Intervista/ Selmanaj: Fitorja
e trishtë e librit tim në Itali

Intervista/ Selmanaj: Fitorja<br />e trishtë e librit tim në Itali
TIRANE- Libri “Verginità Rapite” (Virgjëri të vjedhura) i autores durrsake, Ismete Selmanaj është versioni në italisht i librit “Gjembi dhe trëndafilat” i publikuar nga shtëpia botuese “Dudaj” në Nëntor të vitit 2013. Një vit më vonë Ismete Selmanaj Leba, solli për publikun shqiptar një tjetër libër, “Kokat e dy lejlekëve të purpurt”. “Verginità Rapite” është përkthyer në italisht nga vetë autorja.

Parathënien e këtij libri për publikun italian, e ka përgatitur Profesori i Universitetit të Palermos, Matteo Mandalà. Ndër të tjera, ky libër u është dhënë studentëve të Universitetit të Palermos me inisiativën e Prof. Mandala për t’u lexuar si një libër që trajton në mënyrë realiste gjendjen e gruas shqiptare, dhe jo vetëm të saj, që nga  vitet e sistemit socialist e deri në ditët e sotme. Romani “Verginità Rapite” rrëfen për një të vitit 1979. Mira, një vajzë 15-vjeçare përdhunohet në mënyrë çnjerëzore nga Sekretari i Partisë së shkollës. Kalon njëkohësisht tmerrin e përdhunimit, përçmimin e opinionit që e quan atë fajtore, dhe ndarjen me forcë nga e vetmja krijesë që solli në jetë.

Eshtë vështirë që t’i kuptosh vitet e diktaturës, po të mos i kesh jetuar. Mira u përpoq me të gjitha forcat t’i mbijetojë atij Gjembi të errët, që shqiptarët e përjetuan për pothuajse 50 vite rradhazi, duke pritur të shohin dritën në fund të tunelit. Iu desh të kalojë shumë dhimbje, por edhe  të luftojë për lumturinë e saj. Kur më në fund diktatura ra, Mira vuri re me hidhërim, se  ish- komunistët e vjetër ishin “shndërruar” në “demokratë”të flaktë  dhe kishin ndërruar vetëm emrin. Shqipëria mbeti në një tranzicion të pafund, si një grua me dhimbje lindjeje prej 25 vjetësh që nuk arrin të lindë  e të sjellë në jetë demokracinë.

Përse vendosët që të shkruani për një histori të tillë?
Më kanë pyetur shumë lexues si në versionin shqip edhe  në atë italisht, pse kam zgjedhur të shkruaj një histori të tillë të fortë, të dhimshme, të dhunshme dhe në disa moment të vështirë edhe për t’u shkruar. Fatkeqësisht, histori të njëjtë apo të ngjashme me atë të protagonistes së librit, kanë kaluar shumë gra e vajza në Shqipëri. Kur u bëra nënë për herë të parë dhe mora në krahë tim bir, mendimi i parë që më erdhi në mendje ishte se askush dhe asgjë s’kishte për të na ndarë kurrë dhe se isha gati të jepja jetën për të; vetëm mendimi më bënte të ndihesha keq.

Prandaj, kur mendova këto nëna fatkeqe që kishin qenë të detyruara të ndaheshin nga fëmijët e tyre për shkak të kushteve dhe opinionit të kohës, arrita ta kuptoj se sa të vështirë e kanë pasur. Kjo ka qenë edhe një nga arsyet kryesore që vendosa të shkruaj këtë histori. Titulli në shumës “Verginità  Rapite” (Virgjëri të vjedhura) tregon edhe natyrën e dhunës që trajton libri. Nuk flitet vetëm për dhunë kundër grave e vajzave, por për dhunë sistematike kundrejt një populli nga ana e një prej regjimeve më totalitarë në botë. Në fakt libri prek shumë tema sociale të djeshme e të sotshme që ka kaluar e po kalon Shqipëria.

Zgjedhja e shtëpisë botuese “Bonfirraro” në Itali, ishte e rastësishme?
Jo, nuk ishte e rastësishme. Kur mbarova së përkthyeri librin në italisht, u lidha me shumë shtëpi botuese, që nga veriu deri në jug të Italisë. Mbeta me të vërtetë e habitur por edhe e lumtur me numrin e madh të shtëpive botuese që u treguan të gatshme ta publikonin. Zgjodha “ Bonfirraro”, për shumë arsye.

Sicilia është vendi ku kam kaluar gjysmën e jetës sime dhe ku kanë lindur e rritur tre djemtë e mi. Këtu  mësova dialektin sicilian që është i mrekullueshëm dhe e quaj si një pasuri personale. Sicilia është edhe vendi  i Horës së Arbëreshëve, i  shqiptarëve të larguar mbi 500 vjet më parë. Kanë ruajtur me një xhelozi e krenari për t’u admiruar gjuhën, zakonet, kostumet, traditat e tyre të lëna trashëgim nga të parët. Në libër flas edhe për Horën, Sicilinë dhe sicilianët. Libri gjithashtu ka edhe një lidhje tjetër shumë të bukur dhe prekëse me Sicilinë.
 
A është një histori e vërtetë kjo që trajtoni në librin tuaj?
Pas daljes së librit, shumë gra nga çdo cep i botës më kanë kërkuar dhe janë lidhur me mua. Kush më shumë e kush më pak, kishte kaluar një pjesë nga historia e Mirës apo ajo e grave të tjera. Shumë prej tyre duke qarë, më kanë treguar ngjarje që s’kanë pasur guxim t’ia tregojnë askujt tjetër nga turpi i asaj që kishin kaluar... Kishin mbajtur të fshehta sekrete të dhimbshme, duke u ndjerë në faj pa qenë fajtore. Kur kishin lexuar librin tim, më në fund kishin gjetur dikë që i shikonte si viktima, ashtu siç ishin në të vërtetë.

Mira, protagonistja e librit tim, është fryt i imagjinatës sime. Por fatkeqësisht, dolën shumë Mira të vërteta që do të kisha dashur që të mos ekzistonin. Për një shkrimtar, duhet të jetë një fitore dhe arritje e madhe gjetja e  lexuesve që  personifikohen në personazhet e krijuar prej tyre. Unë gjeta shumë lexues të tillë. Kjo ka qenë fitorja më trishtuese e librit tim që do të kisha dashur shumë të mos e kisha fituar...
 
Juve po promovoheni në Itali, po në Shqipëri çfarë po bëhet për këtë libër?
Para pak ditësh isha për një seminar në Palermo. Libri im iu është dhënë studentëve për provim, ndërsa në Shqipëri.., indifetencë totale! Edhe Prof. Matteo Mandala ka mbetur i habitur. Te studentët e tij dhe në përgjithësi në Itali është pritur shumë mirë. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Himara pjesë e paktit Athinë-PD, që nga marrëveshja famkeqe 6 milje detit

Spahiu: Himara pjesë e paktit Athinë-PD, që nga marrëveshja famkeqe 6 milje detit