Intervista/ Luan Rama rrëfen thesaret e arkivave arvanitase nga bibliotekat e Francës

Intervista/ Luan Rama rrëfen thesaret e arkivave arvanitase nga bibliotekat e Francës

Promovimi i dy veprave te fundit të Luan Ramës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

Shqiptarët e shekullit XVII-XIX, në të gjitha trojet ku ata jetojnë, përfaqësohen ende me një histori të fshirë dhe të manipuluar nga qarqet shoviniste. Ish diplomati Luan Rama, shkrimtar dhe studiues i njohur, prej vitesh me në punë të palodhshme e plot pasion shpalos me fasha të gjata drite thesaret e arkivave të zbuluara në bibliotekat kombëtare të Francës. Aty ai gjen letra, dokumente, piktura, akte dipolomatike,fotografi, litografi, krijimtari, folklor, libra të çmuar të diejtarëve dhe diplomatëve francezë për shqiptarët dhe arvaniatasit. E bëhet fjalë për më shumë se dy shekuj pasuri dokumentare origjinale, duke u shtyrë tutje deri në periudhën e Napoleon Bonapartit.

Luan Rama, autori i librit prej 700 faqesh “Me Arvanitët Rrugëve të Greqisë” dhe i një morie veprash të tjera studimore e letrare, promovoi këtë të mërkurë në Akademinë e Shkencave dy librat më të rinj: “Konsullatat franceze në Shqipërinë e shekujve XVII-XIX”, një punim shumë voluminoz i tij, dhe botimin “Udhëtim në Athinë dhe në Konstandinopojë”, të Luois Dupré.

Si ishin qytetet shqiptare të asaj mesjete të vonë? Një përshkrim i detajuar na zbulon imazhin e tyre në librin “Konsullatat franceze në Shqipërinë e shekujve XVII-XIX”, ku rishfaqen para syve tanë qytete të humbura dhe epoka të harruara. Studiuesi Luan Rama, në një intervistë për “Shqiptarja.com” flet se çfarë ka zbuluar, kur ka marrë në duar qindra dokumente nga arkivat franceze. Cila ishte fytyra e vërtetë e Shqipërisë së Mesjetës së vonë sipas letrave të diplomatëve francezë dhe nga pëevojat e udhëtimeve të tyre në Shqipëri.


Promovimin në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë e çeli akademikja Floresha Dado, duke i cilësuar dy librat “me shumë vlerë në fushën e historisë, diplomacisë e albanologjinë në tërësi.”
Prof. dr. Aurel Plasari në kumtesën e tij, “Refuzimi i “Shqipërisë turke” prej konsujve francezë”, i cilësoi veprat e Ramës “me interes shkencor albanologjik, që në kulturën shqiptare do të duhej të qe kryer qysh para 50 vjetëve, për të mos thënë prej një shekulli”.

“Fjala është për atë informacion mbi “botën shqiptare”, të cilin vetëm sa nisi t’ua bënte paksa të njohur shqiptarëve Faik Konica, ndërsa punoi për t’ua paraqitur më gjerë Lumo Skëndo në vitet ’20 të shekullit të kaluar te “Diturija”, me ciklin e njohur “Udhëtarët e huaj në Shqipëri gjer në fund të shekullit XIX”. Nuk duhet shpërfillur fakti se që pothuaj të gjithë konsujt e Fuqive të Mëdha në “Shqipërinë turke” ishin edhe udhëtarë, madje udhëtarë të pasionuar”, tha Plasari, duke shtuar se “në përgjithësi, ndodh që dëshmitë e udhëtarëve të kenë përparësi ndaj të dhënave të akteve zyrtare dokumentare, madje edhe ndaj kronikave të shkruara nga zyra a nga qelia e murgut.

