehet se largimi i Hafizit është humbje për çdo parti, teksa mungesa e Tom Doshit nuk ka ndonjë domethënie specifike, sepse siç shprehet ai, në 2013 gara ishte me 11 shtylla (11 kandidatët socialistë në listë), ndërsa në 2017-ën, ekipi elektoral duhet të bindë shkodranët për reformat e ndërmarra nga qeveria. Kopliku shpreh respekt të vijueshëm për Ben Blushin edhe pas largimit të tij, por saktëson se “rebeli” nuk e ka pasur parasysh Namik Koplikun kur ka folur për “kazanin e rilindjes”. Sa i takon konfliktit mes kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi dhe kryeministrit, Edi Rama, Kopliku thotë se dëshmon dëshirën e qeverisë për të bërë akoma më shumë punë të mira për qytetin. Ai akuzon kryebashkiaken se ka paraqitur projekte shumë të dobëta dhe me fatura financiare të pa justifikuara. 
 
Z. Kopliku, parlamenti miratoi ligjin për importin e mbetjeve, dhe debati duket se po zien më shumë pas votimit, se para tij, çka do të ishte dhe e arsyeshme apo efektive. Ju jeni një prej deputetëve që e votuat. Nuk patët asnjë dilemë kur e votuat?
Do të doja që kjo intervistë të fillonte me reformën në drejtësi dhe me ligjet e sapo miratuara, por ju si media jeni të përqendruar tek gjërat me pikante, ndërsa ne si ligjvënës tek gjërat më të rëndësishme. Fitore e madhe ishte miratimi i ligjeve që mbështesin paketën kushtetuese dhe Shqipëria ka tashmë bazamentin ligjor për një reformë të rëndësishme në drejtësi. I vetmi kundërshtar i saj është opozita, e cila është armik sepse, mbi të gjitha, mund të kenë të bëjnë me atë personalisht dhe eksponentët e saj. Ne nuk kemi qenë të impresionuar para miratimit të këtij ligji, e as nuk jemi të impresionuar tani mbas. Për këtë projektligj kemi qenë të bindur, pasi kemi dëgjuar të gjitha variantet, argumentet, grupet e interesit, ambientalistët, ricikluesit, etj. Unë jam një nga deputetët që e kam votuar këtë ligj, por jo vetëm kaq, edhe kam marrë pjesë në shqyrtimin e detajuar të tij në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Për sa kohë isha i bindur se me këtë projektligj bëmë mirë dhe jo keq; është i nevojshëm dhe jo i dëmshëm; është në kohën e duhur, pasi më vonë nuk do kishte më vlerë, kur dëmi mund të ishte bërë ( e kam fjalën në dëm të industrisë së riciklimit); unë nuk kam pasur asnjë dilemë për votën që kam dhënë pro këtij ligji. Nuk kam dilemë as për qëndrimin që po mbaj tani në mbrojtje të projektligjit.   
 
27 deputetë të mazhorancës, shumica të Partisë Socialiste nuk e votuan këtë ligj. U ndiet të tradhtuar nga kjo rrjedhje votash jashtë vendimit të grupit parlamentar?
Kur je në një pozicion të caktuar, në këtë rast në pozicionin e deputetit, nuk mund të llogarisësh kostot personale, por të marrësh vendime. Vendimet merren nga qeveria, ose nga deputetët kur votojnë. Këta 27 deputetët do të ishin kundër nëse do të ishin prononcuar në kundërshtim të tij. Unë nuk di të jetë kështu. Vetëm kolegu Dashamir Peza votoi kundër, dhe ai quhet kundër ligjit. Kolegët Blushi dhe Hafizi (nuk di a t’i quaj më Partisë Socialiste) janë shprehur kundër. Nuk di të tjerë.
 
Z. Braçe është kryetar komisioni, eksponent i rëndësishëm në parti, dhe prapë nuk ju bind vendimit të partisë...
Braçe nuk mori pjesë në votim. Do ta quaja kundër, nëse do të ishte prononcuar kundër tij. Me aq vota sa kaloi ligji i mbetjeve, aq morën dhe ligjet e tjera. Aq deputetë pati në sallë atë ditë për të votuar. Ligjvënësi ka parashikuar vota që miratohen me 90, 84 vota apo me shumicën e të pranishmëve. Aq vota sa mori ligji janë më të mjaftueshme. Ajo pjesë e vogël që ishte në sallë dhe nuk votoi, nuk përbën asnjë problem. Nuk e di se sa kanë qenë në brendësi të ligjit, apo janë nisur apriori “këtë ligj nuk e dua”. 
 
Më lejoni edhe një pyetje partiake. Ben Blushi, një prej kritikëve të punëve në PS, ndonjëherë i mbështetur dhe prej jush në nismat e tij, u largua nga PS dhe është drejt një hapi të ri politik. Si e komentoni këtë lëvizje, dhe sidomos etiketimin e tij se po largohej nga “kazani i rilindjes”?
Deklarata e bërë prej tij hynë në ambientin e duhur për lëvizjen politike të z. Blushi, për të cilën nuk kam asnjë koment. Sa i takon shprehjes së përdorur prej tij “po largohem nga kazani i rilindjes”, me sa e njoh z. Blushi, unë jam i bindur që ai nuk e mendon të gjithë anëtarësinë apo deputetët e Partisë Socialiste si pjesë e një kazani. Miqësisht do t’i sugjeroja që me shprehje të tilla pexhorative të bëhej kujdes, sepse asgjë nuk sjell, veç njerëzve që mund të nervozohen lehtë dhe mund t’i përgjigjen me të njëjtën mënyrë. Unë përveçse nuk nervozohem lehtë, ruaj respekt për z. Blushi, dhe nuk kam ndërmend t’i kthej përgjigje për këtë etiketim. Jam i bindur që thellë-thellë, zor se më përfshin dhe mua në atë kazan.  
 
Bashkë me Blushin është larguar përmes një njoftimi publik edhe kolegia juaj në Shkodër, Mimoza Hafizi. Është kjo një humbje për strukturën tuaj në Veri? Ju vendos në një pozitë të vështirë përpara zgjedhjeve elektorale, kur edhe z. Tom Doshi gjithashtu i distancuar...
Që ta dini ju dhe të tjerët, zonja Hafizi është jo vetëm kolege por edhe mike e imja. Ajo dhe gjithë rrethi i saj familjar. Unë e njoh shumë mirë Mozën dhe mendoj që nga çdo parti politike që mund të largohet, humbje ka partia. Humbje ka edhe Kuvendi po të mos jetë anëtare e saj znj. Hafizi. Por mendoj që në një parti politike njeriu hyn vullnetarisht dhe në momentin që me ecurinë e një formacioni politik nuk pajtohesh, me vullnet të lirë del nga kjo strukturë politike. Mendoj se është gjëja më e madhe që ndodh me njerëz të emancipuar. Në një moment janë pjesë e një grupi të caktuar, e në një moment tjetër vlerësojnë se nuk mund të jenë më pjesë e një grupi të caktuar. Për sa i përket humbjes së strukturës partiake të PS-së në Shkodër, jam i sigurt se Tirana, 5-6 qytete të mëdhenj të Shqipërisë, kanë forca të bëjnë ekipe deputetësh nga 5 ose 6. Pra, qarqet e mëdhenj, sado të humbasin nga një individ, aq nuk diskutohet që kanë burime të tjera të zëvendësojnë secilin nga deputetët. Mos ardhtë ajo ditë që një zonë mund ta përfaqësojnë vetëm 1, 2 apo 3 persona.
 
Në Shkodër duket se do të jetë jo fort e lehtë përballja elektorale e vitit të ardhshëm. Bashkia drejtohet nga të djathtë, dhe ka një debat publik mes kryeministrit dhe kryetares së Bashkisë, Voltana Ademi për mungesën e financimeve në këtë njësi vendore. Ju si deputet, jeni i kënaqur me investimet qeveritare në Shkodër? A qëndron ndonjë pretendim i kryebashkiakes?
E majta gjithë këto vite ka pasur vështirësi në garat elektorale në veri, ndaj nuk është ndonjë çudi e madhe që kryebashkiake është znj. Ademi. Të gjitha pretendimet e saj për mendimin tim nuk qëndrojnë në raport me investimet, të cilat nuk kanë munguar nga ana e qeverisë për veriun dhe Shkodrën.
 
Kryebashkiakja pretendon se janë investime fasadash dhe jo mbështetje sociale....
Varet çfarë kupton ajo me projekt me ndikimin direkt në jetën e qytetarëve. Ajo e ka merakun se veç investimeve qeveritare, kërkon më tepër projekte nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për të cilat bën dhe krahasime me disa bashki të tjera të veriut. E vërteta është se në këtë fond aplikohet me konkurs, ku gara bëhet sipas cilësisë së projekteve, sipas mundësisë financiare Fondi i Zhvillimit të Rajoneve financon projekte të caktuara. Një këshilltar bashkiak ka bërë një analizë të cilësisë së projekteve të bashkisë së majtë të Tepelenës, dhe asaj të djathtë të Tropojës, me ato të bashkisë Shkodër, që janë tepër të rëndomta, tepër të pa detajuara dhe të pajustifikuara për sasinë e mjeteve financiare që kërkonte për tu realizuar. Znj. Ademi duhet të shikojë së pari cilësinë e projekteve që kërkon. Nëse ka pasur ndonjë debat me kryeministrin, kjo ka ardhur nga dëshira e tij për të bërë akoma më shumë investime për Shkodrën. Investime që i përgjigjen një cilësie të caktuar projektesh. Nëse qeveria nuk do të investojë për gjë në Shkodër, nuk kishte pse të bënte debat.  Debati që ju i referoheni është bërë gjatë inaugurimit të Stadiumit të Shkodrës, investim që prek jetën e qytetarëve sikundërse përmendët ju. Sa herë ka ndeshje, aty vihet në punë jo vetëm Shkodra, por edhe rrethinat e saj. Debati ishte se ky investim margaritar është futur në një mjedis të papërshtatshëm. Është detyrë e bashkisë të krijojë mjedisin, ashtu sikundërse e kërkojnë dhe normat e UEFA-s. Debati përqendrohet në përgjigjen: bëni projekte cilësore dhe ejani krijoni fonde. Fonde nuk kërkon vetëm Shkodra, por të gjitha bashkitë e vendit. Nuk ka asnjë neglizhim, sepse asnjë qeveri nuk fiton gjë duke sulmuar veriun apo jugun.
    
Pse nuk uleni me kryebashkiaken Ademi për të listuar së bashku nevojat dhe prioritet dhe më pas, të uleni dhe me kryeministrin për këtë çështje?
Qeverisja është gati për bashkëpunim, këtë e di edhe nga komunikimet direkte me kryeministrin, sikundërse di edhe që projektet nuk kanë qenë cilësore nga ana e bashkisë. Për sa i takon rolit tim, nuk besoj që jam unë ai që ul kryebashkiaken me kryeministrin. Nuk ka shkuar puna që të negocioj unë. Do të negocioja nëse do të vija re që kryeministri nuk do fare të hedhë sytë nga Shkodra. Nuk konstatoj diçka të tillë. Sapo ishim në Shkodër dhe në disa bashki të tjera të veriut, Gruemirë, Vermosh, Pukë, etj. Ku janë bërë disa investime serioze. Po të konstatoja neglizhencë nuk do të negocioja, por do të ngrija zërin. Por nuk e konstatoj një gjë të tillë. Kjo nuk është çështje se janë mërzitur me njëri-tjetrin dhe do të futem unë ta pajtoj. Ata janë në detyra shtetërore dhe edhe po s’patën simpati për njëri-tjetrin, detyra do t’i ulë në tryezë për të diskutuar. Nuk më duket se ka mosrespektim mes tyre, veç kërkesës së kryeministrit për të bërë gjëra më të mira për Shkodrën dhe një javashllëk të pa justifikuar nga ana e Bashkisë për tu përgjigj me projekte cilësore. Ai konflikt më mirë që ndodhi, sepse jam i bindur që ata të dy të ulen të gjejnë një zgjidhje, po të duan dhe bashkë me 11 deputetët e Shkodrës, të majtë e të djathtë, për të parë cilat janë prioritetet dhe mundësitë e investimit. Nëse do të bëhesha ndonjëherë negociator mes kryebashkiakes dhe kryeministrit, do të bëhesha veç si deputet i 11-i, bashkë me gjithë deputetët e tjerë të qarkut. Jam e bindur që në një rast të tillë do të kishte pa diskutim një “OK” nga kryeministri dhe nuk e di a do të kishte nga znj. Ademi.
 
Fushata elektorale do më pak se një vit të vijë. Si e shikoni rezultatin elektoral në qarkun e Shkodrës për partinë tuaj?

Në vitin 2013 koalicioni ynë, tashmë qeverisës, për herë të parë mori më shumë mandate se Partia Demokratike dhe aleatët e saj. Lufta në qarkun Shkodër do të jetë e fuqishme, pasi të gjitha partitë i janë sulur Shkodrës si një fushëbetejë ku mund të marrin diçka. Të gjitha partitë pretendojnë rezultat, sepse është qark me shumë mandate, edhe pse e quajnë të djathtë. Në funksion të fushatës elektorale të ardhshme, fati do të varet se sa të zotët do të jemi, kushdo qoftë në ekipin që do të konkurrojë në emër të Partisë Socialiste, të bëjmë të qartë se kur qeveriset me një mandat 4-vjeçar për kryeministrin dhe për qeverinë dhe jo për kryebashkiakun, rëndësi ka të bëhet bilanci i reformave. Pra, çfarë reformash ka arritur të bëjë një qeverisje që mori një mandat 4-vjeçar. Në këtë aspekt jam shumë optimist që Shkodra do t’i kuptojë mirë reformat shumë të mëdha që janë realizuar në këtë mandat, duke filluar nga reforma në pensione, në arsim, dekriminalizimi, ndarja territoriale dhe mbi të gjitha reforma në drejtësi. Një votues i kthjellët, mundësisht i sqaruar (dhe kjo është puna e ekipeve që konkurrojnë në fushata elektorale) duhet të kuptojë çfarë u bë në 4 vite, dhe jo të numërojë pas asfalt këtu, e pak beton në këtë apo atë fshat. Në këtë aspekt, nëse shikohet vota si reformim i shtetit shqiptar, dhe jo thjesht me objekte, unë jam optimist se e majta do të jetë përsëri fituese në qarkun e Shkodrës. 
 
Më lejoni t’ju kujtoj disavantazhet. Zonja Hafizi nuk është më. Z. Doshi pritet të paktën siç duken gjërat deri tani, si shtyllë kryesore t’i mungojë ekipit tuaj...
Njerëzit në detyra partiake mund të lëvizin, të ikin dhe të vijnë. Edhe etiketimet që i vini ju “shtyllë kryesore” ose jo kryesore, mendoj që ne kemi qenë 11 në liste, dhe kemi qenë 11 shtylla dhe asnjëra nuk ka qenë më kryesore se tjetra. Secili ka pasur fokusim tek elektoratit...
 
Ka edhe mite të pushtetit politik në zona të caktuara....
Ka shumë mite. Janë jo vetëm për z. Doshi por për secilin prej neve. Nga një herë i bëjmë me sy vetes që jemi përfaqësues të kësaj apo asaj pjese të elektoratit. Populli shkodran është i emancipuar dhe do të arrijë të kuptojë se nuk po voton për asnjërin prej deputetëve në veçanti, por do të votojë se kush do të qeverisë këtë vend. Do të qeverisë Edi Rama për të vazhduar këto reforma, apo do të kthehet mbas tek Sali Berisha? Populli shkodran nuk do të shohë aq shumë emrat, por do të shohë kush do të jetë kryeministri i Shqipërisë dhe ardhmja e reformave që kanë nisur në këtë vend.   
 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen