Më bëri përshtypje ishte Vlora e mbushur me Rilindje. Në çdo shtyllë elektrike ishin posterat e Ramës. Ka paguar PS që ka zënë të gjitha hapësirat publike?
Përderisa qyteti është mbushur me Rilindje, do të thotë se Rilindja ka mbushur mendjet dhe zemrat e qytetarëve vlonjatë, shpresëplotë se pas datës 23 qershor, Rilindja nuk do të jetë vetëm për Vlorën por për gjithë shqiptarët.
Si do të rilindë Vlora. Ju jeni kryetar i bashkisë, drejtoni prej 3 mandatesh...
Sigurisht.
Pra, jeni konsumuar, ç’nevojë ka për Rilindje. Ju duhet t’i kishit bërë punët që duheshin...
Konsumuar thoni ju, por unë ndihem ende i ri, edhe fizikisht, edhe mendërisht edhe me ide. Ato në asnjë rast s’janë konsumuar. Do të thosha, Rilindje, ka të bëjë me faktin që Vlora për këto tre mandate ka qenë e izoluar nga vëmendja dhe kontributi i qeverisë shqiptare. Thënë në aspektin si institucion, Rilindje do të jetë një marrëdhënie e re mes qeverisjes vendore dhe qendrore. Dhe kjo s’ka të bëjë vetëm me Vlorën, por me gjithë Shqipërinë.
Po kundërshtoj, këtu ka shumë biznese, shumë aktivitet, ju qoftë me mbledhjen e taksave, ju duhet t’i kishit realizuar punët tuaja, dhe të mos vinin vetëm nga qeveria...
Po pse ju zonja Basha mendoni që këtu në Vlorë nuk është realizuar asgjë? Përkundrazi, fakti që unë votohem për tre mandate rresht nuk ka të bëjë vetëm me atë ide që është krijuar tashmë në opinionin qytetar shqiptar që Vlora është e majtë. Vlora ka ditur të ndajë zhvillimet politike në Shqipëri. Vlora në 92 ka votuar totalisht për PD...
Ajo ishte një frymë, një erë ndryshimesh për gjithë Shqipërinë...
Sigurisht që ishte një frymë. Po vazhdoj në 2005, sepse edhe atëherë diti të ndajë mes të majtës dhe të djathtës. Në këto kushte unë them se drejtimi i bashkisë së Vlorës nga ana ime nuk ka të bëjë me faktin se Vlora është e majtë dhe detyrimisht duhet votuar majtas. Përkundrazi, pikërisht në mënyrën sesi janë administruar taksat, edhe fondet publike, kanë qenë një kontribut për qytetarët që kanë ditur të ndajnë atë çka duhet të kërkojnë.
Dëgjuam zotin Berisha që ju bëri një akuzë konkrete në Vlorë për PS: “i kemi mbyllur nëpër salla”. Nuk arritët të bënit një miting në qendër të Vlorës...
Do ti përgjigjem pyetjes suaj, por më ngeli pa përgjigje pyetja e parë për posterat e rilindjes. Nga pikëpamja institucionale ju bëj me dije se në bashkinë e Vlorës ende nuk ka një kërkesë nga PD, në zbatim të ligjit për të kërkuar ata hapësira publike...
Po ku t’i vënë ata? I keni zaptuar të gjitha ju...
Jo absolutisht sepse vendosja..
Ju thoni “topi është i imi, penalltinë po e gjuaj vetë”...
Jo s’është kështu. Unë kam drejtuar 7 apo 8 fushata dhe në asnjë rast nuk kemi pasur probleme me partitë politike për marrjen në shfrytëzim të hapësirave publike. Posterat e Rilindjes janë se PS ishte partia e parë që hapi fushatën dhe ishte në të drejtën e zotit ta parapërgatiste këtë fushatë. Ashtu sikurse PD që hapi fushatën zyrtare ne i vumë në dispozicion jo vetëm sheshin e Pavarësisë, atë shesh që Berisha u mburr shumë, por jo vetëm që nuk ka dhënë asnjë qindarkë, por ia hoqi të gjitha...
Do të kalojmë te kjo pjesë...
Jo ju mund ta kaloni por nuk mund të rri unë pa folur...
Ajo që unë pyeta ishte: pse e bëtë hapjen e fushatës në pallatin e Sportit?
Ende nuk ka një kërkesë zyrtare nga PD për marrjen në dispozicion të hapësirave publike. Ajo që është në shqetësimin tuaj për reklamat, të gjitha shtabet elektorale apo ambientet e tjera që janë zyrtarisht në funksion të fushatës, janë ambiente private. I vetmi ambientet publik janë shtyllat e reja...
Duhet të shohim nëse PS i paguan lekët...
Absolutisht po, sepse për fat të mirë jemi transparentë. Me vendim të këshillit ku ka përfaqësues të PD, ne kemi miratuar tarifat e këtyre shërbimeve. Nuk kemi asnjë kërkesë nga PD. I ftoj ta bëjnë dhe unë ju siguroj se ashtu sikurse në fushatat e mëparshme nuk do të ketë asnjë hezitim nga ne.
Më duket se po ikni nga çështjet. Unë ju pyeta që nuk e mbushët dot sheshin...
Ky është konstatim i juaji, unë flas për konstatimin tim dhe me eksperiencën që kam nga fushatat elektorale unë ju siguroj se pallati i sportit ka pasur më shumë pjesmarrës, se mitingu i PD. Nuk po flas për entuziazëm se ishin si “nata” me “ditën”. Nata ishte mitingu i PD, me njerëz të frustruar, me njerëz të detyruar, me njerëz që brenda përbrenda kanë tjetër ide dhe për shkak të presioneve; apo edhe për ata turistë politikë që erdhën nga qytete të tjera në shërbim të...
Po këtë presion mund ta bëni edhe ju tek punonjësit tuaj të bashkisë...
Jo, PS drejton vetëm bashkinë e Vlorës dhe kjo bashki ka vetëm 213 punonjës ndërsa të gjithë institucionet e tjera i drejton qeverisja qendrore. Unë punonjësit i kam përzgjedhur që në 2003 dhe janë vetë vlonjatët që mund të flasin sesa politik ka qenë Shpëtim Gjika në përzgjedhjen e stafit. Gjithsesi për të qenë korrekt dhe më konkret, formati i mitingut apo çeljes zyrtare të fushatës së PS, ishte larg zhurmës dhe fishekzjarreve, dhe ishte një komunikim njerëzor, i ngrohtë, një marrëdhënie e drejtpërdrejtë, shpirtërore dhe fizike me ata simpatizantë dhe mbështetës të PS së Vlorës. Por me eksperiencën që kam me fushatat, nuk përbën asnjë nonsens që PS e ka filluar fushatën në pallatin e Sportit. Ne e kemi të ideuar dhe programuar që të fillojmë nga baza e ngushtë dhe për të vazhduar me objektivin tonë për të marrë 8 deputetë në qarkun e Vlorës.
Ka një perceptim në qarqe të ndryshme në Tiranë që Rama është sjellë me ju si kryetar bashkie, si Berisha me Topallin. Në listën e deputetëve nuk janë dy bashkëpunëtorët tuaj, Eltar Deda dhe Arben Isaraj...
Siç e thatë dhe ju, ky është një perceptim nga Tirana. Këtu ka një perceptim ndryshe.
Pse nuk kanë qenë njerëzit tuaj më të afërt?
Jo e kam për perceptimin e gabuar që ju thatë...
Sa herë ju mori në telefon zoti Rama për tu konsultuar me ju për listën e deputetëve? Ose sa herë jeni takuar?
Nuk besoj se ky është thelbi i problemit, sa herë jemi takuar, apo sa herë kemi diskutuar. Sigurisht që jemi takuar dhe kemi diskutuar se cila ishte mënyra më e mirë për të arritur objektivin e PS për të ardhur në pushtet dhe për të arritur objektivin e qarkut 8 me 4. Kemi diskutuar pa hyrë në terma konkretë se cili është krahu i majtë apo i djathtë i Gjikës. Gjithmonë kam qenë i shqetësuar për të bërë më të mirën e mundshme dhe për të sjellë në qytetin e Vlorës deputetë apo kandidatë për deputetë të cilët kanë impakt në qytetin e Vlorës. Ju përmendët zotin Isaraj e zotin Deda të cilët janë dy nga miqtë e mi më të mirë dhe janë miq jo të fëmijërisë, nuk janë miq e shok as të lindur prej vitesh por jam shokë e miq ideali e partie, janë djem të shkëlqyer, me personalitet dhe integritet të jashtëzakonshëm dhe jo më kot dhe rastësisht e kanë përcjellë në mënyrë dinjitoze edhe faktin se nuk janë në lista.
Por është bërë e qartë që ka qejfmbetje, e kanë shprehur këtë...
Nuk besoj se ka njeri të lumtur kur largohet apo kur nuk është pjesë e listave apo pjesë e një kontributi duke qenë kandidat për deputet në listën e PS apo në partitë e tjera. Ama, mënyra sesi përcillet dinjiteti, integriteti, personaliteti dhe korrektësia për të qenë me PS, është tjetër gjë. E rëndësishme është që Shpëtim Gjika është në ballë të fushatës pa asnjë lloj qejfmbetje dhe mërie, përkundrazi më i motivuar se kurrë për të dhënë maksimumin për arritjen e objektivit që ato 23 mijë vota që Gjika mori në zgjedhjet vendore të jetë më shumë në zgjedhjet politike.
Atëherë, cilët janë deputetët që zgjodhët ju nga kjo listë?
Unë kam zgjedhur Rilindjen, kam zgjedhur Edi Ramën.
Dmth këta kandidatë nuk u zgjodhën në bazë të rregullave, të mblidhen strukturat e Vlorës dhe të bëjnë propozimet?
Kjo është një formë atavike dhe e konsumuar sepse një parti politike...
Ndryshoni statutin e PS zoti Gjika, pse nuk e ndryshoni?
Jo, se kam mbaruar përgjigjen. Ne nuk jemi një parti e re që lindëm sot, sikurse është FRD apo AKZ dhe ka nevojë për një konsultim nga baza për njerëzit që kanë impakt. Ne jemi parti tradicionale dhe pa bërë këto formate strikte, ne dimë të nxjerrim njerëzit e duhur.
Pak më parë thatë se ju zgjodhët Edi Ramën. E kërkuat ju Ramën në Vlorë apo Rama ua bëri ju këtë kërkesë?
Shiko që të jem i sinqertë me ju sepse unë nuk jam një politikan klasik, por jam një politikan i sinqertë...
Po të ishit politikan klasik do t’ju kishte futur Rama në kryesi...
Do ta sqarojmë edhe problemin e kryesisë. Zoti Rama nuk është se është konsultuar me mua qysh herët për të përzgjedhur Vlorën. Kjo është një bisedë që është bërë një muaj më parë. Jemi ulur bashkërisht dhe kemi ndarë të mirat dhe të këqiat që mund të përdor kampi kundërshtar për këtë kandidim.
E cilat janë këto të këqia?
Për këtë duhet pyetur kampi kundërshtar sepse unë shoh vetëm të mirat. Eshtë për herë të parë në histori që kandidati për kryeministër në Shqipëri kandidon në qytetin e Vlorës.
Iu shmang Berishës në Tiranë...
Ky është perceptimi juaj por me kodin e ri zgjedhor nuk ka garë të vërtetë elektorale.
Patjetër që ka përderisa lideri drejton fushatën dhe do të shihen votat sa plus apo sa minus janë...
Po e drejtë. Zonja Basha ju jeni pjesë e shtypit dhe nuk ju kam parë ndonjëherë që zotin Berisha mos ta keni ndarë nga Kavaja. Dhe nuk e di pse Berisha edhe në 2009 e konsideronte veten deputet i Kavajës. Kështu që zoti Rama kandidon në listën e Vlorës. Bëhet pjesë e strukturës së Vlorës por realisht me kodin zgjedhor, ai është kandidat dhe për të votohet nga Tropoja në Konispol. Unë e shoh si aset pozitiv që zoti Rama kandidon në Vlorë. Ai i ka sqaruar vetë arsyet të cilat janë jo vetëm shpirtërore dhe e dyta në aspektin politik për të treguar që PS e ka në qendër të vëmendjes qarkun e Vlorës dhe jugun e Shqipërisë.
Po nëse ju dhe Edi Rama nuk i merrni 8 deputetë do të konsiderohet kjo një dështim i juaji?
Jo sepse ne jemi në fazën e analizën. Unë thashë që objektivi do të jetë 8 me 4. Por sigurisht ka edhe vështirësi që ne po i shohim në proces. Por themi se janë të gjitha mundësitë për të arritur këtë objektiv. Ne na mungojnë vetëm 2016 vota, për të arritur këtë objektiv. Dhe këto do të dalin se s’bën. Ardhja e zotit Rama është një motiv më shumë për këtë.
Ju më thatë se do t’ju duheshin deputetë që kanë impakt për të arritur objektivin. Çfarë impakti ka pasur Koço Kokëdhima në qark?
Koço Kokëdhima ndoshta mund të dalë jashtë rrymës që deri tani po diskutohet për zotin Kokëdhima. Dhe për të qenë i drejtpërdrejtë unë do të doja të ishte zoti Isaraj në listë dhe jo zoti Kokëdhima. Ashtu sikurse do të doja të ishte zoti Deda dhe jo zoti Marto për arsyet që ju thashë më lart. Nëse do të kthehem te zoti Kokëdhima ai është një nga njerëzit që i ka qëndruar Berishës ballë për ballë. Edhe pse nuk ka qenë në rradhët e PS dhe në fund të fundit nuk ka pasur ndonjë detyrim politik që të ishte ballë Berishës apo të godiste çdo lloj aktiviteti të dyshimtë, të hapur apo të fshehtë që ka bërë Berisha jo vetëm në Vlorë por edhe në Shqipëri, ka zgjedhur rrugën e përplasjes me të duke u goditur deri në ekstrem.
Po, këto janë sqaruar...
Pjesa e tjetër...Ndoshta zoti Kokëdhima mund të kishte gjetur një rrugë më të shkurtër për të konsoliduar biznesin e tij, ashtu sikurse e kanë gjetur shumë gazetarë dhe për ta thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë zotin Henri Çili, i cili disa ditë më parë ka bërë një analizë për të cilën përveçse neverisë nuk mund ti vë dot emër tjetër, e kishte bërë për Vlorën dhe vlonjatët.
Nuk jam për të përmendur kolegët përderisa nuk i kemi pjesë të programit...
Dua të them se zoti Çili ka gjetur një rrugë tjetër për të konsoliduar biznesin e tij, ndërsa zoti Kokëdhima ka ruajtur qëndrimin e tij edhe pa qenë pjesë e PS dhe unë besoj që ka pjesën e tij të impkatit për të qenë pjesë e Rilindjes. Më lejoni tju them se gjatë këtyre 10 ditëve që ka filluar fushata, zoti Kokëdhima po punon shumë mirë në zonën e Himarës, Sarandës dhe Delvinës dhe mund t’ju them qysh sot se do të ketë një impakt spektakolar.
Deputetët që kanë impakt, mua mu duk çudi që Ben Malaj nuk është kandidat në Vlorë...
Nuk besoj se qenia anëtar i kryesisë është argument themelor për të qenë pjesë e listës sepse anëtar i kryesisë është edhe zoti Isaraj. Unë them që pjesa e kryesisë është një arsye më shumë për të ditur edhe për të administruar, qoftë edhe në një moment që nuk administrohet “inati” do të thosha...
Zoti Malaj nuk thotë se ka inat, thjesht thotë se do t’ju kthejë besimin qytetarëve të Vlorës...
Unë nuk dua që të them për kë do të punojë dhe si do të punojë. Të qenurit një anëtar kryesie është një arsye më shumë për të gjykuar si anëtar kryesie. Edhe nëse zoti Isaraj gjykoi si një anëtar kryesie pra me përgjegjësi të plotë jo vetëm për pjesën e tij personale që normal që do të ishte qejfmbetur, zoti Malaj nuk e mbajti një qëndrim të tillë. Dhe sot del si kandidat i pavarur. Unë i kam mbajtur qëndrimet e mia. Nuk i heq asnjë presje asaj deklarate.
Ju ka ardhur dhe një përgjigje nga zoti Malaj në fakt...
Nuk dua të vazhdoj më...
Ai thotë, “thuaj atë që mendon realisht dhe jo atë që të imponojnë”...
Zoti Malaj ka nja 6-7 vjet që nuk komunikon me mua. Dhe nuk e di se çfarë mendon ai, që unë mendoj nën zë. Sepse ti thuash dikujt thuaj ato që mendon, duhet të kesh të paktën një vit komunikim me të. Ndaj nuk më interferon fare ajo që thotë zoti Malaj se Shpëtimi duhet të thotë ato që mendon nën zë. Ai nuk e ka idenë fare se çfarë mendoj unë nën zë, sepse unë kam qenë i drejtpërdrejtë dhe ato që mendoj i them hapur. Dhe këtë e them edhe sot.
Po ja, ato 2016 vota që juve ju duhen, a i merr zoti Malaj?
Nuk kemi vajtur ende te votat, jam ende te qëndrimi që kam mbajtur për Malajn. Nëse sot do të mbaja një deklaratë tjetër sdo të hiqja asnjë presje. Nuk jam nga ata që trysnohem apo imponohem. Ka qenë thjesht një bindja ime për sjelljen e zotit Malaj në raport me elektoratin, në raport me ata mijëra qytetarë shpresëplotë në datën 23 qershor për ardhjen e PS në qeverisjen e vendit dhe sigurisht pastaj pse jo, duhet kuptuar edhe kështu, një qëndrim lidhur me eksperiencën dhe karrierën edhe politike. Ai është një teknicien shumë i mirë dhe që ka hapësira plot.
A duhet të ishte Malaj në listë?
Po ajo që ndodhi, ndodhi. Ne jemi sot përpara një fakti të kryer. Unë nuk kam mbajtur asnjë qëndrim as me zotin Isaraj, as për zotin Deda apo zotërinj apo zonja të tjera. As kam qenë i trysnuar dhe as obligativ ndaj zotit Rama për të përcaktuar në lista ata që doja, apo të mos caktoja ata që nuk doja. Qëndrimi im dihet.
Unë mendoj se kryetari i Bashkisë duhet të jetë i pari që pyetet...
Sigurisht që unë kam bërë konsulta, falenderoj zotin Rama që u konsultua me mua. Kemi ndarë qëndrimet së bashku. Qëndrimet mund të jenë që më kënaqin më shumë mua, apo kënaqin zotin Rama. E rëndësishme është që kënaqin qytetarët.
Me këtë listë që keni kënaqen qytetarët?
Përgjigjen do ta japë data 23. Unë jam i bindur që po. Sepse normalisht e thashë dhe e kam qëndrim: kontributet jepen deri në momentin që merren vendimet dhe duke qenë pjesë e strukturës së PS do ti bindem vullnetit të shumicës.
Ju jeni kryetar i bashkisë që me prurjet e reja që iu bënë kryesisë ju nuk ishit...
Dhe nuk kam asnjë merak Anila. Në momentin që do të bëhej mbledhja e asamblesë, unë kam pasur takim me zotin Rama, ka ardhur në Vlorë dhe u ulëm në një bisedë kokë më kokë me të dhe unë e falenderoj që ai erdhi nga Tirana në Vlorë dhe diskutuam arsyet se pse unë nuk duhet të isha në kryesi. Arsye të cilat unë i kam mirëkuptuar plotësisht.
Dhe pse nuk duhet të ishit në kryesi?
Po e zbuloj sot për ju dhe publikun, dhe normalisht për qytetarët e mi të Vlorës. Zoti Sejdini, Zoti Peleshi dhe zoti Dako që janë kolegë të mi, të nderuar dhe të respektuar, të cilët në listën e votimit kanë marrë “po”-në e parë të timen për ta për anëtarë kryesie sepse jo vetëm që i kam kolegë por i vlerësoj edhe për kontributet e tyre politike: arsyeja ka qenë shumë e thjeshtë. Elbasani Korça e Durrësi, të paktën në vitin 2012 që u bë kryesia e PS, kanë qenë shqetësim i PS sepse janë tre qarqe që vendosin ballancat e reja në lidhje me zgjedhjet që kemi në datën 23 qershor. Dhe sigurisht qoftë Elbasani që ka dalë 7 me 7, qoftë korça që ka dalë 6 me 6, qoftë Durrësi që ka dalë 9 me 7 nëse do të kishin një angazhim tjetër politik duke futur edhe kontributin e tre kolegëve të mi si anëtarë kryesie, normalisht do të kishte ...
Pse duhet t’u jepet më shumë rëndësi këtyre qarqeve dhe të lësh Vlorën?
Unë kam anëtar i PS që në 23 mars 1992. Pra një ditë pasi PD fitoi zgjedhjet parlamentare. Dhe asnjëherë nuk i kam thënë vetes nëse duhet të jem anëtar kryesie apo jo sepse asnjëherë nuk kanë munguar kontributet e mia edhe pse nuk kam qenë pjesë e kësaj strukture politike. E thashë se kjo ka qenë biseda dhe po e bëj transparente. Ka qenë një iniciativë dhe ide e kryetarit të PS për t’i dhënë forcë më shumë këtyre tre qarqeve për të bërë një ballancë të re në zgjedhjet 2013. Dhe kontributi im ka qenë njësoj si të isha në kryesi. Nuk kam qejfmbetje. Shumëkush që e ka parë këtë si një qejfmbetje të Ramës ndaj meje është i gabuar dhe ja ku jemi para një fakti të tillë që sot zoti Rama përveçse është në Vlorë është edhe një vlerësim dhe detyrim shumë të madh nga ana ime duke qenë i pari në Vlorë. Eshtë një përgjegjësi që ai më ka besuar këtë fushatë.
Zoti Malaj do tju prishi punë me këto 2016 votat?
Ky ka qenë shqetësimi për të cilin dola në konferencë për shtyp. Nuk kam dalë për të shpallur armiq. Por i kam treguar zotit Malaj duke i thënë si staticien që ai duhet të kuptojë shumë mirë që këto i prishin punë PS. E them me bindje se zoti Malaj e ka të pamundur për të qenë pjesë e parlamentit shqiptar sepse i duhen minimalisht 8500 vota...
Ju paska zënë frika zoti Gjika për kandidimin e Malajt...
Unë, shiko...Unë nuk trembem sepse po të trembesha në 2011 nuk do kisha hyrë në garë. Përkundrazi asnjëherë nuk jam frikësuar, e kam parë në sy situatën, garën jam drejqëndruar ashtu sikurse realisht më ka takuar të jem. Kjo nuk është frikë por është një realitet që me miqtë dhe shokët duhet ndarë. Dhe unë nuk besoj se është më shumë mik sesa unë ndokush që i thotë zotit Malaj të vazhdojë garën. Kjo mbetet për tu verifikuar në datën 24. Mik i mirë është ai që i ftoh arsyen dhe inatin e vlonjatit dhe e ftillon për t’i thënë që mbase ky ishte një gabim, por nuk është një faj. Faj do të thotë të vazhdojë të qëndrohet me kokëfortësi për të prishur këtë balancë që ne duam për zgjedhje. Dhe do të dalim 8 me 4. 2016 vota Anila janë minimalisht me atë statistikë që kemi përgatitur ne si shtab organizativ, sepse me kontaktet që kemi me qytetarët por edhe që Rama do të drejtojë fushatën e Vlorës do të arrijmë shifrën 12 mijë më shumë.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)