Udhëtari i ka shkelur me këmbë, ndonjëherë edhe me kokën në rrezik, viset që i kanë interesuar; ai i ka ndeshur për së gjalli njerëzit që ka njohur dhe për të cilët ka treguar. Para një libri si ky, lexuesit janë me fat, sepse ky libër u ofron lexuesit më shumë se një regjistër leximi. Për vete, siç do ta keni parashikuar, më intereson regjistri kryesor, ai nga këndi i interesit të shkencës së albanologjisë.”, tha Plasari.  

Ndërsa Prof. dr. Irakli Koçollari në kumtesën me temë “Luan Rama një diplomat përtej misionit të diplomatit” theksoi se informacionet konsullore kanë qënë dhe mbeten një burim tradicional me rëndësi të madhe për nevojat e vlerësimit të historisë së popujve, të organizimit të jetës së brendshme, të natyrës së tyre, të organizimit politik, marrëdhënieve të ndërsjellta me popujt fqinjë etj.,e se këto dy botime kanë në substancën e tyre inventarin e këtij burimi informativ, kujtimet, raportet dhe informacionet e Konsujve Francezë si dhe kronologjinë e emërimit dhe të funksionimit të veprimtarisë së Konsujve Francezë në territoret Arbërore.”, tha  tha prof. Koçollari, duke theksuar se këta dy libra e botimet e tjera të kësaj natyre janë një punë e vyer për shkencën e albanologjisë.  “Një kronike e tillë e historikut të këmbimeve diplomatike, mes dy vendeve Shqipërisë dhe Francës, jam i bindur që i ka munguar edhe vetë Ministrisë së Jashtme shqiptare.”, tha ndër të tjera Koçollari.

Studiuesja e artit, Suzana Varvarica Kuka në kumtesën me temën “Louis Dupré dhe dëshmija e tij piktorike në trojet e Orientit jugperëndimor të Perandorisë Osmane, gjatë viteve 1819-1825”, tha se Luan Rama hulumton dhe ndalet si një vëzhgues i mprehtë mbi shënimet e piktorit francez Louis Dupré. “Ai evidenton thelbin e tyre. Madje kërkon të informojë me fakte të tjera historike, duke i pasuruar shënimet e piktorit në arsyen e modelimit të faktit, që lexuesi të kuptojë qartë kohën, motivin dhe qëllimin e udhëtimeve të perëndimorëve drejt orientit modern.”, tha Varvarica, duke shtuar se: “Orienti modern, asokohe, nënkuptonte kombe e territore të Europës jugperëndimore të përfshira nën administratën turke. Në tokat e tij gjendej kultura antike, si ajo e Greqisë së Lashtë, e cila ishte bërë frymëzim dhe nxitje e realitetit të kohës.

Artistë, shkrimtarë, filozofë dhe estetë të shekujve XVIII dhe XIX, kërkohin të preknin dhe studionin në origjinal artefaktet antike. Hap pas hapi, shqipëruesi i jep njehësim përjetimeve të francezit Louis Dupré në takimet me Ali Pashë Tepelenën, me psikun, fizikun dhe mënyrën e sjelljes e të jetuarit të shqiptarëve të Epirit e të malësorëve luftëtarë arvanitas e suljotë; me kohën, natyrën, me banesat, me zakonet, me armët, me rrënojat antike, me veshjet e me elemente të tjerë, që lidhen edhe me kombësitë greke, arumune, sllave e turke. Ai është ndalur edhe në marrëdhëniet e konsujve dhe ushtarakëve anglezë e francezë, që lëvizën, jetuan dhe udhëtuan në tokat e Orientit modern.”, tha Varvarica.

Pas promovimit studiuesi Luan Rama, në një intrevistë për “Shqiptarja.com” rrëfen sesi historitë e përshkruara nga konsujt, dijetarët, apo artistët franceze për Shqipërinë dhe arvanitasit na shfaqet me ngjarje mbresëlënëse, duke na nxitur imagjinatën për të rikrijuar në mendjet tona imazhin e qyteteve shqiptare dhe të jetës së përditshme në Shqipëri, ku krahas bëmave historike, janë edhe legjendat, këngët historike dhe ato të dashurisë, përrallat, supersticionet e deri tek “ligjet” e gjakut.

Intervista
Professor Luani, ju patët promovimin e dy librave në Akademinë e Shkencave, që siç e shohim janë edhe kërkime origjinale, ku keni rendur pas gjurmëve të kulturës shqiptare apo të kulturës arvanitase në Bibliotekat e mëdha të Francës. Ku qëndron sekreti i insistimit tuaj në këto kërkime?

-Në fakt ke të drejtë. Mua më pëlqen shumë të bëjë kërkime në bibliotekat e Francës. I njoh shumë mirë bibliotekat. Kështu që fillmisht kam bërë një libër për arvanitasit, i cili është botuar edhe në shqip edhe në greqisht, ku ka referenca mjaft të vjetra, që nga koha bizantine, koha e mesjetës, vitet ‘800, etj, koha e revolucionit grek, kështu që botën arvanitase e kam dhënë në këtë libër i cili është botuar dhe në shqip dhe në greqisht. Pastaj gjatë kërkimeve të mia, unë një ditë zbulova një botim të vjetër francez të Louis Dupré, i cili ishte piktor. Unë zbulova nga ai litografi të jashtëzakonshme të suljotëve që kishin luftuar për mbrojtjen e Korfuzit. Ka litografi të Ali Pashë Tepelenës, ka një skenë gjahu. Dhe si të thuash ai ka bërë fshehurazi dhe portretin e Ali Pashës

Pse Louis Dupré duhej t’ia bënte fshehurazi portretin Ali Pashës?

-Sepse ai nuk pranonte. Për shembull, një ditë më parë Dupré kishte qenë bashkë me një komisar anglez të dërguar nga mbreti i Anglisë pranë Ali Pashë Tepelenës, dhe ishte pikërisht ky lord anglez që ia prezantoi Pashait: “Ja një piktor francez”, dhe lordi i tha “Tregoja pikturat e tua Pashait”. Dhe ai i tregoi shumë portrete suljotësh, kishte skena gjahu, nga jeta e përditshme, etj. Lordi i thotë pas kësaj Ali Pashës: Le ta bëjë edhe ty një portret, Pasha. “-Jo nuk më lejohet nga feja”, -i tha Pashai. Dihet se sipas profetit Muhamed, nuk lejohej që fytyra e njeriut të pikturohej. Kjo më kujton një rast tjetër që kishte ndodhur edhe me Eduard Laer në Elabasan, ku rreth tij mblidhen shumë njerëz e më shumë prej tyre turq dhe e trajtonin si një magjistar, aq e rrallë ishte dukuria e pikturimit në botën myslimane.

Po ju bëj një ndërhyrje për një koment tuajin të shkurtër. Ali Pasha ishte besimtar i fesë myslimane, por në oborrin e tij ai komunikonte ndryshe me piktorë, poetë e personalitete të larta ardhur të perëndimit, duke e ditur fare mirë se bënin një jetë të lirë, larg çdo norme fetare. Si shpjegohet?

-I pëlqente Ali Pashë Tepelena artistët. Ishte një njeri shumë i zgjuar, dhe kishte edhe vetë një lloj kulture. Ai e donte perëndimin dhe kishte dërguar për studime disa njerëz të tij në perënndim. Por e donte edhe se kishte nevojë për mbështetjen e tij, ku përpiqej të shmagej nga varësia ndaj Perandorisë Osmane. Ai kishte një lidhje të fortë kur e mori supermancinë Franca dhe më vonë kur Napoleoni humbi e pastaj e mori fuqinë Anglia. Ai bëri një diplomaci shumë të hollë. Të gjithë artistët, piktorët, letrarët që qëndronin në Janinë, ktheheshin aty e zbulonin botën shqipëtare, se atëherë ishte pjesë e Ilirisë, e të huajt kishin lidhje kryesisht me botën ilirike. Aliu i priste këta. Dhe gjëja më e bukur është pritja që i ka bërë Lord Bajronit, duke u sjellë me shumë ngrohtësi e dashuri, apo Tomas Hughes, që ka bërë një libër për udhëtimin e tij në Shqipëri, dhe ai ka ndenjur shumë gjatë me Ali Pashën dhe ka botuar një libër që ka zbuluar gjithçka nga këto takime, pra ai vetë e evidenton këtë fakt.

Cilat mendon se janë prurje me më shumë interes nga zbulimet tuaja arkivore në Bibliotekat e Francës?

-Në fakt mua pëlqen shumë arkivi, dhe pasioni im për arkivat ka nisur që kur rishikoja filmat e vjetër në Kinostudio, ende i paqartë se çfarë doja të zbuloja. Gjithashtu, gjatë qëndrimit tim në Paris, para shumë vitesh kam zbuluar shumë gjëra dhe kam botuar një libër me 700 faqe me dijetarët francezë gjatë shekullit të 19-të në Shqipëri, dhe aty ka dokumente e dorëshkrime nga arkeologë, gjeologë, historianë, konsuj, fotografë, hartografë, letrarë dhe kështu të gjithë ata kanë botuar shënime dhe shumë-shumë libra deri në fund të ‘900-s. Çdo njeri prej tyre është një libër më vete, e një faqe historie e re tashmë. Për shembull, F. Pouqueville është botuar nga Ardian Klosi, nëse ju kujtohet libri i tij “Udhëtim në More dhe në Shqipëri”, por ka shumë ky autor dhe ne nuk e njohim se kush ishte ky Pouqueville. Ai meriton një libër më vete. Unë bëra një kapitull fillimisht për të, por ka shumë për të bërë.

Çfarë të pathënash zbuluat ju vetë prej Pukëvilit?

-Është i jashtëzakonshmë në fakt. Ai ka dorëzuar në Biliotekën  Kombëtare të Francës “Fjalorin e Marko Boçarit”. Kjo dihet, por në librat e tij ka një mori të jashtëzakonshme faktesh dhe ngjarjesh historike. Ka një libër tjetër të tij që nuk është përkthyer në shqip, që që është një përkthim në Greqi. Aty ai ka shënime  për arvanitasit, për këngët, foklorin, bestynitë, për supersticionet shqiptare. Gjëra që nuk njihen akoma dhe meritojnë të bëhen libra me vete. Të njëjtin kërkim bëra edhe për konsullin francez Auguste Dozon. Është ai që botoi për herë të parë nga folklori shqiptar përrallat shqiptare dhe meritoi çmimin e Akademisë Franceze. Dhe njëkohësisht ai e mësoi shqipen dhe bëri një manual të gjuhës shqipe, krijoi edhe një fjalor të gjuhës shqipe në Francë. Kështu unë bëra një libër, fillimsht me një kapitull, ku e përfshiva tek libri “Bujtësi i largët”, kushtuar dijetarëve francezë gjatë shekullit të 19-të dhe pastaj bëra një libër më vete në shqip. Eshtë e gjithë jeta e tij si konsull, që më pas e përktheva dhe e bëra edhe në frëngjisht. Kështu bëra edhe për librin “Arvanitasit...” ku ka shumë të dhëna për kontributin shqiptar që në kohën bizantine. Është një shkencëtar shumë i madh që ka zbuluar të gjitha familjet e mëdha shqiptare, që jetonin në harta, jetonin në Athinë, më Ishujt. Arkivat janë passion më vete, dhe nganjëhere mua më vjen keq që nuk merrem me letërsinë, por gjithmonë më del diçka intriguese, e panjohur dhe dihet që librat historikë të hanë shumë kohë. Është shumë më i vështirë hartimi i një libri historik.

Duke ju përgëzuar për punën tuaj, për fat të keq shihet se shumë nga këto thesare nuk janë marrë në konsideratë nga studiuesit në albanonologji apo në filologjinë shqiptare për 50 apo 100 vjet me radhë, siç theksoi edhe studiuesi Aurel Plasari gjatë promovimit. A mendoni dhe ju kështu?

-Po ka pasur shumë mungesa në studimet filologjike. Madje më vjen mirë që Aurel Plasari në fjalën që mbajti gjatë promovimit, evidentoi dhe gjëra të reja që sjell ky libër për fiset çame, siç ishin lidhjet e disa prej personaliteve greke me ta. Është në këtë libër një konsull që quhet Degrand. Ai ka zbuluar saktësisht origjinën e Zervas, gjatë shoqërimit me të. Shumë e dinin se Zerva ishte grek, por ai ishte shqiptar, sepse kur shoqërohet me të, vetë Zerva i thoshte “këtu në Çamëri kam rrënojat, këtu kam shtëpitë”. Mirëpo grekët i kanë fshehur burimet e origjinës së tij. Ka shënime kur një grek në dokumentet e vjetra tregon se Marko Boçari fliste shqip me luftëtarët e tij, kur ai i mblodhi bashkë dhe u foli atyre në gjuhën shqipe sesi do ta realizonte betejën kundër otomanëve, etj. Ka shënime të tjera që tregojnë se kur vinte Tafil Buzi në Janinë me 2000 luftëtar, otomanët nuk guxonin ta preknin. Madje për Tafil Buzin, imazhin e të cilit ne e njohim aq pak, shkruhej se kishte një kulturë perëndimore, dhe hante me thikë, lugë e pirunë në tryezë. Kështu që janë libra me përshkrime të jashtëzakonshme të zbuluara nga rrëfime të konsujve siç rrëfen edhe konsulli Gabriel Aubaret, që ishte nuni i djalit të princit të Oroshit, Preng Bid Dodaj, e që mori gradën Pasha e shkoi si gjeneral në luftën e Krimessë. Kur konsulli ishte në Shkodër, princi shqiptar i kërkoi të bëhej nun i djalit të vet. Madje Prenga kishte lënë në testament që nuni francez Aubaret, të ishte ekzekutuesi i testamentit. Imagjino një princ shqiptar që bashkëpunote me francezët në Mirditë. Të njëjtën gjë e shohim tek një fotografi shumë të bukur të vetë konsullit, sepse ishte dhe fotograf. Pra janë dokuemente të jashtëzakonshme këto foto.

Le të kthehemi tek ajo pjesa emocionale juaja. Çfarë të ka nxitur që gjatë qëndrimi tuaj në Francë të lini disi mënjanë krijimtarinë letrare dhe të kërkoni pa fund fakte për shqiptarët e tu dhe për hapësirat e Shqipërisë?

-Duke prekur shumë arkiva, kërkim pas kërkimi gjeja gjëra që nuk njihen, letra pa fund, siç do t’ju tregoj edhe letrat e Esat Pashë Toptanit, që janë nga më të rëndomtat deri tek më sekretet. Ka letra ku shkruante sesi t’i sillnin vaj ulliri nga Shqipëria gruas së tij e t’ia çonin në Paris. Për shembull, në këtë libër interesante është një letër e Zef Jubanit, që i shkruante presidentit të Francës për të qenë azilant i mbrojtur nga Franca. Ishte i jashtëzakonshëm ky dokument, par janë ndër librat e rrallë që flasin për ngjarje që kanë ndodhur në vitin 1800 dhe pse libri është botuar më vonë në 1840. Pra, këto gjëra janë regjisruar edhe më parë. Ose dokumente që flasin për djegien e konsullatës së Artës, apo fakti që kishte dhe konsullatë në Sarandë, ende e pakonceptueshme sot. Del, gjithashtu, se Franca bënte shumë tregti me Shqipërinë, dhe Shqipëria i çonte drithë, kur ajo ishte në krizë buke. E ka shumë e shumë të tjera!

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja